Një 41-vjeçar shqiptar është ekzekutuar me plumb në kokë pasditen e sotme në Greqi, nën dyshimin e larjes së hesapeve për pazaret e drogës në të kaluarën, pasi ishte me precedentë, ashtu sikurse edhe autori i dyshuar i krimit.
Familjarët e tij e gjetën trupin e pajetë në mes të vreshtit ku viktima po punonte dhe para se të jepte frymën e fundit, i ka telefonuar atyre se ishte qëlluar.
Ngjarja ndodhi në një zonë rurale në Rafinë, brenda një vreshti, njofton media helene.
Sipas informacioneve të para, burri me origjinë shqiptare arriti të kontaktonte familjen e tij përpara se të ndërronte jetë, ndërsa ekspertët konstatuan se ai kishte një plagë plumbi që tejshkonte faqen dhe pjesën e kokës.
“Ai ka një plagë të dukshme me armë zjarri në faqe dhe policia po heton të gjitha mundësitë, megjithatë vlerësimet fillestare tregojnë për një akt kriminal”, informon media greke.
Njëkohësisht, sipas të njëjtave informacione, viktima kishte qenë më parë në duart e autoriteteve për vepra të ndryshme penale. Autori i krimit dyshohet se është gjithashtu me origjinë shqiptare dhe i njohur për autoritetet për përfshirje në raste droge.











