Javanews/ Publicisti dhe eksperti i ekonomisë në këtë intervistë për Javanews shprehet për të ashtuquajturin model aktual të ekonomisë shqiptare. Është propagandë bajate ajo që po thotë qeveria Rama, thotë ai- për një ekonomi që punon dukshëm nën kapacitet, me një borxh publik tejet mbi fuqinë ripaguese të kësaj ekonomie. Drejtori Ekzekutiv i Qendrës shqiptare për kërkimet ekonomike flet gjithashtu edhe për burimet e zhvillimit dhe koncesionet, duke e cilësuar si të papranueshme “për cilindo shqiptar që në ndërmarrjen e vendimeve për koncesione prej qindra miliona Eurosh për 20 apo 30 vitet që vijnë, elita politike drejtuese e vendit të fshihet mbas vendimeve kolegjiale të qeverisë apo të Kuvendit ‘në emër të sovranit’, por duke vështirësuar funksionimin e mekanizmave të ekonomisë së tregut në vend, e duke ju’a përkeqësuar nivelin e jetesës qytetarëve të tij”…
Intervistoi Ben Andoni
Qendra shqiptare për kërkimet ekonomike ka kohë që ofron një panoramë tepër kritike për ekonominë shqiptare, bazuar në ekspertizë të niveleve të larta. Specialisti Zef Preçi, në këtë intervistë, ka bërë një panoramim të gjendjes së ekonomisë shqiptare në ditët tona, pretendimeve të qeverisë Rama për rritjen ekonomike, modelin ekonomik që po ndjek ajo, burimet ku mbështetet dhe shfrytëzimin e tyre pa asnjë kriter mirëfilli, por edhe për klimën e pafavorshme të biznesit. Javanews ka insistuar veç këtyre temave dhe arsyet sidomos të mos ardhjes së brendeve të mëdha. Përgjigja ka qenë shumë shkurajuese:
“Kompanitë e njohura botërisht ose “brand names” nuk vijnë në ekonominë tonë për shkaqet e njëjta që lidhen edhe me klimën e biznesit në vend, por kryesisht e thjesht për shkak të korrupsionit të lartë të klasës politike drejtuese, për shkak të dështimit të qeverisë në ndëshkimin e korrupsionit në radhët e saj, d.m.th. për shkak të mosrespektimit të ‘rregullave të lojës’ të ekonomisë së tregut, moszbatimit të detyrimeve kontraktore, të sistemit gjyqësor të korruptuar gjerësisht në të gjitha nivelet e tij, etj.,”.
Një nga çështjet për të cilat ai ka folur më së shumti është edhe ajo e konçesioneve që sipas tij, ai nuk mund të pajtohet “me faktin se përmes të ashtuquajturit partneritet publik-privat po anashkalohet ligji i prokurimit, po rritet kostoja e mallrave dhe shërbimeve publike dhe qeveria po ‘hipotekon’ kështu të ardhmen, gjë që nuk është e drejtë – të paktën në këndvështrimin ekonomik”.
Kjo e bën ekspertin e njohur që të mbështesë atë që po urohet sot më së shumti dhe që lidhet me përpjekjet e një pjese të elitës drejtuese të vendit dhe veçanërisht të institucioneve euro-atlantike për realizimin e Reformës në Drejtësi, “mbasi besoj se sado vonë që të fillojë të zbatohet ajo reformë, vendim-marrjet e ndryshme për koncesionet që ndëshkojnë xhepat e qytetarëve nuk mund të mos jenë edhe subjekt i gjykimit të pavarur nga politika e ditës….”
Paradoksi shqiptar
“Në këtë mënyrë, krijohen situata paradoksale si p.sh. eksportimi nga Shqipëria i tërë sasisë së naftës bruto të prodhuar në vend dhe importimi i gjithë sasisë së nënprodukteve të përpunuara që konsumon, si dhe bazimi i eksporteve shqiptare vetëm në eksportimin e lëndëve të para të papërpunuara dhe produkteve të industrisë fason – d.m.th. shfaqja për këtë shkak e tipareve të njohura të ekonomisë koloniale në një vend që pretendon të bëhet s’afërmi anëtar i Bashkimit Evropian…”.
Intervista e Plotë
Pretendohet nga qeveria shqiptare për një rritje ekonomike në vitin 2016. Ndërkohë burimet që mund të ndikojnë në rritje ekonomike po dobësohen, kurse vendit i mungon një strategji e vërtetë e zhvillimit ekonomik. A mund të na thoni se çfarë modeli ekonomik po ndjek qeveria shqiptare në vitin e fundit të mandatit të saj?
“Është një fakt i njohur se në vendet ish-komuniste ku bënte pjesë edhe vendi ynë janë zbatuar përgjithësisht të njëjtat reforma liberalizuese apo të hapjes ndaj ekonomisë së tregut, d.m.th. procesi i ndryshimeve sistematike ka kaluar pak a shumë në të njëjtat shtigje. Ndryshimin e ka bërë trashëgimia e vendeve të veçantë sidomos sa i takon shkallës së centralizimit të pronës, si dhe cilësia e qeverisjes mbas ndryshimit të sistemit d.m.th. aftësia e lidërshipit politik dhe asaj që njihet si inteligjencia profesionale e vendit për të ndërmarrë me guxim hapat e duhura që ekonominë kombëtare në një stad të ri të zhvillimit të saj ta përafrojnë gradualisht me ekonomitë e zhvilluara të Perëndimit. Në këtë proces shfaqen edhe tiparet specifike të secilës ekonomi dhe krijohet mundësia për të identifikuar vetë procesin me një model të zhvillimit apo me një tjetër…”.
Pra cili është modeli shqiptar konkretisht…
“…Në rastin e ekonomisë shqiptare, për një kompleks rrethanash dhe faktorësh është vështirë të thuhet se ka ndjekur ndonjë model të caktuar të zhvillimit, apo aq më tepër ka ofruar vetë një model të tillë. Ajo që konstatohet lehtësisht është fakti se qysh në fund të dekadës së parë të tranzicionit, sektori privat u bë dominant në një masë të konsiderueshme dhe se deri në ardhjen në pushtet të maxhorancës aktuale, ekonomia shqiptare karakterizohej nga rritje ekonomike por të pashoqëruar me zgjerimin e punësimit, ndërsa gjatë tre viteve të fundit po flitet shumë për punësimin, teksa rritja ekonomike është shumë modeste, për të mos thënë ekonomia jonë kombëtare është në një gjendje stanjacioni. Me këtë dua të them se tingëllon njëlloj naiviteti ekonomik dhe propagandë bajate të flasësh për një model të mirëfilltë të zhvillimit në një ekonomi që punon dukshëm nën kapacitet, me një borxh publik tejet mbi fuqinë ripaguese të kësaj ekonomie, në të cilën vihet re një rënie e dukshme e konsumit, në të cilën qeveria vazhdon të ndjekë politikën e mosrritjes së pagave, në të cilën investimet publike janë tkurrur ndërsa investimet e huaja të “vjetra” po ndërrojnë pronarët, ndërsa të rejat përfaqësohen me kompani joserioze, e në ndonjë rast edhe nga kompani të krijuar posaçërisht për të përfituar nga koncesionet e pasurive kombëtare apo partneritet publikë-privatë, të cilat po përdoren gjerësisht nga qeveria aktuale deri edhe në shërbime publike bazë te shteti si në shëndetësi, dogana, tatime-taksat, etj.,”.
Dhe sa i përket burimeve të rritjes ekonomike…
“Po, e tani dy fjalë edhe për burimet e rritjes ekonomike. Mendoj se është i drejtë konstatimi juaj për shterjen përgjithësisht të burimeve tradicionale të rritjes ekonomike, po aq sa ç’është e vërtetë se aktualisht ekonomia jonë kombëtare mund të karakterizohet si një ekonomi e mbijetesës, në të cilën për shkak të dilentatizmit në qeverisje, mungesës së ekspertizës, madje edhe të eksperimenteve voluntaristë, siç ishte përshkallëzimi i tatim-taksave, jo vetëm nuk shfrytëzohen në mënyrë racionale burimet në dispozicion, por edhe ringritja mbas krizës duket se do të zgjasë ende. Kështu, në ndryshim nga premtimet e bujshme të para tre viteve, pasuritë strategjike natyrore siç është nafta dhe gazi, burimet minerale (krom, bakër, hekur-nikel, etj.,) jo vetëm nuk u vunë si duhet në shërbim të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit, por janë nën një agresion të vërtetë të oligarkisë, e cila në kërkim të mundësive për të shtuar fitimet e veta po shfrytëzon jashtë çdo kriteri ekonomik dhe mjedisor jo vetëm pasuritë e pashfrytëzuara më parë, por edhe po nxit largimin edhe të një numri kompanish që kanë investuar më herët në këto burime. Siç dihet, burimet natyrore të kombinuara me pozicionin gjeografik, një sistem agro-bujqësor e blegtoral i zhvilluar, si dhe faktorët e tjerë zhvillimore i japin ekonomisë shanset për zhvillimin e saj me kosto me të ulët.
Ndërkaq, rritja e efektivitetit të përdorimit të tokës bujqësore ndeshet si me mungesën e politikave sektorale për kapërcimin e fragmentimit të saj, po ashtu edhe skemat e mbështetjes financiare ndaj fermerëve që janë influencuar nga interesat e lobeve të biznesit dhe efektet janë fare minimale. Ndërkaq, vazhdimi thjesht për interesa elektorale i procesit të legalizimeve ka pamundësuar pastrimin e një pjese të tokës bujqësore nga ndërtimet e paligjshme, por edhe ka rritur edhe faturën e buxhetit të shtetit, si për kompensimin e pronarëve të tokave të zëna në këtë mënyrë, ashtu edhe për urbanizimin e qendrave të banuara të ngritura spontanisht dhe jashtë kondicioneve të qyteteve moderne. Për rrjedhojë edhe superpopullsia e fshehtë e papunë në qytetet kryesore të vendit është rritur me tej dhe vetë qytetet janë nën një proces ruralizimi prej më shumë se dhjetë vjetësh.
Sektori i turizmit duket një burim i rëndësishëm për rritjen ekonomike në vend, por duke qenë një sektor i kushtëzuar nga zhvillimet në bujqësi e blegtori, nga kultura e shërbimit, etj., kërkon edhe disa vjet që të fitojë peshën që meriton. Për fat të keq, politika fiskale që ka ndjekur qeveria ka dobësuar avantazhet konkurruese dhe krahasuese të vendit edhe në këtë sektor dhe me sa duket vetëm kontigjentet e pushuesve nga Kosova dhe rajonet shqiptare të vendeve të rajonit do të mbetën dominuese edhe gjatë 5-6 viteve të ardhshme.
Përveç këtyre, ndër faktorët e rritjes ekonomike që meriton të analizohet është edhe arsimi si përbërësi kryesor i cilësisë së burimeve njerëzore. Është fakt se gjatë administratës së mëparshme u teprua me liçensimin e një numri të madh universitetesh dhe institucionet mbikëqyrëse paraqisnin dobësi të theksuara në përmbushjen e funksioneve të veta. Ndërkaq, sa pozitive ishte zgjerimi i arsimit të mesëm profesional dhe reduktimi i licensave për shkollimin universitar, mendoj se aq problematike mbetet lidhja e dobët e shkollimit me tregun e punës, mosadoptimi i përvojave të mira rajonale e botërore me marrëdhëniet e qeverisë me botën akademike si dhe domosdoshmëria për të hequr dorë nga eksperimentimet e panevojshme që çojnë në rrënimin e mëtejshëm të sektorit publik në favor të atij privat të arsimit.
I përmenda këtë burime ‘tradicionale’ të rritjes ekonomike për të vënë në dukje faktin se ekonomia shqiptare i ka pasur gjatë kësaj kohe dhe ka ende të gjitha faktorët e duhur për rritje e zhvillim më të shpejtë, por ato janë të pakoordinuar në kohë dhe në hapësirë me njëri-tjetrin, ndërsa mungesa e kapitalit ishte dhe mbetet ndër arsyet kryesore të shkallës së lartë të varfërisë në vend. Po kështu, mund të thuhet se qeveria aktuale është larguar nga shumë objektiva të shpallura në programin e saj politiko-qeverisës, veçanërisht sa i takon kapërcimit të gjendjes së vështirë ekonomike e sociale për një pjesë të madhe të popullsisë. Sa pozitive për seriozitetin e shtetit ishte angazhimi qeveritar për likuidimin e faturave të krijuara ndaj operatorëve privatë në punimet dhe shërbimet publike, po aq inproduktive ishte ‘marrja e borxhit të ri për të paguar borxhin e vjetër’, apo ‘politika e aksioneve’ p.sh. në mbledhjen e detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike, në ‘luftën kundër informalitetit’ etj., pa pajisur tërë abonentët e energjisë me aparatet matëse të saj apo pa garantuar kompensimin e energjisë për rreth gjysmë milionë qytetarë, të cilët janë në kushtet e nevojës për ndihmë nga shteti. Ndërsa ‘aksioni anti-informalitet’, megjithë shtimin e numrit të punëtorëve dhe të bizneseve të regjistruara (që janë fakt arritje pozitive të kësaj mase) kishte dhe ka nevojë ende të shoqërohet me politika adekuate lehtësuese pro-biznesit, në mënyrë që të rritin sigurinë e këtij komuniteti për qëndrueshmërinë e sistemit fiskal në tërësi, që respektojnë krahasueshmërinë e kostove të prodhimit me vendet e rajonit, e mbi të gjitha që zgjerojnë bazën e tatimpaguesve pa rënduar klasën e varfër e të mesme të vendit apo më keq akoma, duke favorizuar oligarkinë e mbipërfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë. Po kështu, çmoj se është e dëmshme dhe ndikon negativisht në buxhetin e shtetit, por edhe në shtresa të caktuara të biznesit edhe ndërmarrja e politikave të pastra fiskale me sens populist, siç ishte heqja e taksave mbi biznesin e vogël duke deformuar edhe raportet e këtij biznesi me të vetë-punësuarit, një gabim ky i qeverisë që duket se po tentohet të korrigjohet duke bërë një gabim të ri edhe më të madh – rritjen e paarsyeshme të tarifave të disa shërbimeve publike (që në fakt duhej të bazoheshin vetëm në koston e shërbimit) me qëllim kompensimin e të ardhurave të njësive të pushtetit vendor…”.
Dhe si e shikoni pjesën e mbetur të mandatit të parë…
“Ndërkaq vitin e mbetur të mandatit qeverisës të maxhorancës aktuale, për shkak të fillimit shumë të hershëm të fushatës zgjedhore të 2017-tës, e shoh thjesht si një vazhdim të tre viteve të para me ndryshimin se ndoshta qeveria do të detyrohet të braktisë angazhimin e saj në raport përballë FMN-së dhe Kuvendit të Shqipërisë për mosrritjen e mëtejshme të borxhit duke lejuar të kundërtën…
Po kështu, nxitimi për të përfshirë partneritetin publik- privat model alla-shqiptar në ofrimin e shërbimeve publike të një numri sipërmarrjesh privatë dhe lobistësh përreth qeverisë nuk mund të mos deformojë më tej konkurrencën në tregje, duke shtrenjtuar kështu mallrat dhe shërbimet ndaj konsumatorëve, por edhe duke e vështirësuar edhe funksionimin dhe prioritetet zhvillimore të qeverisë së ardhshme”.
Ndërkohë që biznesi shqiptar ka ankesa të ndryshme, kurse klima e përgjithshme e biznesit po vështirësohet shumë. Në pikëpamjen tuaj, pse nuk vinë realisht kompanitë me brande të njohura në vend?
“Siç e përmenda me lart, klima e biznesit lidhet me praninë e gjerë të korrupsionit në tenderimet publike, në lëshimin e liçensave, me paqartësitë funksionale dhe arbitraritetin e agjencive inspektuese, me vështirësimin e kushteve të marrjes se huave bankare dhe korrupsionin në sistemin bankar, me ndryshueshmërinë e shpeshtë të kuadrit ligjor-fiskal, me kategorizimet e pavend të taksës mbi punën dhe asaj mbi kapitalin, me mungesën e politikave nxitëse për futjen e kapitalit të huaj, për modernizimin e manifakturës dhe futjen e teknologjive bashkëkohore, me nxitjen e novacioneve dhe racionalizimeve që ulin kostot e prodhimit dhe të shërbimeve, etj.
Ndërsa kompanitë e njohura botërisht ose ‘brand names’ nuk vijnë në ekonominë tonë për shkaqet e mësipërme që lidhen me klimën e biznesit, por kryesisht e thjesht për shkak të korrupsionit të lartë të klasës politike drejtuese, për shkak të dështimit të qeverisë në ndëshkimin e korrupsionit në radhët e saj, d.m.th. për shkak të mosrespektimit të ‘rregullave të lojës’ të ekonomisë së tregut, moszbatimit të detyrimeve kontraktore, të sistemit gjyqësor të korruptuar gjerësisht në të gjitha nivelet e tij, etj.
Nuk duhet injoruar as fakti se duke qenë një ekonomi e vogël, me rritje të ngadalshme dhe gjerësisht të kontrolluar nga oligarkët, kompanitë e mëdha e serioze nuk rrezikojnë emrin dhe reputacionin e krijuar në dekada përmes përfshirjes së detyruar në partneritete biznesi të sforcuara, e në ndonjë rast edhe me njerëz të Malavitës…
Nuk duhet nënvleftësuar edhe ndikimi negativ i tensioneve të panevojshme dhe shpesh herë tërësisht artificiale në Kuvendin e Shqipërisë në imazhin e një vendi normal në të cilin politika duhet të jetë ‘biznes’ i politikanëve, ndërsa rregullat e biznesit duhet të mbrohen dhe të garantohen nga sistemi i drejtësisë, Kushtetuta dhe ligjet e vendit…”.
Keni qenë shumë kritik me koncensionet e dhëna nga qeveria Rama. Si ka qenë performanca e tyre dhe çfarë realisht kërcënojnë ato për ekonominë e vendit?
“Çështja e qëndrimit ndaj koncesioneve nuk është çështje personale dhe mendoj se është një perceptim i krijuar nga mediumet e ndryshme. Unë as kam qenë dhe as jam kundër koncesioneve si formë e zhvillimit të ekonomisë së vendit përmes futjes në qarkullim ekonomik të pasurive të ndryshme kombëtare. Por si ekonomist, qytetar, votues e taksapagues i këtij vendi nuk mund të pajtohem me vendim-marrje të nxituara në pikëpamje procedurale, në kushtet e mungesës se transparencës që dikton ligji, me kushtet e shkeljes se konkurrueshmërisë, në kushtet e ofrimit të kompanive pa asnjë përvojë apo pa kapacitetet e nevojshme njerëzore dhe financiare, në kushtet e mungesës së plotë apo të paraqitjes fiktive të planeve të biznesit (që përkthehet në cenim të interesave publike thjesht për përfitime korruptive), etj. Në këtë mënyrë, krijohen situata paradoksale si p.sh. eksportimi nga Shqipëria i tërë sasisë së naftës bruto të prodhuar në vend dhe importimi i gjithë sasisë së nënprodukteve të përpunuara që konsumon, si dhe bazimi i eksporteve shqiptare vetëm në eksportimin e lëndëve të para të papërpunuara dhe produkteve të industrisë fason – d.m.th. shfaqja për këtë shkak e tipareve të njohura të ekonomisë koloniale në një vend që pretendon të bëhet s’afërmi anëtar i Bashkimit Evropian…”.
Duket pak e rëndë…
“Më keq akoma, mendoj se është e papranueshme për cilindo shqiptar që në ndërmarrjen e vendimeve për koncesione prej qindra miliona Eurosh për 20 apo 30 vitet që vijnë, elita politike drejtuese e vendit të fshihet mbas vendimeve kolegjiale të qeverisë apo të Kuvendit ‘në emër të sovranit’, por duke vështirësuar funksionimin e mekanizmave të ekonomisë së tregut në vend, e duke ju përkeqësuar nivelin e jetesës qytetarëve të tij. Aq më pak, nuk mund të pajtohem me faktin se përmes të ashtuquajturit partneritet publik-privat po anashkalohet ligji i prokurimit, po rritet kostoja e mallrave dhe shërbimeve publike dhe qeveria po ‘hipotekon’ kështu të ardhmen, gjë që nuk është e drejtë – të paktën në këndvështrimin ekonomik.
Në këtë këndvështrim, kam parë me besim dhe kam mbështetur publikisht përpjekjet e një pjese të elitës drejtuese të vendit dhe veçanërisht të institucioneve euro-atlantike për realizimin e Reformës në Drejtësi, mbasi besoj se sado vonë që të fillojë të zbatohet ajo reformë, vendim-marrjet e ndryshme për koncesionet që ndëshkojnë xhepat e qytetarëve nuk mund të mos jenë edhe subjekt i gjykimit të pavarur nga politika e ditës…”.
—–