Nga Mero Baze
Përpjekja e shumë opozitarëve për ta përshtatur situatën në Venezuelë me situatën e opozitës në Shqipëri ka ngjallur një sërë reagimesh me humor, jo vetëm se krahasimet çalojnë, por mbi të gjitha se reagimet e opozitës nuk synojnë aq shumë “servilizmin” ndaj Trumpit, siç duan të duken, por servilizmin ndaj Berishës.
Përveç faktit që Berisha e ka quajtur qeverisjen Rama si qeverisje Ramaduro, as qeveria shqiptare dhe as opozita shqiptare nuk ngjajnë me ato të Venezuelës. Shqipëria është një shtet i strukturuar në formatin e një kandidati anëtar për Bashkimin Evropian, anëtar i NATO-s, një vend që është nën sferën e ndikimit amerikan në Ballkan bashkë me Kosovën, me një drejtësi që është në revansh ndaj politikës dhe krimit të organizuar dhe me një performancë të lartë ekonomike, nga më të mirat në rajon sa i përket rritjes ekonomike dhe stabilitetit financiar.
Përtej dashurisë që kanë adhuruesit e Berishës për çdo pështymë që ai nxjerr nga goja, Shqipëria nuk është narkoshtet, madje s’ka asnjë shenjë të sundimit të bandave në shtet. Falë SPAK, thuajse gjithë ato që quhen banda shqiptare janë sot para drejtësisë dhe dekriptimi i mesazheve të tyre tregon më së miri që ne dhe banditët i kemi budallenj, për fat të mirë. Nëse sheh historinë e tyre, e kupton që ke të bësh me banditë lokalë, primitivë, hakmarrës dhe tërësisht të pakonsoliduar në rrjete narkotrafiku nga ato që marrin jetë politikanësh dhe gazetarësh në vende si Meksika, Kolumbia, Ekuadori, etj., të cilat po ashtu nuk mund të quhen narkoshtete, por shtete nën trysninë e narkotrafikut.
Në këtë kontekst, gjithë kjo tymnajë qesharake e opozitës, që po shkakton humor në rrjet dhe po bëhet meme, ka të bëjë me faktin se shumë aktorë të opozitës, meqë u shfaq në skenë Maduro, u kujtuan se Berisha e ka quajtur Rama “Duro” dhe e panë këtë si rast të mirë t’i servilzohen Berishës si një lloj “gjeniu” që më në fund e zgjidhi punën se si do të fitojë opozita: “Do vijë Trumpi ta marrë Edi Ramën me helikopter dhe të sjellë Berishën në pushtet”.
Nga ana tjetër, kjo situatë e bëri edhe më komike opozitën, e cila vetëm disa muaj më parë kishte pasur një kurs tjetër politik, bazuar te sovranizmi dhe mosndërhyrja e SHBA në punët e brendshme të çdo shteti, sidomos të Shqipërisë. Socialistët së paku kanë qenë të hapur në këtë pikë që qeveria të qeveriset nga ambasadori i SHBA dhe BE, dhe madje për këtë janë linçuar, kurse opozitarët kishin pasur objekt lufte ndikimin amerikan dhe evropian në Shqipëri.
Ata shpallën linjën e tyre sovraniste si linjën që do t’i çonte në fitore. Nuk e di si befas e braktisën sovranizmin dhe u kthyen në ëndërrues të zbarkimit të aleatëve, si dikur politikanët e rrëzuar nga pushteti prej komunizmit, që mbanin veshin në radio kur do të zbarkonte aeroplani anglo-amerikan. Ata së paku kishin të drejtë dhe kishin një pritje realiste, pasi bënë bashkë një plan zbarkimi në Shqipëri, por “Trumpi” i atëhershëm nuk qëlloi kaq i aftë sa ky dhe dështoi, pasi u sabotua nga brenda.
Këta tanët tani hoqën dorë nga sovranizmi, kundrejt zbarkimit me helikopter, pa rregulluar një herë punët brenda shtëpisë së tyre, pasi helikopterët ulen si rregull për të zbuar “non gratat”.
Por ajo që është kryesorja: jo vetëm që qeveria shqiptare nuk ngjan me atë venezueliane, por mbi të gjitha opozita shqiptare nuk ngjan me atë të Venezuelës.
Opozita e Venezuelës ka bërë një betejë historike për demokraci, si përballë Chavezit, ashtu dhe përballë Maduros. Përballë Chavezit, opozita konsolidoi frontin opozitar, edhe pse humbi në tre raste, por përballë Maduros ajo organizoi beteja të mëdha, të cilat dhe i fitoi, por nuk mundi ta marrë pushtetin.
Lëvizja “La Salida” e 2014, e udhëhequr nga Leopoldo López dhe María Corina Machado, kërkoi rrëzimin e qeverisë dhe López u burgos.
Miliona venezuelas dolën në rrugë më 2017, pas krijimit të Asamblesë Kushtetuese nga regjimi i Maduros, i cili shmangu shumicën parlamentare; forcat e sigurisë vranë qindra protestues dhe mijëra u arrestuan.
Në 2019, opozita e shpalli Guaidón president të përkohshëm, i cili u njoh nga SHBA, BE dhe shumica e Amerikës Latine, por nuk arriti të marrë kontrollin real të shtetit.
María Corina Machado, një veprimtare politike e paposhtur, mori sivjet Çmimin Nobel për Paqe dhe arriti të arratisej nga Venezuela, përmes një aventure të frikshme, për të tërhequr çmimin.
Opozita e Venezuelës është shembulli më i ndritur se si një popull nuk dorëzohet përballë një regjimi, kurse opozita e Shqipërisë është shembulli më i shkëlqyer se si një politikan nuk dorëzohet përballë humbjeve, por mban peng opozitarizmin.
Opozita në Venezuelë ka nxjerrë për 12 vitet e Maduros së paku 4 udhëheqës të shquar opozitarë, ndërsa opozita shqiptare ka përjashtuar katër opozitarë, për të ruajtur statujën e vdekur të Sali Berishës, non grata prej SHBA.
Opozita e Venezuelës është pro-perëndimore, demokratike, pro-amerikane. Opozita e Shqipërisë e ka ndërtuar gjithë fabulën e saj – deri para disa muajsh – mbi sovranizmin ndaj BE dhe SHBA, për shkak të historisë së Berishës me Perëndimin, jo si vijë ideologjike.
Dhe për ta mbyllur debatin me këtë hare qesharake të opozitës që ëndërron helikopterët e Trumpit mbi Tiranë, duhet të themi se opozita nuk ka asnjë plan se si të vijë në pushtet, por kërkon t’ia sjellin atë. Domethënë: këta kaluan nga një opozitë sovraniste, që do të zbonte fuqitë e huaja perëndimore nga Shqipëria, në një opozitë që pret t’i bëhet pushteti nga qielli para kryeministrisë, ku ruan Adriatiku.
Dhe janë aq të bindur se kjo do të ndodhë, sa tani po zihen për emrin e kryeministrit të qeverisë teknike, në vend që të bënin debat për emrin e kandidatit për kryeministër, që duhet të udhëheqë opozitën drejt fitores. Por atë kanë frikë ta diskutojnë, se është Sali Berisha: non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, nën hetim për korrupsion dhe vrasje politike dhe kandidat për kryeministër të Shqipërisë.
Ky është i vetmi moment kur opozita jonë prodhon humor më shumë se gjithë humoristët e Vitit të Ri marrë së bashku.











