Shqiptarët preferojnë të marrin kredi në euro
Banka e Shqipërisë evidenton se, rreth 61.9% e kredive dhënë biznesit është në monedhë të huaj. Përkatësisht Kredia në euro zë rreth 84.2%, ndërsa ajo në dollarë 15.8%
Në një vështrim të totalit të kredisë sipas llojit të subjektit vërehet që sektori privat ka peshën më të madhe në totalin e kredisë, duke zënë rreth 69.6% në fund të vitit 2014, nga 68.9% në vitin 2013. Ky konkluzion nxirret nga Raporti Vjetor i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë.
Gjatë periudhës janar – dhjetor 2014, kredia dhënë sektorit publik dhe individëve ka regjistruar një rritje me përkatësisht 10.3 dhe 1.2%. Të njëjtin trend ka ndjekur edhe kredia dhënë sektorit privat, e cila rezulton me një rritje prej 6%. Përgjatë viteve, kredidhënia në sistem ka pasur një orientim më të madh drejt biznesit, kredia ndaj të cilit, e shprehur si peshë në portofol, ka ardhur duke fituar terren përkundrejt kredive të dhëna individëve. Kjo tendencë është zbutur, dhe raporti midis dy grupimeve – biznesit dhe individëve – ka një tendencë të qëndrueshme gjatë 3 viteve të fundit.
Analiza sipas subjektit dhe qëllimit të përdorimit të kredisë evidenton peshën më të madhe ndaj totalit të portofolit të kredisë “overdraft” për bizneset (23.1%); pasuar nga kredia për “investime për pasuri të paluajtshme”, dhënë biznesit (19.8%); kredia për “investime për pasuri të paluajtshme”, dhënë individëve (18.7%); dhe nga kredia për “investime për blerje pajisjesh” për biznese (17.1%). Ndërkohë, rritjen më të lartë gjatë vitit 2014, e pësoi kredia për “konsum të mallrave të qëndrueshme” dhënë individëve, e pasuar nga kredia për “investime për pasuri të paluajtshme” dhënë biznesit.
Në të kundërt, rënien më të lartë e ka shfaqur kredia “për ushtrim aktiviteti”, dhënë individëve (-4.1%). Në fund të vitit 2014, struktura e kredisë sipas sektorëve të ekonomisë shfaq ndryshime të lehta krahasuar me një vit më parë.
Sektori më i kredituar i ekonomisë vazhdon të mbetet “Tregtia, riparimi i automjeteve dhe artikujve shtëpiakë”, me një peshë prej 24.9% të portofolit (me 4 pikë përqindjeje më shumë krahasuar me një vit më parë), pasuar nga sektori i “Industrisë përpunuese”, me një peshë prej 10.8% (me një rritje prej 2.8 pikë përqindjeje në terma vjetore). Sektori i “Ndërtimit” (aktualisht në vend të tretë), në fund të vitit 2014, rezulton me një peshë prej 10%, me një rënie prej 1.4 pikë përqindjeje gjatë këtij viti.