Ekskluzive Javanews/ Të gjithë tifozët kuqezi i kanë drejtuar sytë në Kopenhagen ku pritet me shumë emocione ndeshja Danimarkë–Shqipëri, e vlefshme për eleminatoret e kampionatit europian Francë 2016. Përtej emocioneve apo dëshirave që mbartin sfida të tilla mjaft të forta, disa prej emrave më të njohur të sportit shqiptarë duke filluar nga trajnerë, specialistë, gazetarë sportivë si dhe opinionistë, shprehen për Javanews përtej euforisë, duke dhënë parashikimet e tyre se si mund të përfundojë ndeshja sonte.
Shkëlqim Muça
“Është një ndeshje që nuk mund të hidhet fall. Dëshiroj një rezultat pozitiv siç mund të jetë dhe barazimi. Danimarka është një ekip i fortë shumë racional dhe ndonjëherë janë shumë të rrezikshëm në lojën e tyre. Por dua të nënvizoj se nuk janë të pagabueshëm. Sa i përket ekipit tonë dallon loja e grupit, por natyrisht nuk është se dhurojnë spektakël”.
Hasan Lika
“Parashikoj një rezultat pozitiv për ekipin tonë. Shanset janë 51% me 49% për ekipin tonë që të marrë një rezultat pozitiv. Nuk e shikoj humbjen pasi vërtetë ekipi ynë është tashmë një ekip shumë i fortë. Sa i përket danezëve ata janë një ekip mjaft i mirë, rezistent, por natyrisht nuk janë të dikurshmit”.
Ed Manushi
“Parashikoj një barazim 0 – 0, me një lojë mbrojtëse nga ana e ekipit tonë. Të them të drejtën do ti “trembesha” një fitore të ekipit tonë ndaj danimarkës do na bënte keq për ndeshjet e mëpasme”.
Gëzim Sinemati
“Është një ndeshje mjaft e vështirë. Por mendoj se më të vështirë e bën euphoria në kampin tonë. Parashikoj një humbje për ekipin e debiazit, pasi kemi kohë pa humbur”.
Faruk Sejdini
“Ne jemi vend i vogël dhe ndjejmë trysninë para tifozëve kindërshtar, por tashmë ka dhe një realitet tjetër përpos kësaj, pasi lojtarët tanë luajnë jashtë dhe nuk ju duken më gogol ekipe si Danimarka psh. Kështu që unë them që me atë që ne kemi treguar në këto takimë barazimi është i krejt i mundshëm dhe i dëshirueshëm, por dhe një humbje me një gol diferenc nuk është ndonjë katastrofë. Por unë besoj se kjo ndeshje do dali barazim”.
Astrit Hafizi
“Parashikim të saktë nuk mund të jap, por nuk duhet të humbasim. Duhet të bëjmë gjithshka për të marrë një rezultat pozitiv”.
Artan Shyti
“Parashikoj një rezultat me 60% humbje dhe 40% barazim. Kur parashikojmë një ndeshje duhet të lemë mënjë anë emocionet. Fusha e kopenhagenit është mjaft e vështirë për shumë e shumë rrethana që lidhen me traditen e ndeshjeve mes dy kombëtareve, peshën që ka kjo ndeshje për ekipin danez etj.”
















