Nga Lorenc Vangjeli/
Duhet të ndodhë në të sotmen që të kujtohemi për të djeshmen. Ky duket se është sporti ynë kombëtar. Shembujt janë të panumërt, duke e nisur me të fundit; duhet të ishin vrarë dy çekët, që të kujtoheshim për një proces të dyshimtë për vrasje të 5 vjetëve më parë. Duhet të rrrënohemi ne trafikun e çmendur të fundjavave verore, për t’u kujtuar që duhet disiplinuar trafiku i mjeteve të rënda. Më së paku sepse ndërhyrja në infrastrukturë është histori tjetër. Dhe më pas, pasi ndjehet qe “veza ka vajtur tek ai vendi” nis presioni i politikës, medias, opinionit, të cilat të gjitha bashkë ngjajnë si një emergjencë zjarrfikeje. Sepse punët tona publike dhe aktet publike i ngjajne një valixheje që përgatitet në momentin e fundit dhe ku padyshim nuk harrohet vetëm furça e dhëmbëve. Çfarë na mungon, është parashikimi dhe planifikimi. Është vullneti i momentit tek i cili falemi perëndia jonë lokalen është shkaku i shumë problemeve.
Për të qëndruar tek rasti tragjik i vrasjes së turistëve çekë. Ishte pabesueshmërisht e frikshme fjalia e të dyshuarit për vrasje: “Vendosa të dal të grabis ca turistë të huaj”. Një individ i tillë, kishte dhënë më shumë se një shenjë të fortë, për natyrën e tij kriminale që prej vrasjes së parë të ndodhur pesë vjet të shkuara. Por mekanizmi i drejtësisë shqiptare, edhe e korruptuar, edhe dembele, edhe e paaftë, reagoi siç di të reagojë ajo. Jo se një djalë i varfër 15 vjeçar, si i dyshuar i sotëm 20 vjeçar për vrasje, korruptojë trupin gjykues. Me siguri që nuk është ky rasti që të flitet për korrrupsion; një 15 vjecar i varfër e familja e tij me siguri nuk kanë paguar, por drejtësia shqiptare atëherë nën presion të fortë edhe politik, edhe mediatik, edhe të opinionit publik, duhet të gjente sa më shpejt fajtorët. Dhe dembele dhe e paaftë siç është zgjodhi siç duket rrugën më të shkurtër. Bëri zgjidhjen dhe zgjedhjen emergjente, por që rezultatin e dha sot.
Siç ndodh kudo, siç ndodh me shumëçka në shoqërinë tonë, që ngjan se në çdo moment, vrapon pas një pasoje, pa gjykuar shumë dhe gjatë për shkakun që e ka krijuar. Duke u dënuar vazhdimisht me halle që që përsëriten në mënyrë ciklike. Duke vrapuar gjithmonë për të gjetur nje biletë të minutës së fundit, që kërkohet me ngulm, por që sapo përdoret, harrohet menjëherë. Sepse kërkohet bileta e rradhës e minutës së fundit për hallin e fundit publik.









