Nga Ilir Çumani
Në vitin 1999, deputeti Teodor Keko bëri një deklaratë të fortë dhe tepër kurajoze në Kuvendin e Shqipërisë, të cilën u’a drejtonte sinqerish, ballë për ballë kolegëve të tij deputetë. Ai e lexoi atë deklaratë në foltoren e Parlamentit, duke i parë të gjithë kolegët në sy, që ne thelb, mesazhi që përcillte ishte esenca e asaj që kërkohet sot me aq ngulm nga të gjithë aktorët dhe faktorët politikë e diplomatikë, vendas dhe të huaj dhe që lidhet ngushtësisht me çështje të reformës në drejtësi.
Ai deklaroi se:
“Korrupsioni nuk luftohet nga të korruptuarit. Tetë vjet më parë, kur hyra në Parlament si deputet i PD-së, unë kisha një dhomë e një kuzhinë në katin e nëntë të një pallati. Ligji i aprovuar ato kohë ia ndalonte deputetit të merrej me biznes ose me dypunësi, qoftë dhe indirekt. Unë e respektova këtë ligj dhe mbeta në mënyrë të natyrshme në këtë apartament, megjithëse fëmijët u rritën. Mbeta në këtë apartament jo se desha të qëndroja në atë ngushtësirë, por se nuk kisha dhe nuk kam mundësi financiare të blej një apartament të ri.
E nisa nga analiza e vetvetes, për t’iu treguar se edhe unë habitem sesi shumë ish-kolegë të mi, dikur shumë më rrjepacakë ekonomikisht, nga unë, dhe ndryshe nga unë, pa asnjë të ardhur shtesë nga honoraret etj, sot banojnë në vila, apo apartamente superluksoze. Një prokurori serioze duhet të ndalojë, para një peizazhi të tillë dhe të bëjë pyetjen e thjeshtë pa asnjë tendencë: Mund të më thoni se ku i gjetët lekët? Është vërtet kriminale të detyrosh një popull të shkojë të votojë për ca hajdutër pa asnjë princip!”
Fjalët e deputetit të ndjerë, sot më shumë se kurrë tingëllojnë tepër aktuale dhe të parin që duhet të lënë pa gjumë sot, është kryeministri Rama, pastaj të gjithëve ne, çdo qytetar të republikës, të madh e të vogël, çdo fëmijë, të ri edhe plak, të mundur dhe të pamundur, cilido që kërkon të ketë drejtësi në këtë vend.
Nuk mund të ketë Reformë reale në sistemin e drejtësisë, nëse ligji i “vettingut” nuk fillon ti shtrij efektet e tij së pari me deputetët, ministrat, zyrtarët e lartë që janë të inkriminuar, nga të gjitha nivelet, ekzekutive dhe administrative, ata që me paratë e krimit dhe të korrupsionit administrativ kanë zhbërë shtetin dhe kanë blerë, rekrutuar dhe kompromentuar prej 27 vjetësh elementë të korruptuar e kriminal që veprojnë në një sistem të kalbur të drejtësisë, duke imponuar modelin dy standard të ligjit: ndëshkues për të dobëtit dhe të pambrojturit, mosndëshkues për të fortët e pushtetshëm dhe të korruptuar që “notojnë” në “detin” e parave të pista të korrupsionit. Zoti Kryeministër! Nëse nuk ndërroni taktikë me këtë reformë që keni ndërmarë, për të cilën prej 2 vjetësh po bëni kaq shumë zhurmë, atëherë të gjithë shqiptarët kanë të drejtë të mendojnë se ju thjeshtë keni bërë dhe vazhdoni të bëni shaka, dhe se asgjë nuk e keni marrë seriozisht, ngase prodhoni retorikë të panevojshme vetëm për populizëm dhe se “vettingu” nuk është dhe nuk ka si të jetë një prioritet real i politikës dhe i qeverisjes tuaj. Ju kujtoj se, ditët e fundit, një deputet i parlamentit shqiptar masakroi një këmbësor të pafajshëm në një aksident të rëndë rrugor automobilistik, duke e lënë të vdekur në vend. Sikur e gjitha kjo të mos mjaftonte, ai largohet nga vendgjarja pa i dhënë ndihmën të aksidentuarit, për t’iu dorëzuar policisë dhe për të denoncuar ngjarjen si autor i këtij aksidenti. Këtë e thonë zërat e dëshmitarëve okularë të ndodhur aty, në vendngjarje. Ata rrëfejnë një tjetër version të gjithë ndodhisë së aksidentit. Thonë se deputeti, drejtues i mjetit që shkaktoi i vdekjen e menjëhershme qytetarit, ishte me shpejtësi, tej normës së lejuar dhe mbase edhe nën efektin e alkoolit, pretendim i cili nuk është konstatuar nga policia dhe hetimi paraprak. Nuk kam asnjë të drejtë të gjykoj rastin në fjalë për të vënë gishtin se kush është fajtori, viktima apo viktimizuesi. Sikurse, nuk dëshiroj asesi të hyj në çështje teknike dhe kompetencat që u takojnë vetëm atoriteteve zyrtare të hetimit në lidhje me këtë ngjarje. Por, mua si qytetar i lirë i një vendi demokratik më shqetëson një tjetër fakt. Zbatimi dy standard dhe preferencial i ligjit, marëdhënia e ligjit në raport me individët dhe statusin që ata kanë në shoqërinë tonë. Prokurori i çështjes e ka lënë deputetin të hetohet në gjëndje të lirë. Në Shqipëri, siç e dimë të gjithë, kjo nuk do të ndodhte në një rast tjetër, nëse autori i aksidentit do të ishte një qytetar i zakonshëm. Duke patur parasysh një thënie të mençuar të indianëve që thonë se, “ligji dhe gjarpëri kafshojnë vetëm këmbëzbathurin”, kjo urti popullore e tyre me kujton gjithmonë faktin se, në vendin tonë, kështu ka ndodhur dhe ndodh në gjithë këto vite të mungesës së funksionimit të ligjit. Ç’farë është ky qëndrim me dy standarde i autoriteteve tona zyrtare të ligjitzbatues…!? Kjo është drejtësia përballë ligjit!? Nëse kjo ngjarje do të ndodhte në një vend të Bashkimit Evropian, ky deputet sot, apo kushdo qoftë, së paku do të ishte i ndaluar në paraburgim, deri në momentin sa të përfundonte hetimi dhe të sqaroheshin rrethanat e ngjarjes. Ky është rregulli më elementar i një procedure fillestare hetimi, një standard që ndiqet në çdo vend të botës së lirë e demokratike, ku përball ligjit, çdokush duhet të jetë i barabartë. Kushdo qoftë ai qytetar, i pushtetshëm apo jo, i pasur apo i s’kamur, me ngjyrë ose pa ngjyrë, i përgjegjshëm apo i papërgjegjshëm, i dehur apo esëll. Këto janë parimet bazë të qënësishme në demokraci, në një vend ku funksionon vetëm ligji dhe vepron shteti i së drejtës. Ndaj reagoni ju i pari z. Kryeministër. Ndryshe, si shumë të tjerë, do të më bëni të besoj (dhe kam të gjithë të drejtën e Zotit) të mendoj se, në këtë vend gjithmonë ka funksionuar dhe funksionon edhe LIGJI – (kërbaçi) për fakirët e pambrojtur që shteti i shkel me këmbë pa mëshirë, por funksionojnë edhe MALIQËT, që shteti i mbron dhe i merr me të mirë, i miklon edhe në raste kur ata bëhen një rrezik potencial për standartet e demokracisë, për funksionimin real të ligjit, stabilitetin politik dhe shoqëror, ashtu edhe për paqen sociale e mbarëvajtjen e vendit. Aq më keq kur këta Maliq janë deputetë apo ministra…!