Rubrika “Gjurmime shqiptare”
Shqipëria, vend i denjë për të qenë shtet perëndimor
Nga Fotaq Andrea
Francezi Jacques Bourcart (1891- 1965), gjeograf, udhëpërshkrues e oqeanograf, autor i rreth 400 punimeve shkencore, Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Oficeri i Legjionit të Nderit, është i njohur për lexuesin e veprës sonë antologjike “Pena të arta franceze për shqiptarët”. Ka qenë gjatë Luftës së parë botërore (Lufta e Madhe) në Shqipëri në kuadrin e Ushtrisë së Orientit dhe më 1922 mbrojti në Sorbonë tezën “Kufijtë shqiptarë të administruar nga Franca. Kontributi i gjeologjisë e i gjeografisë së Shqipërisë së Mesme, 1916-1920”. Ka shkruar po ashtu plot dashuri, objektivitet dhe mbi baza shkencore veprën “Shqipëria dhe shqiptarët” (Paris, 1921), duke çelur udhën e mjaft veprave të rëndësishme nga autorë francezë pas vitit 1920 që morën në mbrojtje shtetin e ri shqiptar, sikurse nobelisti i paqes D’Estournelles de Constant, Justin Godart, Elise Aubry, Mario Roques, Pierre Chanlaine, Konti Lafont e mjaft të tjerë.
Kumtesa e mëposhtme e këtij personaliteti shkencor, i njohur sidomos në fushën e gjeologjisë nënujore dhe të sedimentologjisë – emri i tij lidhet me këtë rast me Çmimin ndërkombëtar “Jacques Bourcart” –, është lëçitur në Konferencën shkencore të “Société de Géographie” të qytetit të Lilës – Francë, në tetor 1923. Bie në sy në këtë kumtesë synimi i tij për të bërë sa më shumë lobing për shtetin e ri shqiptar dhe për vizibilitet të Shqipërisë në arenën europiane e ndërkombëtare. Shfaq shkurt e saktë, në mënyrë të ndritur, brenda tre faqesh kuintsencë, një histori mbi katër mijëvjeçarësh të Shqipërisë e të shqiptarëve, ardhur, siç shpreht ai, që nga “errësirat e kohërave”. Thotë troç ndoca të vërteta të thjeshta, por therëse e mësimdhënëse për Europën e djeshme, paragjykuese, mohuese, të shurdhët e memece ndaj të drejtave të kombit shqiptar për liri e pavarësi. E sheh Shqipërinë të denjë për të qenë “shtet perëndimor”, si njësi të plotë territoriale, me gjuhën dhe banorët e saj të hershëm, duke e konsideruar ndarjen në gegë e toskë tërësisht artificiale dhe në zhdukje e sipër dhe, nga ana tjetër, si njësi me ndërgjegje kombëtare, pa kurrfarë përplasje fetare. Lartëson virtytet burrërore të shqiptarit, doket dhe zakonet e tij me origjinë të lashtë paragreke, aftësitë e veçanta që ai ka për administrim, drejtim e zhvillim.
Gjithçka nën penën e këtij autori është dashamirëse, plot zemërbujari e fisnikëri për Shqipërinë e shqiptarët, që meritojnë sipas tij, vëmendjen dhe përkujdesjen e veçantë të Europës, sidomos për të shmangur lakmitë e fqinjëve grabitqarë, të cilët vetëm synojnë t’u rrëmbejnë “copa e llokma territoriale”; po ashtu, ai veçon pasuritë dhe kapacitetet më të mëdha që ka vendi: me nëntokë e mbitokë të pasur (për zhvillim të industrive); me burime të shumta ujore (për hidro-energji); me fusha, lugina dhe pyje të pasur, natyrë të virgjër dhe klimë e mikroklimë të larmishme (për zhvillim intensiv të bujqësisë); me ajër të pastër, bregdet dhe bukuri natyrore (për zhvillim të turizmit)… E mbi të gjitha, me popullsi të re në moshë – tërë këta komponentë të domosdoshëm për progres të shpejtë shoqëror. Dhe jo më kot nuk do mungonin autorë francezë që do ta quanin në atë kohë Shqipërinë “Zvicra e Ballkanit”, për nga pasuritë që zotëron dhe për zhvillim e përparim të shpejtë që premton.
(Po hapim këtu një parantezë, kur një pyetje vjen e na djeg me të drejtë majën e gjuhës: Si ka mundësi që një vend i tillë me kaq shumë pasuri e potencial të mbetet edhe sot e kësaj dite në prapambetje e varfëri, dhe me treguesin IDH (indeksi i zhvillimit human) më të ulët në Europë? A e meriton këtë fatkeqësi një popull i tillë, një komb i tillë, përherë i përvuajtur nën diktate e diktatura, por përherë i ripërtërirë si feniks në mbijetesën e tij epike? Dhe domosdo, përgjigja po ashtu na vjen e ashpër, në majë të gjuhës e në majë të gishtit akuzues, për të denoncuar historikisht një klasë politike meskine, të molepsur, mediokre, mëkatare, të papërgjegjshme për fatet e këtij populli fatkeq, por të mbrujtur me një egocentrizëm absolut të llojit anadollak, xhambazist e dumbabist! Palé që një klasë politike e tillë na e konsideroka – o ironi! – zhvillim dhe përparim ecjen me hapa breshke, kur bota moderne njeh shpejtësi zhvillimi, me ritmet e larta të kohës).
Por, le ta lëmë këtu drejtpërdrejt Prof. Bourcart të flasë vetë me kumtesën e tij “Shqipëria e Re”, për ta parë atë të depërtojë thellë në shpirtin e këtij populli të paepur, me aftësi të veçanta për të sfiduar të mbifuqishmit dhe për të mposhtur vështirësitë, me energji të pashtershme dhe besim në forcat e tij për të ardhmen, plot zell e vullnet për arsimim, kulturë, progres e emancipim shoqëror, tema këto madhore që ai do t’i shtjellojë në librin e tij “Shqipëria dhe Shqiptarët” me dashuri të veçantë, aq sa do arrinte të mësonte e të fliste rrjedhëm “toskërishten e Korçës”, siç thotë ai, duke bërë dallimin me toskrishten vlonjate, etj.
Veçse, nuk mund të përfundojmë këtë hyrje të shkurtër për kontributin e vyer që Prof. Bourcart i ka dhënë shkencës albanologjike dhe historiografisë shqiptare në përgjithësi, pa nxjerrë në pah e pa lartësuar mbi të gjitha një pohim të fuqishëm të tij, një dëshmi, një zbulim, sa origjinal aq edhe të rrallë, për të mos thënë unikal – për aq sa dimë deri më sot – që “Shën Pali predikoi krishtërimin mbi kodrën e Dyrrahut” (sic! F. Andrea, “Pena të arta franceze për shqiptarët”, f. 516). Është një pohim i jashtëzakontë, brilant, i këtij autori, deklaruar me thjeshtësinë më të madhe që më 1921, dhe që do të vërtetohej plotësisht, në mënyrën më shkencore, falë një analize të thellë analitike dhe falë metodës deduktive nga Prof. Thanas L. Gjika në librin e tij ”Shën Pali punoi në brigjet e Adriatikut”, Omsca, 2014.
Shën Pali në Dyrrahun tonë, Shën Pali në kryeqytetin e hershëm arbëror që në vitet 60 të erës së re, Shën Pali në truallin shqiptar, ja bukur fort një RISI edhe për vetë Vatikanin nën penën e francezit Jacques Bourcart!
- Andrea, 20 gusht 2020.
Shqipëria e re – Kumtesë
Nga Jacques BOURCART,
Asistent në Sorbonë, 1923.
Shqipëria është një pjesë e Dinarideve, domethënë e vendit malor formuar nga vargmale paralele që përbëjnë bordurën lindore të Adriatikut, nga Trieste në kepin Matapan. Edhe pse njeh karakteristikat kryesore të këtij rajoni, bën dallim nisur nga një fakt kapital: bregu me drejtim nga Veri-Perëndimi në Jug-Lindje, nga Istria në liqenin e Skutarit dhe nga Valona në gjirin e Korinthit, shndërrohet në Veri-Jug pothuaj në krejt tërësinë e territorit shqiptar.
Rrjedhojat janë kësisoj të mëdha: vendi i banueshëm nuk kufizohet më përgjatë një platforme të ngushtë, anashkaluar nga male të larta gëlqerore, të pabanueshme, por përmban një fushë të gjerë bregdetare, shmangur nga mali, dhe që mund të bëhet tejet e pasur dhe pjellore. Nga ana tjetër, vargmalet tejshpohen nga lugina të thella transversale që krijojnë një kalim të lehtë ndërlidhës midis Adriatikut dhe fushave maqedone.
Përbërja gjeologjike e Shqipërisë është gjithashtu e ndryshme nga pjesa tjetër e rajoneve dinarike. Zhvendosjet e mëdha të shtresave të kores që, pak a shumë në epokën e rrudhjes alpine, krijuan në thellësinë e një Adriatiku të gjerë vargmalin që njihet aktualisht, shfaqën në Shqipëri jo vetëm shkëmbenj gëlqerorë, por edhe një kompleks të tërë të shumëllojshëm, dhe konkretisht shkëmbenjtë vullkanikë.
Kështu, në vend të jetë vend i shkretë, malësia shqiptare përmban pyjet më të bukur ndoshta të Europës, dhe një pafundësi burimesh ujore që lejojnë themelimin e një numri të madh fshatrash.
Tërë historia e Shqipërisë është në funksion të këtyre dy cilësive: vend shumë i lartë, por i banueshëm, – pra, skutë e shkëlqyer mbrojtjeje – dhe rajon kalimi i kollajtë nga Europa perëndimore në Orient – rrjedhimisht, fushëbetejë e paracaktuar historikisht për luftëra midis fuqive që dominojnë në njërin apo tjetrin krah.
Shqipëria, në kufijtë që iu caktuan nga Konferenca e Londrës (1913), kufizohet në Veri dhe në Lindje nga Jugo-Sllavia, prej së cilës ndahet nëpërmjet buzës së vargmalit të Alpeve shqiptare, banuar nga popullsi katolike tërësisht shqiptare – Malissorët –, por që i kanë kaluar Serbisë, më pas, nga rrjedha e Drinit të Zi deri në liqenin e Orkidës. Në Jug të kësaj pike, kufiri që e ndan atë me Greqinë, ndjek pothuaj buzën e skajshme të Pindit, prej ku merr arbitrarisht drejtimin për në Santi Kuaranta përballë Korfuzit.
Brenda këtyre kufijëve, Shqipëria është një vend gati po aq i madh sa Belgjika, por e populluar vetëm prej pak më shumë se një milion banorë, të gjithë në tërësinë e tyre shqiptarë, me përjashtim të ndoca refugjatëve boshnjakë apo arumunë. Shpesh, dallohen mes tyre dy raca: Gegët dhe Toskët; mirëpo, ky dallim nuk është veçse artificial dhe në zhdukje e sipër.
Mund të vërehet lehtë një fushë e madhe bregdetare, shpesh burim sëmundjesh, por me një të ardhme të bukur premtuese, që shtrihet nga Skutari në Valona, përgjatë një aksi malor që përshkon pothuaj gjithë vendin, dhe që vjen e shkrihet me vargmalin e madh transversal pothuaj në drejtimin Lindje-Petrëndim të Alpeve shqiptare, një krahinë me veçori dhe klimë maqedone: me fushëgropa apo liqene të mëdhenj.
Vendi, për nga vetë stoli e hijshme e pyjeve, nga larmi e madhe klimatike, nga kthjelltësi e pakrahasueshme e atmosferës, dhe për nga vetë gjendja primitive në të cilën ka mbetur, shfaqet kësisoj si një nga vendet më të bukura në Europë.
Origjina e popullit që banon në të humbet në errësirat e kohërave. Trashëgimtarë të një race të madhe që ka populluar Europën jug-lindore nga Trieste deri në Greqi dhe nga Adriatiku deri në Karpate, rëndësia e së cilës në historinë e qytetërimit nuk matet me monumentet që ka lënë, shqiptarët, nga pikëpamja e zakoneve, folklorit dhe etnografisë, bëjnë pjesë në një grup të madh që mund të quhet thrako-iliro-maqedon.
Mund të thuhet se disa zakone, për shembull gjakmarrjet fisnore dhe armëpushimet apo pranimi në vatër dhe marrja në besë e një të panjohuri e kanë zanafillën nga një epokë më e lashtë se Greqia klasike. Shqiptari, për më tepër ka ruajtur cilësitë burrërore më të rrallat në Orientin e Europës: guximin, besnikërinë ndaj të parit të tyre, besën, bujarinë, mikëpritjen, që pleksen me një aftësi të veçantë për drejtim dhe marrje në dorë të punëve, për zhvillim të zejeve e industrive, sidomos tek rinia e sotme.
Historia e këtij vendi nuk është veçse një vazhdë luftërash pambarim për pavarësinë e tij: luftëra gjatë sundimit të romakëve që prej rënies së Perandorisë maqedone gjer në çastin kur Pirroja – që e bëri një ditë Republikën [romake] të dridhej -, stolisi fitoren e triumfatorit Paul Emil; luftëra gjatë dyndjeve barbare; luftëra gjatë sundimit bizantin, i shmangur, por peshë e rëndë për t’u mbajtur mbi supe. Në Mesjetë, ja ku jemi në prani luftërash mes mbretërish bastarde të dala pas Bizantit, mes perandorive bullgare a serbe dhe princërve apo republikave fqinje italiane: angjevinëve dhe spanjollëve të Shtëpisë së Napolit, venecianëve, luftëra këto përgjithësisht midis ndikimit perëndimor dhe Orientit. Një princ francez, Filipi i Tarentes, arriti të bëjë për njëfarë kohe bashkimin e vendit; po kur rreziku më i madh – pushtimi osman – afron, është pikërisht një princ i vogël shqiptar, Georges Kastriota, i quajtur Skanderbeg, që jo vetëm ndali në vend pushtuesin por, së bashku me aleatin e tij transilvan Jean Huniad-in desh theu njëherë e përgjithmonë osmanët në vrullin e tyre të pandalshëm.
Pas vdekjes së këtyre heronjve, sundimi turk e mbajti Shqipërinë në errësirë dhe e shkëputi nga Perëndimi shekuj me radhë. Por, në Veri, kisha katolike do të ruante të pacenuara traditat dhe gjuhën kombëtare; në rajonet e tjera, shqiptarët do të jenë më turbulluesit, por edhe më të domosdoshmit për t’u marrë me të mirë nga tërë subjektet e sulltanit. Çdo disfatë që pëson Perandoria otomane, çdo betejë që ajo lypset të ndërmarrë, janë një rast i mirë që shqiptarët të shpërthejnë në revolta; më të mëdhatë, do të ndodhnin pikërisht në çastin e krizave ballkanike për pavarësi. Feudalët e mëdhenj, guvernatorët e fuqishëm të Skutarit e të Janinës i shohim të vihen shpesh në krye të këtyre lëvizjeve dhe në çastin e revolucinit grek, një prej tyre, Aliu i Tepelenit, desh realizoi ëndrrën e madhe të Skanderbegut.
Nën Napoleonin I-rë, trupat e të cilit pushtuan bregdetin – një kujtim ende i gjallë në Shqipëri – një regjiment shqiptar shpalosi në Europë flamurin e kuq vulosur me shqiponjën e zezë, të cilin, një regjiment mirditorësh udhëhequr nga [marshalli] Pelissier e shpalosi gjatë luftës së Krimesë. Jashtë vendit, kolonitë shqiptare të Rumanisë, Bullgarisë, Kostandinopojës, dhe sidomos të Amerikës, po organizohen çdo ditë e më shumë; dhe që andej do të vijë, në çastin e revolucionit xhonturk, sinjali për pavarësi.
Dhe pavarësia u shpall në Vlorë, në nëntor 1912, nga Ismail Kemal bej, kryetar i opozitës në parlamentin e Kostandinopolit; Europa donte t’i jepte këtij shteti të ri një sovran, princin Guillaume de Wied, por mbretërimi i këtij mbretëruci ishte i përkohshëm e u ndërpre nga Lufta e madhe.
Kjo e shndërroi sërish Shqipërinë në fushëbetejë. E pushtuar nga austriakët, italianët dhe francezët, asnjë zgjidhje nuk u parashtrua për të pas fitores së aleatëve.
Pushtimi nga ana e trupave tona, që u zgjat gjer më 1920 kërkoi si domosdoshmëri vendosjen e një regjimi administrativ të pavarur, rezultatet e të cilit ishin të shkëlqyeshme, duke i bërë të mundur qeverisë së përkohëshme të krijuar më 1919 të gjejë burimet e para financiare për të cilat kishte nevojë, si dhe kuadrot e para për qeverisjen e vendit dhe për luftën kundër pushtuesve.
Gjer në atë kohë, Shqipëria ishte e panjohur nga të gjithë në Europë, dhe për diplomatët e karrierës nuk ishte veçse një krijim artificial i diplomacisë austriake. Por Shqipëria dhe shqiptarët kishin ditur të fitonin zemrat e disa miqëve, të cilët morën nën mbrojtje nxehtësisht kauzën e tyre në Asamblenë e Versajës. E drejta e pavarësisë e një populli të tillë – i cili, pas parimeve që shpallëm gjatë Luftës së madhe nuk mund as të konsiderohet as si rezervë të egërish, as t’u shpërndahet me copa e llokma fqinjëve të saj gjoja më të qytetëruar -, u pranua më në fund nga Shoqëria e Kombeve, që ndoqi përfundimisht vendimet e Konferencës së Ambasdorëve.
Qeveria e re shqiptare e cila, me krahë të lira dhe e mbështetur në forcat e veta, arriti të realizojë bashkimin kombëtar dhe mëvetësinë e territorit më në fund të njohur, u përpoq të konsolidojë gjendjen e brendshme dhe ta bëjë vendin të denjë për të qenë një shtet perëndimor. Arriti të mposhtë të gjitha vështirësitë e brendshme dhe të paqësojë vendin, si dhe të ruajë frontin e punimeve të rëndësishme që kishin nisur trupat franceze, italiane e austriake të pushtimit. Por vështirësitë financiare dhe ato të politikës së jashtme, me të cilat iu desh të ndeshej, janë të konsiderueshme. Franca, kujtimet e së cilës mbeten ende të gjalla që nga koha e pushtimit, mund të ushtrojë një ndikim të madh nëpërmjet një politike pa interes e dashamirëse, por aktive. Falë mjeteve të veta, qeveria shqitare ka krijuar tashmë dy lice, tërësisht të gjuhës frënge, një në Korçë dhe një tjetër në Gjirokastër.
Francezët që do kenë rastin të qëndrojnë në Shqipëri, do të mahniten për më tepër sa nga bukuria e këtij vendi, aq edhe nga shpirti entuziast për të ardhmen e vendit dhe nga cilësitë fisnike të popullit të saj.