Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, priti në një vizitë përfaqësues francezë të Shoqatës kombëtare të qyteteve dhe vendeve të artit dhe historisë dhe qyteteve me sektorë të mbrojtur.
Ka dy vjet që kjo shoqatë franceze lobon që këtë rrjet ta shtrijë edhe në Shqipëri, ku bashkitë me histori të mbrojtura në fushën e trashëgimisë të bëhen rrjet dhe t’i bashkohen studimit të kësaj shoqate, e cila konsiston në planifikimin urban të vendeve të mbrojtura historike.
Marylise Ortiz, drejtore e kësaj shoqate, tha se, “Elbasani është një qytet me shumë zona historike, ku pjesa më e madhe e tyre ndodhen në lagjen Kala”.
Në këtë kuadër, Ortiz i kërkoi kreut të bashkisë, Qazim Sejdini, që të lobojë edhe me bashkitë e tjera të Shqipërisë, që të bëhen pjesë e këtij rrethi, duke e nisur pas Elbasanit me qytetin e Beratit.
Sipas Ortiz, “qyteti i Elbasanit ka shumë hapësira për të rritur numrin e turistëve, për nga vetë vlerat historike dhe arkeologjike që ka, por kjo kërkon më shumë vëmendje dhe investim në planifikimin urban, kryesisht në vendet e mbrojtura historike”, citohet Express.
“Në këtë kuadër ne kemi hartuar një projekt pilot për të mbrojtur këto zona historike, duke e nisur nga lagja “Kala”, tha ajo.
Nga ana e tij, kreu i bashkisë është shprehur mjaft i gatshëm të jetë iniciatori i krijimit të këtij rrjeti, ndërsa shtoi se “aktualisht në lagjen ‘Kala’ ndodhen shumë objekte historike, në fushën e trashëgimisë kulturore, mes tyre edhe shtëpia e Kostandin Kristoforidhit”. Por, problem, sipas tij, mbetet privatizimi i pronave. (b.an)