Qeveria shqiptare emetoi në tregjet ndërkombëtare eurobondin e ri me vlerë 450 milionë euro me një interes 5.75 %.
Vetëm një ditë pas shlyerjes së eurobondit të emetuar 5 vjet më parë, tregjet kanë favorizuar qeverinë shqiptare për të emetuar një eurobond të ri. Burime nga Ministria e Financave, bënë të ditur se ka patur një interes në rritje të investitorëve të cilët kanë vlerësuar Shqipërinë.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, kryesoi në fillim të muajit tetor një grup pune i cili zhvilloi një sërë takimesh në disa vende të Europës për të paraqitur mundësitë reale të Shqipërisë para investitorëve.
Kjo sipas tyre, ka bërë që të shprehin interes rreth 115 investitorë, ndërsa shuma e ofruar të jetë rreth 750 milion euro. Emetimin e eurobondit e kanë udhëhequr dy banka ndërkombëtare Deutsche Bank dhe JP Morgan të kontraktuara nga qeveria shqiptare.
Në vitin 2010 Shqiperia emetoi eurobondin e parë me një vlerë prej 300 milion euro me një interes 7.5 %. Dy ditë më parë, Ministria e Financave njoftoi se pagoi 300 milionë euro për të shlyer eurobondin e marrë në vitin 2010, për shkak të maturimit. Sipas ministrisë, nga këto, 250 milionë euro u siguruan nga kredia e Bankës Botërore, ndërsa 50 milionë euro të tjera u morën borxh në tregun e brendshëm, përmes ankandeve të zakonshme të letrave me vlerë