Nga Roland Qafoku
Si? Të ketë një erë lufte diku në një cep të botës dhe të mos përmenden shqiptarët nga ata që nuk i kemi miq? Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergey Lavrov e shfrenoi ekstremisht fantazinë teksa të premten në një intervistë për stacionin televiziv shtetëror rus “RT” tha: “Mercenarë të rekrutuar në ushtrinë ukrainase janë nga Republika e vetëshpallur e Kosovës, Shqipëria dhe Bosnja”. Po përse i duhej kjo deklaratë boshe, aspak e vërtetë dhe me ligësi të pashoqe shefit të diplomacisë ruse? Në një reportazh të televizionit indian “Wion” direkt në terrenin e luftës u bë e ditur se mercenarët në ushtrinë e Ukrainës të paguar nga ky shtet ishin nga SHBA, Britania, Australia, Gjermania, Franca, Serbia, Greqia, Austria, Kroacia, Gjerogjia dhe në asnjë fjalë, pamje dhe intervista nuk u përmend që mes tyre të ketë qoftë edhe një shqiptar i vetëm. Nuk kërkon të kesh trurin e Leonardo Da Vinçit për të kuptuar se kryediplomati rus që ka 18 vjet palëvizur në këtë detyrë, e ka mendjen te Kosova që sa herë ia do puna e krahason me Krimenë e Ukrainës. Edhe pse ka njohuri dhe informacionin e plotë që Kosova me shqiptarë autoktonë nuk ka fare lidhje me Krimenë e përzjerë me shumicë ruse, por edhe ukrainas e të tjerë, ai e ka pengun gjetkë.
Atë nuk e “pengoi” dot as Pandeli Majko i dalë tashmë nga politika, por që fle akoma duke parë në ëndërr që është kryeministër, bën në facebook deklarata vetjake, i ngjyros me citate nga Nikolo Makiaveli i Mesjetës dhe e i përshtat për vitin 2022. Reagimet e shtetit shqiptar janë dhe duhet të jenë të sinkronizuara, të mbështetura në rregulla diplomatikë si thirrja e ambasadorit rus në Tiranë në ministrinë e Jashtme, bërja publike e një note zyrtare dhe miratimi në Kuvend i ndonjë rezolute siç bëri në fakt zyrtarisht ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme:
“MEPJ hedh poshtë kategorikisht pretendimet e publikuara sot në agjencinë e lajmeve ruse TAS dhe dyshimet e ngritura nga Ministri i Jashtëm Rus, Sergei Lavrov, për praninë e “mercenarëve shqiptarë” në Ukrainë. Në shenjë proteste është thërritur Ambasadori i Federatës Ruse të cilit i është kërkuar përgënjeshtrimi i lajmit”.
Por Rusisë së Sergey Lavrov ende i djeg fakti që kur NATO sulmoi Serbinë në 24 mars 1999 ishte një shtet me një ekonomi të kufijtë e ekzistencës. Ministër i Jashtëm ishte Igor Ivanov dhe jo Sergey Lavrov. Ndërkohë Vladimir Putin e krijoi kabinetin e parë të tij si kryeministër në gusht të atij viti, pra kur lufta kishte mbaruar dhe dy kryeministrat para tij, Jevgeni Pirmakov dhe Sergeji Stepashin ishin aq të pafuqishëm të ndryshonin fatin e asaj lufte saqë sot janë harruar fare. Ish-ambasadori ynë në Moskë në atë kohë Shaqir Vukaj tregon në emisionin “Dekalog” se Rusia e marsit 1999 ishte e gjunjëzuar në të gjitha drejtimet saqë diskutohej edhe ushqimi për popullatën e jo më të kishte oreks për tu përfshirë në një konflikt si ai mes NATO-s dhe Serbisë:
“Në atë periudhë kishe muaj të tërë që nuk kishin para të paguanin rrogat. Mbaj mend një nënkolonel me orgjinë shqiptare nga këta të Karakurtit në San Petërburg. Nga muaji maj deri një tetor 1999 nuk kishin marrë rrogat. Dhe më ka thënë se në muajin tetor na çuan të mblidhim patate. Na thanë ne oficerëve merrni nga një kamion me patate”.
Vërtetë për të qeshur dhe për të qarë. Por çmund të bënte Rusia në atë konflikt kur Serbia kishte konsumuar genocidin më të madhe në Evrop pas Luftës së Dytë Botërore duke u renditiur pas atij gjerman ndaj hebrejve? A mund ta ndalonte Rusia atë sulm 78 ditor të NATO-s mbi Beograd duke detyruar ushtrinë e diktatorit Sllobodan Milosheviç të tërhqiej nga Kosova dhe 1 milionë shqiptarët e dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre të ktheheshin? Është vërtetë një pyetje e vështirë sot, por ambasadori i Shqipërisë në Moskë në vitet 1999-2001 është i bindur teksa thotë:
“Në 1999 kur NATO filloi bobardimet kundër Jugosllavisë, në atë periudhë fati ynë, i shqiptarëve, ishte që Rusia ishte ajo që ishte dhe nuk ishte ajo që është sot. Në mënyrë absolute do pengonte sulmin në Beograd. Po të ishte Putini në pushtet nuk do lejonte këtë sulm”.
Dhe për ta kuptuar akoma më mirë pengun rus ndaj shqiptarëve duhet të kujtojmë 27 shkurtin e vitit 2020 kur gjatë një vizite në Moskë të kryeministrit Edi Rama në cilësinë e kryetarit të radhës së OSBE konferenca për shtyp u kthye në një debat live mes tij dhe Lavrov. Deklarata e shefit të diplomacisë ruse vërtetë ishte porovokuese teksa tha:
“Ne nuk mund të zhvillojmë marrëdhënie bilaterale aq intensivisht sa të mundemi… por kryeministri përmendi detyrimet që Shqipëria ka ndaj NATO-s dhe SHBA-ve në veçanti si aleati i saj… Ne dimë për synimet e Shqipërisë për të filluar procesin e anëtarësimit në BE… Unë besoj se Shqipëria mund të jetë një nga këto shembuj, kur detyrimet e tyre pengojnë marrëdhënie të zhvilluara miqësore, ato të dobishme të ndërsjella në tregti, investime, tregti dhe marrëdhënie ekonomike, bashkëpunim”.
Ky citim tregoin se çfarë pengu dhe ndoshta pengje ka Rusia ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Përgjigja po live e Edi Ramës ishte me shumë vend:
“Do të shënoj në CV-në time që kam korrigjuar dikur ministrin Lavrov. Nuk është detyrim, është zgjedhje. Ne nuk jemi në të njëjtën linjë me aleatët tanë të mëdhenj me NATO-n ose BE-në jo sepse jemi të detyruar ta bëjmë, por sepse kemi zgjedhur. Askush nuk na detyron. Ne kemi zgjedhur dhe jemi krenarë që i përkasim asaj familje të madhe”.
Dhe kjo deklaratë solli edhje reagimin pozitiv të ambasadës amerikane në Tiranë që në faqen e zyrtare në facebook perifrazoi kryeministrin shqiptar fjalë për fjalë për ato që Rama ia tha drejtëpërdrejtë Lavrov. Kjo është aryseja e madhe përse Lavrov kërkon të përfshijë edhe shqiptarët në një konflikt që nuk ka as lidhje e as nuk tërheq kërkënd të shkojë për disa para. Kjo është e vërtetuar dhe nuk kërkon fare sforco për ta vërtetuar. Ideja e tij për të artikualuar për shqiptarët si një komunitet që bëjnë luftë dhe duan luftë është e dështuar, madje as e zgjuar. Kosova është një realitet që pavarësisht vështirësive që i kanë nxjerrë dhe po i nxjerrin serbët të mbështetur nga rusët nuk mund ta zhbëjnë dot kurrë.
SHQIPTARËT E ISH-BASHKIMIT SOVJETIK
Shaqir Vukaj dhe Apollon Baçe janë dy personalitete shqiptarë me emër në Shqipëri. I pari dikur ambasador, deputet dhe nënkryetar i Kuvendit. I dyti akademik dhe arkeolog nga më të shqurait në vend. Mes shumë të rinjve shqiptarë të asaj kohe, të dy kanë studiuar në ish-Bashkimin Sovjetik nga vitit 1958 deri në 1961 kur u ndërprenë marrëdhëniet mes dy shteteve. Vukaj në Moskë si inxhinier kimist dhe Baçe në Ukrainë, Karkov dhe në Krasnodar për pilot ushtarak dhe të dy u kthyen në Shqipëri duke lënë studimet në mes. Të dy kujtojnë ndërprejen e marrëdhënieve mes dy vendeve si pjesë e asaj që quhej Luftë e Ftohtë mes dy shteteve brenda Luftës së madhe të Ftohtë. Rusët u larguan nga Baza e Pashalimanit në Shqipëri duke dështuar ta kthenin Shqipërinë në Bazën e tyre të madhe në Mesdhe dhe kjo është një histori e hidhur për ta. Sigurisht që tashmë, as Lavrov-it e as Putin-it nuk u intereson kjo tua kujtojë kush. Atyre u duhet të dëmtojnë sa mw shumë modelin e Kosovës që tashmë është një realitet dhe shqiptarët arritën atë që askush nuk e kishte parashikuar në Rusi. Dhe si dhimbje për një gjë që nuk e zhbëjnë dot kërkojnë që ti vizatojnë shqiptarët si mercenarë edhe në konkliktin Rusi-Ukrainë. Por as nuk ëshë në natyrën e shqiptarit e as nuk ka motiv për shqiptarët. Shqiptarët e bënë betejën e tyre me armë në vitin 1999 dhe ishte një betejë në të cilën u derdh gjak për idealin e kombit. 15 mijë të vrarë dhe 5 mijë të zhdukur për një Kosovë prej 2 milionë banorë është një tregues se ideali triumfoi më shumë se sa mercenarizmi. Tashmë asnjë intrigë ruse nuk na sugjestionon më.
LUFTA E DYTË E FTOHË DUKE KËRCËNUAR ME LUFTË TË NXEHTË
Kur filloi lufta, nuk u bë kurrfarë deklarate për shpalljen e saj dhe kur mbaroi, kurrfarë parade për fitoren nuk pati. Lufta e Ftohtë zgjati për katër dhjetëvjeçarë e gjysmë dhe asnjë cep i botës nuk i shpëtoi dot ndikimit të saj. Gjatë shekullit të kaluar Bota ka parë dy luftra të nxehta botërore, një luftë të ftohtë dhe disa luftra lokale. Ka parë të vetmen luftë të NATO-s në marsin e vitit 1999 për çlirimin e Kosovës nga negocidi serb, më i madhi pas tij ndaj hebrenjve nga ana e Gjermanisë naziste. Lufta e parë Botërore shkaktoi 20 milionë viktima. Lufta e Dytë Botërore shkaktoi 50 milionë viktima, nga këto 25 milionë, pra gjysma, prej tyre ishin rusë. Por kur mendonin se bota i kishte dhënë fund luftrave të ftohta dhe të nxehta dhe ishte përqendruar në një luftë ndaj terrorizmit, në rajonin lindor të kontinentit, lufta e nxehtë është më e afërt se kurrë. Të paktën sipas informacionev, vetëm disa orë na ndajnë nga një sulm u mundshmëm rus ndaj Ukrainës. Edhe pse lajme të tjera njoftojnë se disa trupa ruse janë tërhequr, dhe për disa kjo është një taktikë tipike e ushtarakëve rusë. Po përse Rusia i është qepur luftës dhe përse viktima e saj është Ukraina? Prej 3 dekadash Rusia vuan rënien nga podi i Supefuqisë. Përveçse rënies së ekonomisë, një Rusi me 150 milionë banorë nga 250 që kishte Bashkimi Sovjetik dhe me një parashikim që në vitin 2100 do jetë 100 milionë banorë, e tkurr atë në të gjitha drejtimet. Presidenti Vladimir Putin e ka deklarur disa herë që shpërbërja e Bashkimit Sovjetik është krimi më i madh që i ka ndodhur kombit rus. Jo vetëm ai, por shumica e shoqërisë ruse nuk e pranon këtë. Ka gjetur një casus beli, Ukrainën të bëhet vitkimë. Rusia shfytëzoi faktin se Ukraina është e përçarë, pjesa Perëndimore e Ukrainës është proevropaine dhe pjesa lindore pro ruse. Ukraina është bërë viktimë është për një shkak madhor. Edhe pse ishte fuqia e tretë bërthamore, Ajo u tregua e gatshme në 1994 të shkatërronte armët bërthamore në këmbim të sigurisë së shtetit të saj të ri, mossulmit dhe integritetit territorial. Por Rusia nuk e zbatoi këtë memorandum. Shfrytëzoi rusët në Krime dhe në gjithë rusët në cepat e tjerë të Ukrainës dhe tashmë vendos kushte që shteti i Ukrainës të mos bëhet anëtar i NATO-s. SHBA ia ka bërë të qartë se nuk mund ti vendosë kushte as fuqisë së vetme të botës, e as aleancës së vetme ushtarake perëndimore, NATO. Janë dy teori që kanë rezuktuar të sakta për atë që ndodh në Rusi: E para e gazetartit Gabriel Partosh në librin “Bota që erdhi prej të ftohtit”. Sipas tij, rishfaqja e nacionalizmit në formën e tij më të skajshëm përbën një nga rreziqet më të mëdha pas Luftës së Ftrohtë në Evropën Qendore dhe Lindore. Dhe e dyta e George Friedman në librin “100 vitet e ardhshme”, ekspertit të shërbimeve sekrete amerikane. Sipas tij çështja gjeopolitike e Rusisë do të shfaqet mes saj dhe fqinjëve të saj që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Jemi pikërisht në këtë fazë. Fillon apo jo lufta Rusia kurrë nuk mund të arrijë më shumë se sa një lajmërim kujdes se unë mund të pushtoj shtetet në kufi me ne. Edhe nëse e pushton Ukrainën, kurrë nuk mund ta mbajë. Nëse ndodh, viktimë pritet të jenë njerëz të pafajshëm. Lufta e Ftohtë vërtetë nisi pa ceremoni. Por çudia është se edhe kjo luftë në Ukrainë mund edhe të fillojë pa ceremoni. Count down-i ka nisur.
Edhe këto që thotë Qafoku, mund të ndodhin, pooooor…..do të shtoja që ne si Shqipëri, jemi para faktit të MUNDËSISË së dyndjes së madhe të,UKRAINASVE, drejtë vendit tonë, si EMIGRANTË për tu ruajtur e shpëtuar nga lufta dhe që edhe mund të blejnë prona në mënyrë masive këtu tek ne në bregdet, gjë që për të arthmen, do të ndikojë të gjeodinamikën demografike të autoktonisë shqiptare….