Ambasadori i Japonisë në Shqipëri Makoto Ito, flet për raportet që ka mes 2 vendeve.
Diplomati japonez që ndodhet në Tiranë prej vetëm 7 muajsh, thotë se ekonomia shqiptare është atraktive, por për të pasur kompani të mëdha që investojnë, rajoni i Ballkanit duhet parë si një zonë e vetme ekonomike.
Ambasadori thotë se në vit janë mbi 4000 mijë turistë japonez që vizitojnë Shqipërinë dhe i tërheq kultura dhe historia e vendit.
Në lidhje me pyetjen si e njohin japonezët Shqipërinë ambasadori ITO, thotë se Shqipëria njihet në Japoni falë librave të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, ku deri më tani janë përkthyer 10 romane të tij.
Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito,
Faleminderit për ftesën
Sa kohë keni që ndodheni në Shqipëri?
Ndodhem në Tiranë prej 7 muajsh tashmë.
A keni një qytet të preferuar apo Tirana është kryesorja?
E kam pak të vështirë që të them cili qytet është ai që preferoj më shumë. Por Tirana padyshim që është një qytet shumë i bukur. Gjatë verës së kaluar pata mundësi që të vizitoj shumë qytete, si Durrësi, Vlora, Korça, Shkodra, Kukësi , Gjirokastra etj, dhe të gjitha kanë veçantinë e tyre, prandaj e kam të vështirë të zgjedh një qytet të vetëm. Por dua të veçoj Shkodrën që është shumë qytet i bukur, dhe dua ta theksoj se më pëlqen shumë të qëndruarit aty. Gjithashtu unë vizitoj shumë shpesh edhe qytetin e Durrësit, sepse është afër dhe shkoj shpesh sidomos gjatë fundjavave për drekë.
Po përsa i përket ushqimit, a ju pëlqen ushqimi shqiptar?
Po më pëlqen shumë, sidomos supat, apo mishi janë shumë të shijshme.
Dua të kalojmë tani në një aspekt tjetër, që lidhet me raportet ekonomiko politike mes 2 vendeve tona, si do i vlerësoni marrëdhëniet politike mes Japonisë dhe Shqipërisë?
Ne hapëm ambasadën tonë gjatë këtij viti, dhe rivendosëm raportet diplomatike që nga 1981. Dhe kemi dhe ambasadën tonë këtu, por dua ta them se ambasada juaj u hapë kohë më parë në Tokio, dhe ne vendosëm që ta pasonim ketë vendim me hapjen e një ambasade japoneze këtu dhe më në fund e hapëm në 2017 siç ju thashë më lart. Sa i përket raporteve politike do t’i konsideroja shumë të mira, dhe më duhet ta theksoj se Shqipëria për Japoninë është e rëndësishme, sepse është një shtet i stabilizuar dhe i zhvilluar, si në aspektin social edhe në atë politik në rajonin e Ballkanit. Por gjithashtu Shqipëria ka influencë në vendet e tjera të rajonit këtu, dhe ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e Shqipërisë dhe prandaj vendosëm që të hapim një ambasadë këtu.
Po në lidhje me ekonominë, çfarë mund të themi për raportet mes vendeve tona?
Në lidhje me ekonominë, dhe shkëmbimet tregtare, do të thoja se nuk në nivel të mjaftueshëm dhe besoj se ka shumë mundësi për ta zgjeruar këtë aspekt. Nëse ndalem në shifra konkrete shkon në 9 milionë euro total import eksport, pra një shifër shumë nën potencialin që kanë vendet tona. Dhe besoj kjo është edhe detyra ime për ta zgjeruar edhe më shumë aspektin e tregtisë mes vendeve tona.
Cilët janë sektorët që kompanitë japoneze kërkojnë ose mund të investojnë në Shqipëri?
Ju keni shumë kompani, që pothuajse ofrojnë gjithçka, që nga industria e automjeteve, bujqësi, teknologji, informatikë etj.
Por për çfarë mund të jetë Shqipëria tërheqëse?
Besoj se ka shumë mundësi, sepse klima këtu është mjaftueshmërisht e mirë. Por edhe sepse populli shqiptar është shumë punëtor, dhe të rinjtë janë profesionistë të shkëlqyer do të thoja. Mendoj se kompanitë japoneze mund të vijnë këtu, për t’i punësuar dhe investuar në fushën e manifakturës, në turizëm apo edhe në agrikulturë.
Në opinionin tuaj, si do e vlerësonit klimën e të bërit biznes për kompanitë e huaja? Ju përmendët pak më lart se është një klimë shumë e mirë, por ka edhe disa problematika, që lidhen me sistemin tatimor apo edhe me sistemin gjyqësor?
Unë mendoj se është e mirë. Ne në Japoni nuk kemi shumë informacion të mjaftueshëm për Shqipërinë, dhe nëse vijnë këtu duhet të shikojnë si të jenë tërheqës për tregun shqiptar. Por Shqipëria ka një pozicion shumë të mirë gjeografik, sepse është shumë afër Bashkimit Europian, dhe ofron shumë mundësi për kompanitë japoneze, për të ardhur këtu dhe për prodhuar dhe më pas eksportuar në Bashkimin Europian.
Në lidhje me shifrat konkrete, sa kompani japoneze janë të pranishme në rajon dhe sa në Shqipëri?
Më parë kemi patur 2 kompani japoneze prezente në Shqipëri, por aktualisht nuk kemi kompani japoneze më këtu. Por mendoj se kemi potencial të madh që kompanitë japoneze të vijnë këtu dhe të bëjnë investimin e tyre të parë. Aktualisht e them fatkeqësisht numri i kompanive japoneze të pranishme këtu është 0.
Po në rajon si është situata?
Gjithashtu edhe në rajon, situate është e njëjtë janë shumë pak kompani. Në total do të thoja janë rreth 10 kompani. Që ndodhen në Serbi, Kosovë, Mal të Zi, Kroaci, në total 10. Numër shumë i ulët më duhet ta ritheksoj, sepse kemi shumë punë për të bërë për ta rritur ndjeshëm këtë numër.
Pjesa më e madhe e këtyre kompanive që janë të pranishme, janë duke operuar në manifakturë, automobila apo?
Disa prej tyre në prodhimin e pjesëve të automobilave, pjesa tjetër në agrikulturë, agrobiznes. Por edhe në industrinë e anijeve në Kroaci për shembull.
Po në lidhje me produkte konkrete, apo shkëmbimet tregtare, cilat janë mallrat që dominojnë në shkëmbimet tona tregtare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon?
Ne në pjesën më të madhe eksportojmë nga Japonia në Shqipëri makineri, ndërsa nga Shqipëria importojmë minerale, krom dhe minerale të tjera.
Në lidhje me turizmin, a besoni se kemi potencial për të rritur numrin e turistëve japoneze që vizitojnë Shqipërinë, por pse jo në të ardhmen dhe atyre shqiptar që vizitojnë Japoninë, sidomos në periudha të veçanta? Çfarë mund të bëhet më mirë në të ardhmen?
Ne nuk kemi fluturim direkt mes dy vendeve tona, megjithatë Turkish Airlines, Alitalia apo edhe linjat ajrore gjermane që janë shumë pranë Shqipërisë, ofrojnë fluturime direkte, pra mjafton vetëm një ndalesë për në vendet tona respektive. Prandaj mendoj se janë mundësitë e mira, për të patur më shumë turistë japonez jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon. Por pavarësisht kësaj, Japonia është shumë larg, prandaj turistët japonez që vijnë këtu, nuk vijnë vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet fqinje, si Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, apo edhe Greqia. Pra duke qenë se janë disa vende janë shumë mundësi për të parë rajonin. Autoritet tuaja janë duke punuar për këtë, edhe këtë vit dhe vitin e kaluar autoritetet shqiptare morën pjesë në panairin ndërkombëtar të turizmit që u zhvillua në Japoni, duke promovuar turizmin shqiptar te japonezët e thjeshtë, apo te operatorët turistik japonez. Është një iniciativë shumë e mirë dhe unë e mbështes plotësisht.
A kemi shifrat konkrete në lidhje me turistët japonez që vijnë dhe vizitojnë Shqipërinë? Apo udhëtojnë shumë edhe në rajon dhe nuk ndalojnë në Shqipëri, si është situate?
Ka shumë turistë japonezë që vijnë në Kroaci dhe në Slloveni, ata vizitojnë shpesh Dubrovnikun, dhe qytete te tjera. Unë po përpiqem dhe punoj që të ftoj sa më shumë turistë që të vijnë të vizitojnë Shqipërinë, sidomos ato vende që janë pjesë e trashëgimisë botërore, që janë pjesë e UNESCO-s, si Beratin apo Gjirokastrën. Shifrat në total shkojnë në rreth 4-5 mijë turistë japonez në vit.
Por besoj se ka shumë më shumë mundësi për t’u zgjeruar akoma edhe më shumë.
Po është e vërtetë kemi shumë potenciale të pashfrytëzuara mes 2 vendeve tona.
Në lidhje me kërkesat ndaj qeverisë, çfarë prisni të bëhet më mirë sidomos ekonomikisht por edhe politikisht?
Qeveria Japoneze e mbështet maksimalisht reformën politike që po bënë qeveria e Shqipërisë, dhe kryeministri Edi Rama me kabinetin e tij qeveritar. Ne mbështesim maksimalisht aspiratat e Shqipërisë që të jetë anëtare e Bashkimit Europian.
A mund të kemi në të ardhmen vizita të nivelit të lartë mes zyrtarëve të dy vendeve tona?
Padyshim që po do kemi. Dy vite më parë kryetari i parlamentit Japonez zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Ndërsa këtë vit ministri i jashtëm i shtetit zhvilloi gjithashtu një vizitë në Tiranë, por edhe ministri juaj i jashtëm Ditmir Bushati vizitoi Japoninë, pra kemi patur vizita të nivelit të lartë, dhe besoj edhe në të ardhmen do të kemi vizita të nivelit të tillë.
Ne folëm për shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë mes zyrtarëve të dy vendeve tona, por dua të kalojmë në aspektin kulturor, sa bursa ofron qeveria juaj për studentët shqiptar në vit?
Çdo vit ne ofrojmë bursa studimi për studentët shqiptar për të shkuar për të ndjekur studimet në Japoni, për 2 ose 3 vjet. Deri më tani kemi dhënë rreth 15 bursa të tilla, dhe disa kanë ardhur në Shqipëri dhe disa të tjerë janë duke punuar në Japoni.
Pra vijnë vetëm me programe bursash apo?
Po, dhe disa prej tyre kanë qëndruar në Japoni dhe po punojnë atje, dhe besoj kjo është një gjë e mirë, sepse të rinjtë shërbejnë si ura lidhëse mes 2 vendeve tona.
Degët që ata ndjekin më shumë janë në ekonomi, teknologji apo?
Pjesa më e madhe prej tyre studiojnë në teknologji, shkencë apo specialist teknologjie, me programe që zgjasin 2 vjet dhe një pjesë kanë ardhur këtu dhe punojnë për kompani apo në universitet ose në kompani japoneze.
Si e njohin Shqipërinë në Japoni, çfarë informacioni kanë?
Në Japoni nuk ka shumë informacion sa i përket Shqipërisë, shumë njohin shkrimtarin tuaj të famshëm Ismail Kadare dhe romanet e tij, që janë përkthyer në japonisht. Unë personalisht kam lexuar 2 romane te Kadares, në gjuhën japonisht. Por ka akoma edhe më shumë besoj janë rreth 10 romane të tij të përkthyera në gjuhën time, por edhe muzika dhe pikturat shqiptare janë të njohura në Japoni, por edhe historia që lidhet me regjimin e kaluar diktatorial por edhe më atë të mëparshme, pra këto janë aspektet që njihet Shqipëria në Japoni.
Japonia është duke ndihmuar Shqipërinë në shumë projekte sidomos në infrastrukturë, me disa projekte të financuara nga JICA, agjencia japoneze e zhvillimit, a mund të themi disa nga këto projekte dhe shuma e shpenzuar? Çfarë mund të themi për të ardhmen?
Ne e kemi zgjeruar prezencën tonë në aspektin e ndihmës ekonomike ndaj Shqipërisë me agjencinë tonë JICA ose direkt ndaj qeverisë Shqiptare, për të mbështetur qeverinë Shqiptare. Sepse për ne është e rëndësishme që Shqipëria të ketë stabilitet ekonomik dhe social, por jo vetëm për ne por edhe për rajonin. Nëpërmjet Xhajkës ne do të kemi projekte të tjera, si për shembull kemi ftuar të rinj shqiptar në Japoni për trajnime. Aktualisht kemi një program inovacioni që po financohet përmjet Xhajkës, por gjithashtu po japim mbështetjen tonë edhe për një hartë digjitale, për Durrësin dhe Tiranën. Kemi shumë projekte, dhe aktualisht qeveria japoneze dhuroi 130 makina hibride për qeverinë shqiptare, por kemi dhe projekte të tjera. Në të ardhmen, do të kemi projekte në sektorin e shëndetësisë dhe edukimit, që besoj do kemi kooperim të frytshëm.
Njohja e traditave dhe kulturës së 2 vendeve është shumë e rëndësishme, a keni në plan të organizoni aktivitete kulturore në të ardhmen?
Padyshim që po, por mos harroni që e kemi hapur ambasadën tonë këtu vetëm këtë vit, dhe për 2018 po përgatisim aktivitete kulturore. Kemi në planet tona të organizojmë një festival të filmit japonez këtu, apo të zhvillojmë disa koncerte me muzikantë japonez po në Shqipëri, për të njohur publikun shqiptar me muzikën kontemporane, xhaz apo edhe tradicionale japoneze. Por kam dëshirë të organizojmë edhe disa ekspozita me piktura apo edhe me fotografi Japoneze.
Po në lidhje me praninë e ambasadave japoneze në rajon si është situata?
Kemi ambasada në pothuajse gjithë vendet e rajonit, me përjashtim të Kosovës dhe Malit të Zi.
Dua t’ju pyes si është një ditë e ambasadorit të Japonisë në Tiranë?
Po ju pyes sepse ju kam parë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës në disa aktivitete edhe në maratonë. Dita ime është e ngarkuar edhe gjatë fundjavës. Kam disa hobi, mes tyre edhe të vrapuarit, dhe herën e fundit mora pjesë në maratonën e Tiranës, dhe ftova edhe 10 anëtarët e stafit të ambasadës time këtu që morën pjesë në maratonë. Ne përgatitëm edhe bluzat me logon vrapojmë për miqësinë, Tiranë 2017-Tokio 2020, sepse lidhet me Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Tokio për herë të 4-t. Më herët ne kemi qenë mikpritës së lojërave olimpike në Tokio në 1964, por edhe 2 herë kemi zhvilluar lojërat dimërore olimpike, pra kjo do të jetë hera e 4 që do të zhvillojmë lojërat olimpike. Jam shumë i kënaqur dhe besoj shumë atletë nga vendi juaj dhe njerëz të thjeshtë do të vizitojnë Japoninë me këtë rast.
Ambasador ju falenderoj për kohën tuaj, ishte kënaqësi.
Faleminderit juve./scan/a.m.