Nga Ilir Meta
Eshtë lajm i mirë që Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mblidhet për herë të parë në Tiranë për të diskutuar për një çështje mjaft të rëndësishme për ne, për rajonin, por edhe për mbarë botën. Unë mendoj se mblidhet në vendin e duhur për të dhënë mesazhet e duhura.
Mund të mos dalë një jetë njerëzore për të njohur në vend, por mund të mjaftojnë pak ditë për të vlerësuar se çfarë shkon mirë, çfarë duhet përmirësuar dhe çfarë duhet bërë ndryshe në një vend. Natyrisht që është e rrallë që të gjesh në qendër të kryeqytetit faltoret e tre besimeve të ndryshme fetare aq pranë njëra tjetrës. Vetëm disa qindra metra larg, ju do të shihni Katedralen Katolike, Katedralen Ortodokse dhe në ndërtim e sipër edhe Xhaminë Myslimane dhe diku më tej ndodhet edhe Qendra Botërore e Bektashinjve.
Tingujt e kambanave, por edhe zëri i myezinit në të njëjtën kohë dhe të njëjtin vend janë një gjë normale në të gjithë Shqipërisë, si në veri, ashtu dhe në Jug.
Në këtë drejtim, Tirana është si Jerusalemi, toka ku duket se është pjekur historia. Por ndryshe nga Jerusalemi, këtu fjalën e ka paqja, bashkëjetesa dhe pranimi si i barabartë i të ndryshmit.
Ju do të mund të shihni grupe njerëzish që janë në punë, shkolla, në rrugë e kudo gjetkë dhe nuk mund të dalloni se ata janë të besimeve të ndryshme fetare ose dhe ateistë. Sepse në Shqipëri është shumë e rrallë pyetja nëse beson dhe çfarë besimi fetar ke. Sepse në Shqipëri është shumë e zakontë që besimtari katolik dhe ortodoks të festojë dhe të urojë Bajramin e Madh dhe Bajramin e Vogël dhe besimtari mysliman të urojë e të festojë Krishtlindjet. Është normë morale që edhe ateisti të pranojë këtë realitet dhe ai vetë të jetë tërësisht i pranuar dhe normal në sytë e besimtarit praktikant.
Ne shqiptarët kemi një fat të madh të trashëguar nga gjeneratat e mëparshme dhe që padyshim do t’ua lëmë si trashëgimi edhe gjeneratave në të ardhmen.
Ne jemi dëshmia dhe modeli, jemi prova dhe jetësimi i mundësisë së asaj që për fat keq në vendet e tjera ngjan e pamundur apo shumë e vështirë. Shqipëria dëshmon se të krishterët dhe të myslimanët mund të jetojnë të lumtur me njëri – tjetrin. Mund ta pranojnë njëri-tjetrin. Mund të ndërtojnë të nesërmen e përbashkët me njëri-tjetrin. Mund të martohen dhe të krijojnë familje të qëndrueshme dhe të lumtura dhe fëmijët e tyre të zgjedhin lirisht besimin që dëshirojnë.
Në këtë aspekt, Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i tolerancës dhe i harmonisë fetare. Aq më shumë bëhet e dukshme një gjë e tillë kur kemi parasysh se vendi ynë ndodhet në Ballkan. Në këtë gadishull, pjesë të pandarë të Evropës, por dhe toka që ka krijuar dhe shkaktuar shumë andralla vetes dhe Evropës me përplasjet dhe konfliktet që kanë ardhur për shkak të etnive të ndryshme, besimeve të ndryshme dhe gjuhëve të ndryshme.
Ballkani është modeli i djeshëm i përplasjeve dhe i luftërave edhe me sfond fetar. Pakkush do të mendonte se e shkuara është një herë e përgjithmonë e harruar. Ndaj trashëgimisë së saj të rëndë duhet të luftojmë çdo ditë, sepse ekzistojnë ende rreziqet që ajo të ripërsëritet nëse harrojmë, kryesisht nga politikanë që armatosen me urrejtje edhe kur bëjnë sikur flasin për paqe, që i takojnë të shkuarës dhe që nuk mund të premtojnë një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme.
Koncepti dhe projekti i integrimit evropian, që vendet e rajonit tonë kanë përqafuar, ideja e pranimit të të njëjtit flamur vlerash të përbashkëta evropiane dhe euro-atlantike, hyrja në këtë klub demokracie si të ndryshëm, por të barabartë, është çlirimi përfundimtar nga e shkuara dhe një fillim i ri historik për të ardhmen e të gjithë rajonit tonë.
Ne në Shqipëri kemi ende shumë sfida përpara. Të qenit ende një vend i varfër dhe me probleme ekonomike është një sfidë e rëndësishme që ne duhet dhe do ta përballojmë, por nga ana tjetër ne kemi arritur të fitojmë një sfidë e jashtëzakonshme me të cilën përballet sot e gjithë bota. Bashkëjetesën në diversitet edhe për shkak të besimeve të ndryshme fetare. Do ta konsideroja tolerancën, bashkëjetesën dhe harmoninë fetare si një arsye më shumë gjithashtu edhe për të qenë modest dhe kokulur si besimtarët në faltore dhe si mësimi që vjen nga e shkuara për t’iu drejtuar të ardhmes me punë dhe përulësi.
Në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë probleme me radikalizmin fetar, por për fat të keq ne kemi patur dhe ende kemi disa probleme me radikalizmin politik. Ndaj toleranca dhe bashkëjetesa mes të ndryshmëve në besim apo edhe në politikë është një sfidë. Ne sfidën e parë e kemi fituar dhe bazuar tek ajo që është një shembull i mrekullueshëm për shoqërinë tonë, besoj që do ta fitojmë edhe sfidën e dytë. Sepse ekstremet dhe radikalizmi i çfarëdolloj aspekti është mjaft i rrezikshëm dhe këtë e dëshmojnë të gjitha zhvillimet e fundit në botë apo edhe në rajone pranë nesh dhe për ta fituar këtë bashkëjetesa është sfida jonë në të gjitha drejtimet.