Sulejman Mema, specialisti i ekipeve Kombëtare në FSHF vlerëson këtë aktivitet që i dha mundësi të ndiqnin nga afër dhe të evidentonin disa lojtarë kuqezi që mund të jenë potencialë për të ardhmen e ekipit kombëtar si dhe për të përmirësuar difektet e disave prej tyre, në kuadër të përgatitjeve për kualifikueset e Kampionatit Europian për moshën U-17.
“Baza është tek aktiviteti rajonal që ne zhvillojmë, aty ne shikojmë bazën tonë dhe më tej vendosim t’i thërrasim edhe në ekipin kombëtar për t’i provuar. Departamenti i Ekipeve Kombëtare, stafet e ekipeve Kombëtare dhe stafet e përfaqësueseve rajonale janë gjithmonë në kontakt për të ndjekur nga afër punën që bëhet në rajonet e vendit ku ne kemi zyrat tona rajonale.
Seleksionimet e ekipit kombëtar nga vendi kanë qenë të shumta këtë periudhë dhe vlen për të evidentuar vlerat më të mira që ne duhet të marrim në ekip kombëtar. Po kështu ndodh edhe me ata që janë jashtë, i thërrasim dhe i ballafaqojmë me grupin e lojtarëve më të mirë që ne kemi në Shqipëri. Për të arritur te ky grup që kishim tani, trajneri Bulku ka bërë disa seleksionime e grumbullime me lojtarë që luajnë jashtë dhe brenda vendit, duke ndërthurur lojtarët më të mirë” – vijon Sulejman Mema.
Si mund të rriten lojtarët në kampionatin shqiptar? – “I kam bërë gjithmonë thirrje trajnerëve, rritjen nga ana kualitative të futbollistëve e kanë në dorë ata, pasi me trajnerët e klubeve lojtarët stërviten gjatë gjithë vitit. Duhet të jenë të përgjegjshëm për punën që ata bëjnë edhe me ato kushte që kanë, të bëjnë të pamundrurën që t’i rrisin vlerat lojtarëve tanë” – përfundoi specialisti i ekipeve kombëtare në FSHF, Sulejman Mema.