U zhvillua ceremonia zyrtare e Shqipërisë me përfaqësitë e 193 vendeve anëtare të OKB. Në pritjen zyrtare ka përfaqësues nga senati, kongresi amerikan për mandatin 2- vjeçar si anëtar jo i përhershëm Këshillin e Sigurimit.
Në këtë takim, u cekën tema si marrëdhënia me SHBA-të, bashkpunimi me OKB si dhe rëndësia e të qënit pjesë e Këshillit të Sigurimit. U diskutua gjithashtu për pikat kyçe, lufta kundër dhunës ekstreme, ndryshimet klimatike etj.
Në fjalën e mbajtur nga Kryeministri Rama, Ministrja e Jashtme, Xhaçka dhe Presidenti i Këshillit të Sigurimit, iu dha vëmëndje ndryshimeve të Shqipërisë gjatë partneritetit me SHBA-të si dhe sfidat që priten të zgjidhen në mënyrën më të drejtë të mundshme. Rama e ka cilësuar pjesëmarrjen në Këshillin e Sigurimit si ngjarje historike.
“Pjesëmarrja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë, ngjarje historike, që na jep mundësin të kontribuojmë për një vend dhe botë më të mirë. Për ne të drejtat e njeriut mbeten princip. KS flet në emër të vlerave. Sfida jonë është të bëjmë gjithçka në mënyrë të drejtë. Shqipëria ka mirëpritur Kosovar dhe Afganët, ne mirëpresim çdokënd, nuk ka rëndësi se kush je dhe nga vjen. Kemi mësuar në kohë të vështira se dialogu është paqja. E ardhmja në këtë botë është të jetojmë pa kushte. Faleminderit që tregoni dashuri në ditën e Shqipërisë”, ka thënë Rama.
Shqipëria nga 1 janari 2022 u ul si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Më 11 qershor 2021 Shqipëria u zgjodh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023 duke shënuar një ditë historike.
Më 11 qershor 2021 Shqipëria u zgjodh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023 duke shënuar një ditë historike. Shqipëria ishte vendi i vetëm nga ata që ishin në garë që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Shqipëria bën pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që nga dhjetori i vitit 1955, me përfaqësues në Asamblenë e Përgjithshme. Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 66 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë.
Shqipëria u paraqit si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore. Veprimtaria e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara ka prioritet paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:
Nuk e di sa prej jush në këtë sallë apo jashtë saj do të binin ose jo dakord me mua që kudo ku te drejtat e njeriut zbatohen, kudo ku gratë respektohen dhe fuqizohen, kudo ku nevojat e qytetarëve vendosen të parat, aty ka zhvillim të qëndrueshëm dhe përparim të mirëfilltë, po për ne, të drejtat e njeriut janë në themel të çështjeve kyçe të paqes dhe sigurisë. Njohja e universalizmit të të drejtave kërkon një drejtpeshim të mençur midis parimeve kundërshtuese: sovranitetit të kombeve, që duhet ta respektojmë dhe së drejtës njerëzore për t’u mbrojtur, së cilës duhet t’i qëndrojmë.
Këshilli i Sigurimit është krijuar për te ngritur zërin e për të ndërhyrë në shërbim të këtyre vlerave, kur ndodhin shkelje flagrante. Për ne, sfida është sesi Këshilli mund të ndërhyjë në një mënyrë inteligjente, reflektuese dhe në kohë, për të parandaluar masakrat, për të ndalur konfliktet dhe për të garantuar paqe e siguri të qëndrueshme.
Askush nuk dyshon në fuqinë e Këshillit të Sigurimit. Sfida jonë është ta bëjmë të drejtë atë çka është e fortë dhe ta bëjmë të fortë atë që është e drejtë.
Për një organizëm kaq të fuqishëm sa Këshilli, të mos jetë i drejtë nuk mund të jetë alternativë, ndaj duhet të bashkohemi me drejtësinë, pasi nuk do të ketë paqe pa drejtësi.
Siguria nuk mund të vendoset e jo më të zgjatë, pa u vendosur drejtësia. Kështu, mendimi ynë është se Këshilli i Sigurimit duhet të kërkojë arritjen e paqes dhe sigurisë, por edhe vendosjen e drejtësisë, llogaridhënies. Përmes llogaridhënies do të mund të shkojmë drejt pajtimit, që çimenton paqen e qëndrueshme.
Kjo është edhe detyra për një vend te vogël si i imi. Ne nuk i sjellim fuqi materiale Këshillit të Sigurimit -së paku, jo tani – por nuk është fuqia ajo çka i mungon Këshillit të Sigurimit. As nuk është vetëm fuqia ajo që i duhet Këshillit për të zgjidhur sfidat më të ngutshme sot ndaj paqes dhe sigurisë në botë.
Ne jemi angazhuar të sjellim zërin, vlerat dhe normat tona në punën e përbashkët të Këshillit të Sigurimit, si kontribut për paqen. Ne dëshirojmë të ndajmë me të tjerët përvojat e jetuara, mësimet e marra.
Mënyra jonë e drejtpërdrejtë për të kontribuar në lehtësimin e vuajtjes së atyre në nevojë ka qenë të japim atë çka kemi, kur kemi mundur, kur është dashur ta bëjmë: u kemi hapur shtëpitë dhe zemrat atyre që kanë nevojë për shpëtim dhe strehë; qofshin ata hebrenjtë gjatë Holokaustit, kur Shqipëria u bë i vetmi vend që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa përpara saj apo për gjysmë milionë kosovarë, që iknin nga spastrimi etnik i regjimit mizor të Sllobodan Milosheviçit; apo mijëra pjesëtarë të MEK-ut, që janë strehuar të sigurt në Shqipëri dhe, me së fundi, mijëra afganë që u arratisën nga reprezaljet e talebanëve.
Ne nuk kërkojmë merita për këtë. Ajo i takojnë dinjitetit çdo qenieje njerëzore, pavarësisht besimeve, fesë, etnisë, gjinisë apo cilitdo orientimi. Ky nuk është slogan – është praktikë e jetuar. Ne nuk veprojmë sipas këtij kodi nderi sepse mundemi, por thjesht sepse duhet – është pjesë e ndjesisë së asaj që jemi si shqiptarë dhe atë që duam të jenë fëmijët tanë.
Të dashur miq, Në shtegtimin e gjatë derisa gjetëm rrugën tonë i kemi parë të gjitha: luftën, pushtimin, diktaturën, izolimin e vetimponuar, varfërinë e skajshme. E vetmja gjë që nuk kemi përjetuar – dhe ka një arsye thelbësore për këtë – është konflikti fetar. Arsyeja është se e kemi mësuar nga përvoja të vëmë të përbashkëtën në vend të parë dhe individualen me pas. Ne ia kemi dalë të besojmë në dialogun e sinqertë ose, për ta thënë më mirë, në “shkrirjen e horizonteve”.
Dialogu, për ne, është një mënyrë për të arritur mirëkuptimin e ndërsjellë, respektin dhe pranimin reciprok, pa të cilat paqja do të mbetej një mirazh, një aspirate e pakapshme. Ne do të mund të luftojmë shkaqet rrënjësore te konfliktit të dhunshëm duke pranuar tjetrin te vetja dhe veten te të tjerët. Në fund të fundit, ne jemi të gjithë një bashkësi e fatit.
E ardhmja jonë në këtë vend të vetëm e unik që quhet tokë është e lidhur tekefundit me aftësinë tonë për të kuptuar e për të mësuar të jetojmë me dallimet tona, me aspiratat e përbashkëta, në paqe dhe dinjitet.
Kjo është detyra që marrim përsipër – ta ruajmë atë horizont të shndritshëm në themelin e punës së Këshillit të Sigurimit.
Ju falemnderit që gjendeni këtu me ne sonte, në këtë takim kaq të veçantë dhe ju falemnderit që i dhatë pak nga dashuria e kësaj ditë sot Shqipërisë.
Ju falemnderit
/b.h