Vitin e shkuar, kaluam sezonin më të mirë turistik veror, duke parë të hyjnë në vendin tonë shumë turistë të huaj, kryesisht nga vendet nordike, Suedi, Gjermani, Poloni, Francë e duke zbritur poshtë në fqinjët tanë ballkanas. Për këtë sukses u fol dhe shkruan edhe gazeta prestigjioze në botë. Vendin më të vizitueshëm e zuri Saranda në turizmin detar dhe Valbona në atë natyror.
Pati një koncept dhe angazhim të veçantë për turizmin e sivjetshëm edhe nga qeveria shqiptare. E veçanta ishte se plazhet u kontrolluan më mirë, u prezantuan në faqet zyrtare të ministrisë perkatese, u përgatitën specialistët përkatës për t’iu afruar standardeve evropiane, u ndërtuan rrugë të reja drejt zonave turistike dhe në disa prej tyre u vendosën edhe rojet bregdetare. Po ashtu, u rrit kontrolli dhe niveli i shërbimit si dhe u prezantuan disa vende të reja pushimi.
Tashmë jemi në dimër dhe vendi ynë është shumë i përshtatshëm edhe për turizmin dimëror ose “Turizmin e Bardhë” sikundër quhet. Turizmi i bardhë zhvillohet në male dhe Shqipëria është shumë e pasur me to.
Turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve. Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror. Dimri është një mundësi po aq bindëse për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore, peisazheve dhe natyrës së bukur. Në natyrën tonë ka disa vende që preferohen për pushimet dimërore. Destinacionet më perfekte për të provuar një aventurë të tillë, çmimet dhe alternativat që ato ofrojnë, mundësitë infrastrukturore që deri diku janë të përballueshme në mënyrë normale janë:
Voskopoja, e cila ndodhet shumë afër qytetit të Korçës, mbi një pllajë 1160 m mbi nivelin e detit. Karakteristikë e vendit është ajri i pastër dhe uji i freskët dhe kurativ. Gjatë dimrit mund të praktikohet sporti i skive. Natyra e qetë dhe e bardhë është arsyeja kryesore që tërheq qindra shqiptarë për të kaluar pushimet dimërore. Për disa vite rresht rajoni juglindor vazhdon të mbetet preferenca e shumë prej familjeve shqiptare të cilat zgjedhin të ftohtin dhe aventurat në borë për të kaluar festa ndryshe nga ato të zakonshmet, deri tek ato tradicionalet. Në Voskopojë ka disa hotele të cilësisë së lartë. Në skajin juglindor ka aventura nga më të ndryshme, duke filluar nga skitë dhe deri te shëtitjet në malet e mbuluara krejtësisht nga dëbora. Kuzhina tradicionale e me ushqime bio është një tjetër arsye që i nxit turistët të marrin sërish rrugën drejt Voskopojës. Gjatë dimrit në lokale gatimet më të preferuara mbeten ato tradicionalet si, mishi i pjekur, lakrori dhe turshitë. Pyjet, vendi i duhur edhe për të apasionuarit pas gjuetisë, janë një ndër arsyet që tërheqin turistët vendas dhe të huaj.
Razma, është një tjetër destinacion shumë i preferuar. Fshati i Razmës, rreth 40 km në veri të Shkodrës, është vendi ideal për të praktikuar alpinizmin dhe skitë. Fshati të ofron mundësi akomodimi në hotele dhe bujtina. Ka një klimë tipike malore, ajër shumë të pastër e me vlera kurative. Kullotat alpine, pyjet e ahut dhe të pishave janë karakteristike për zonën. Zona e Razmës ofron mundësi për zhvillimin e disa llojeve të turizmit, më i frekuentuar është ai i skive në morenat akullnajore, sidomos në fushën e Zezë e në fushën sportive të kampit të Razmës.
Lugina e Valbonës, pranë qytetit të Bajram Currit, është një destinacion shumë i vizituar. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe e të papritura dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve Shqiptare. Të bësh një udhëtim në dimër në luginën e Valbonës, është një mrekulli shpirtërore përsa u përket emocioneve që të ofrojnë peisazhet e saja. Në mbrëmjet e bujtinës, mitet e zonës do t’i kesh këmbëkryq pranë të zotit të shtëpisë. Ato janë të bukura dhe mbresëlënëse.
Vlerat shkencore, turistike dhe kurative janë të kombinuara me një bio-diversitet të rëndësisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Të pasionuarit pas turizmit malor mund të bëjnë një udhëtim të mrekullueshëm në këtë sezon në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës qe të magjeps me pasurinë natyrore. Tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt, por edhe nga mjaft shqiptarë, të etur për aventurë dhe që duan të eksplorojnë bukurinë malore.
Parku Kombëtar i Thethi gjendet në Alpet Shqiptare, pranë Bjeshkëve të Namuna, 70 km nga Shkodra. Një monument natyror vërtetë interesant është ujëvara e Grunasit. Ujërat e saj zbresin nga një lartësi prej 30 metër, në zemrën e Alpeve Shqiptare. Thethi ka pamjen e një pellgu 800 metra mbi nivelin e detit. Ai është i vendosur midis një kurore majash të thepisura, si, Radohima, Maja e Arapit, Maja e Alisë, që spikatin për bukuritë e rralla në të gjithe Alpet. Thethi shquhet për kontrastet e relievit, ujëvarave, bimësisë së dendur, livadheve e sidomos ngjyrave. Mjaft tërheqëse janë burimet e ujërave të Okolit. Këtu gjendet edhe “kulla e ngujimit”, element ky epik i jetesës shqiptare ku gjatë periudhës së gjakmarrjes strehohej gjakësi. Sot objekt i trashëgimisë kulturore shumë i vizituar nga turistët. Në Theth janë 10 banesa të përshtatura për turizëm, me dhoma me kushte normale, ku 6 janë tip hanesh, ndërsa katër janë banesa të zakonshme, tipike për zonën dhe janë përshtatur për turizëm. Kuzhina tradicionale e Thethit përbëhet nga “ferliku” (mish i pjekur), gatimi i troftës së përroit të Thethit, si dhe nënproduktet e qumështit (djathrat e ndryshëm, gjiza, kosi i freskët, etj). Në Theth mund të organizohen aktivitete të shumta në natyrë, si: ngjitjet malore, speleologjia, kajaket në përroin e Thethit, peshkimi sportiv malor, sportet dimërore në shpatet natyrore me borë, biçikleta malore, ski etj. Është vërtet një natyrë e bukur malore me mite e bukuri të rralla, por infrastruktura rrugore deri në Theth është tepër e amortizuar. Pushteti qëndror dhe ai lokal duhet të bëjnë më shumë për këtë perlë të natyrës shqiptare,për ta afruar te vizitori.
Dajti është një tjetër destinacion për turizmin e bardhë. Është shumë pranë Tiranës dhe mjaft i vizitueshëm në stinën e dimrit. Ka një alternativë komode për të mbërritur në Dajt, ajo me teleferik. Alternativa rrugore që është dhe më e bukura, ku udhëtimi alternohet edhe me pamjet e bukura që të afron natyra, mbetet e vështirë për shkak të rrugës tepër të amortizuar.
Boga ndodhet mes maleve të Rugovës. Fshati i Bogës është një prej vendeve më të bukura në Kosovë për të shijuar borën. Boga të jep një ndjenjë më miqësore dhe pothuajse të gjitha objektet e kësaj qendre janë të vendosura në një vend të përbashkët. Ajo gjithashtu ofron një shtrirje afër teleferikëve, të cilët gjenden afër shtëpive të bukura prej druri, për të kaluar një fundjavë të këndshme. Në fshat ndodhet një pistë skish me parametra bashkëkohorë, ku mund të argëtohen edhe fillestarët në këtë lloj sporti. Këtu është bërë një punë e mirë për thithjen e turizmit dimëror nëpërmjet rrugëve të komunikimit dhe akomodimit.
Dardha, është një fshat i thellë në zonën e Korçës, që në një ditë normale nuk ka më shumë se 40 banorë, por në ditë festash dhe pushimesh sezonale fshati mbushet nga vizitorët. Dardha është një fshat malor midis maleve e pyjeve, një bukuri e rrallë natyrore, në një lartësi 1 344 m. Dardha ofron një klimë shumë të shëndetshme e ajër të pastër. Sportet dimërore, sidomos skitë, tërheqin turistë të apasionuar pas tyre. Ka një pistë skish që ka mbetur akoma faza amatore dhe nuk është investuar për ta bërë atraktive për turistin e apasionuar pas skive. Edhe rruga drejt këtij fshati lë për të dëshiruar. Emri Dardhë vjen nga një legjendë, sipas të cilës, thuhet se të ikurit nga djegia e parë e Voskopojës, qëndronin në një fushë rreth një peme dardhë dhe e quanin si fusha poshtë dardhës. Kohët e fundit hotelet të cilat ofrojnë shërbime turistike janë shtuar dhe çmimet kanë qenë të arsyeshme
Tomorri është mali më i veçantë në Shqipëri dhe më enigmatiku. Është quajtur froni i perëndive për lartësinë,egërsinë, bukurinë dhe enigmën e tij. Aty mbretëronte Dodona Pellazgjike ose Dodona “Dimër Keqe”. Ka zona të mbuluara me borë të përjetshme si dhe shumë burime ujore disa edhe të çuditshëm si ai i kuçedrës. Gojëdhëna thotë se atë e komandon një kuçedër që e lëshon dhe e pret ujin kur do ajo. Dhe vërtet uji në këtë burim rrjedh me ndërprerje. Mund të jesh duke pirë ujë në të dhe befas ai ndërpritet. Gjeologët e shpjegojnë si një fenomen gjeologjik që ndodh në shtresat tektonike të nëntomorrit, por ka dhe një gojëdhënë që flet se ai mal qëndron sipër diçkaje, pra poshtë tij fshihet diçka. Në stinën e dimrit zbardhet i gjithi dhe vizitorët nuk i mungojnë. Turisti duke udhëtuar drejt tij, mund të shfrytëzojë kanionet e lumit Osum, shpellat e rrjedhës së tij, mund të njihet me monumente kulture të vjetra si ura, kisha e teqe, por mund të ushtrojë dhe sportin e skive apo të gjahut dimëror.
Brezovica është një fshat piktoresk malor që ndodhet në shpatet e famshme të Brezovicës, një vendpushim dhe pistë skish në 2,500 metra mbi nivelin e detit . Fshati turistik është i pozicionuar dhe i ekspozuar ndaj një peisazhi shumë të vecantë. Malet mbreslënëse të Sharrit dhe lumi i cili rrethon të gjithë hapësirën. Brezovica ofron një pistë skish të mirë për një sport profesionist. Pa dyshim se do të bëhet një destinacion madhor në një të ardhme, por edhe sot paraqet një vend të shkëlqyer për të pasur aventura , që janë të lira dhe zbavitëse. Pushuesit do të gjejnë dhjetë teleferikë, që janë të lidhur me 16 kilometra pistë me një gjatësi mesatare prej 3,000 metra. Pistat janë të gjëra dhe të ndryshme në strukturë dhe mund të zbaviteni me një çmim të arsyeshëm. Në Brezovicë gjenden lokale, restorante dhe hotele për akomodim.
Llogaraja ndodhet në jug-lindje të Vlorës, në kufirin midis Adriatikut dhe detit Jon. Parku shkon nga lartësia 470 m në lartësinë 2018 m. Pranë Qafës së Llogarasë ka shumë pemë dhe forma interesante kurorë si rezultat i baticave dhe erës. Një shembull mahnitës është “Pisha Flamur”, një monument i rrallë i natyrës me vlera shkencore dhe turistike. Ky park ofron një mot dhe peizazh tërheqës dhe fusha karakteristike. Bimësia e saj përbëhet kryesisht nga halorë si pisha e zezë. Parku i Llogarasë ka një rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor. Ai ka potencial të madh për zhvillimin e eko-turizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet. Ky është një vend klimatik, sepse këtu përzihen të dyja klimat, malore dhe detare e freskët. Për tifozët sportivë ky park ofron mundësi akomodimi në hotele luksoze.
Sezoni i turizmit dimëror ka nisur, biznesi privat i ka filluar përgatitjet dhe kërkon ndihmën e pushtetit lokal dhe atij qëndror për të qenë në lartësinë e duhur në infrastrukturën rrugore dhe me shërbime të tjera si, drita, ujd të pijshëm, shërbim mjekësor. Pengesa kryesore është infrastruktura rrugore që në shumë zona është e renduar gjatë stinës së dimrit. Thethi është vend i bukur për t’u vizituar, por është shumë vështirë për të shkuar atje në dimër. Po ashtu, Valbona, Dardha, Tomorri apo edhe vetë Voskopoja. Bora e pare ka nisur kështu dhe turistët e parë.
ATSH