Shqiptarët që ndodhen në burgjet e Italisë, pritet të kthehen drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin, siç është përfolur shpesh në të shkuarën.
Por me ardhjen e qeverisë së re populiste zërat janë forcuar. KOnfirmimi për nismën vjen nga zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini.
Ai ka propozuar marrëveshje me tre shtete për të dëbuar të burgosurit e huaj.
Salvini ka thënë se Italia do të kërkojë marrëveshje me Shqipërinë, Rumaninë dhe Tunizinë për të dëbuar të burgosurit e huaj.
“Këto shtete janë ndër vendet kryesore të origjinës së kriminelëve në burgjet tona”, deklaroi Salvini.
Mësohet se në burgjet e shtetit fqinj janë thuajse 2500 të burgosur shqiptarë, ose afro gjysma e të burgosurve që ndodhen në Shqipëri.
Numri i shqiptarëve cilësohet si ndër më të lartët në burgjet e Italisë, duke u renditur të tretët sa i takon të burgosurve të huaj./a.m.