Nga Ben Andoni
Do na duhej më shumë një “Shqipëri e Madhe” apo një Shqipëri normale?! Kjo temë rrihet shpesh indirekt dhe direkt në vendin tonë. Por, ndërsa përcaktimi i parë përmbledh të gjithë filozofinë e fqinjëve kundër nesh, e dyta është më e debatueshmja, pasi të gjithë politikanët tanë pretendojnë një normalitet, që në fund të mandateve të tyre rezulton hapur si anormalitet. Për patetikët e zakonshëm të politikës është e qartë: Duhet që të bashkohen kudo që janë shqiptarët, pasi kështu trembim fqinjët dhe do bëhemi më të fortë. Sesi do të realizohet kjo, nuk ka asnjë projekt, veç fjalëve dhe teorive hipotetike. Kurse e dyta ha të gjithë punën përgatitore me programet e partive tona dhe ende mbetet konfuze. Po si është Shqipëria normale?! Logjika është më e thjeshtë. Na mëtojmë të bëjmë një Shqipëri normale, me të gjithë parametrat evropianë në mënyrë që të jemi qytetarë me të drejta të plota në një bashkësi shtetesh me standarde shumë më të larta nga ne. Por, sërish grupi ndryshe nuk i ndahet kartës nacionaliste, duke ofenduar që nga politika e deri te njësimi i gjuhës, apo duke përkrahur praktikat e liderëve tanë që japin pasaportën, sikur ai dokument të mos jetë asgjë. Në fakt, njësoj si ne edhe popujt e tjerë të Ballkanit, jetojnë mes mitit, ëndrrës, realitetit të hidhur të përditshëm dhe perspektivës së munguar evropiane. Dha, duke ardhur nga fundi, më e trishtë është sot filozofia që vet Bashkimi Evropian na ofron për të ardhmen, duke na lënë të humbur në këtë tollovi. Deziluzioni ndaj konfuzionit të saj është jo vetëm shqetësues por edhe krejtësisht aspak motivues. Gati 10 vite më parë Habermas, në Qendrën “Gëte” i parapriu këtij realiteti të sotëm, ku veç shpërbërjes së BE-së po përballemi dhe me realitete aspak inkurajuese. Ai prezantoi një tufë tezash interesante, ku veçonte një element logjike tjetër sa i përket asaj që mendohet se duhet të bëjë e ashtuquajtura elitë e BE-së. Dhe, provat i kemi në kurriz. Shqipëria me Maqedoninë e Veriut, që tashmë janë në prag të shkallëve të para të anëtarësimit, e kanë vuajtur si pak shtete të tjera problemin e brendshëm të vetë demokracisë nga Brukseli, konfuzionin e strukturave të saj, mosrakordimin e vendeve, diktatin cinik të strukturave të BE-së, kur flitet për çdo gjë deri tek problemi i sovranitetit kombëtar. Edhe më e hidhur akoma ishte ajo tezë, që Habermas e parashtroi edhe tek libri i tij “Mbi Kushtetutën Evropiane”, ku shkruan me të drejtë se: “Fuqia ka rrëshqitur nga duart e njerëzve dhe është zhvendosur drejt autoriteteve të legjitimitetit të përfolur demokratik”.
Ballkani të jep plot prova të hidhura për këtë, pasi drejtohet nga të tillë njerëz.
Profesor Servet Pëllumbi vëren me të drejtë se i gjithë ky proces po e transformon Federalizmin Ekzekutiv të realizuar në Traktatin e Lisbonës drejt një Supremacie të Këshillit Evropian…
Por a mundet Shqipëria, që krizën e BE-së ta sodisë në kurrizin e saj, kur impakti i dyzuar i mekanizmave të saj përcjell dhe inkurajon luftë të brendshme politike dhe situatë kaotike në vend me akuza dhe kundërakuza. Aspak. Çdo tollovi e Brukselit të sotëm do të thotë rrëmujë dhe krizë në Ballkan. Teksa konfliktet dhe problemet e shumta të Brukselit, qoftë në aspektin politik por edhe atë ekonomik etj., vetëm sa shtohen në vend që të pakësohen. Mbi të gjithë Brukseli nuk është më aq shpresë sa i përket ekonomisë dhe të ardhmes sociale me barrierat e saj. “Politikat ekonomike duhet të ofrojnë më shumë solidaritet dhe veprim të përbashkët për krijimin e vendeve të punës. Disa mjete teknike mund të aktivizohen ndryshe ose të krijohen; pika kryesore është hedhja e themelit të një “kompaktësie të re shoqërore” evropiane. Ne kemi nevojë për funksionimin e duhur të qeverisjes ekonomike, e cila shkon në interes të një konvergjence graduale, reale midis ekonomive të Evropës. Sot ne jemi dëshmitarë të një divergjence në rritje. Ne duhet të forcojmë tregun e vetëm dhe duhet të bëhemi më konkurrues në skenën botërore. Një ekonomi dinamike dhe gjithëpërfshirëse është kushti kryesor që do të na lejojë të plotësojmë kërkesat e mirëqenies së një shumice të madhe të qytetarëve të Evropës. Dhe, tjetër, duhet të ripërcaktojmë arsyetimin e mbështetjes së BE-së. Siguria nuk duhet të interpretohet më si parandalimi i një konflikti midis Francës dhe Gjermanisë – paçka se në atë aspekt thelbësor Evropa ka bërë një punë të mirë. Përkundrazi, ne duhet të interpretojmë sigurinë si mbrojtje për njerëzit e zakonshëm nga rreziqet e sotme, të cilat variojnë nga pasiguria ekonomike dhe imigrimi i pakontrolluar te terrorizmi, si dhe menaxhimi i fronteve lindore dhe jugore të kontinentit”, shkruanin në “World Affairs” (1996) Marta Dassù, Mircea Geoana dhe Rüdiger Lentz të Institutit Aspen në Gjermani në artikullin “Brexit: Repairing the Broken European Dream”.
Fatkeqësisht, pas Brexit, Evropa gjithnjë e më shumë po përballet me sfida të lodhshme, që nga braktisja e SHBA në emër të mbrojtjes së interesave të saj dhe kërkesës për rritjen e kontributit të aleatëve, që në një farë mënyre janë më të shumët në NATO, por edhe me konfliktet e brendshme, situatën e paqartë ekonomike, tollovinë e Covid-19, terrorizmin dhe humbjen e forcave të lira të punës, që kërkojnë emigrimin me çdo kusht nga Shqipëria, Ballkani e kudo pranë nesh, qoftë edhe nga vetë vendet anëtare të BE-së.
Ndaj, ka ardhur koha që Shqipëria të shikojë më shumë nga demokracia e saj dhe mirëqenia, ashtu si evropianët nuk duhet t’i lënë më pushtetarët e tyre të luajnë me parimet demokratike, në emër të një strukture që po funksionon me vështirësi. E sërish na vjen në ndihmë Habermas. Sipas tij ka ardhur koha e një transformimi demokratik substancial për formimin e një “qytetari dhe identiteti evropian”. Fatkeqësisht, Ballkani që i ka pothuaj të gjitha vendet aspirante të këtij projekti, po e shikon përditë se BE-ja fut ujë nga të gjitha anët, ashtu si është e mbushur me nacionalizmat që i pjell ajo pjesë e njerëzve që përbëjnë elitat, për të shkëputur vëmendjen nga problemet e brendshme tejet shqetësuese.
Shqipëria e vogël dhe Maqedonia e Veriut, edhe më e vogël, po e kujtojnë me vullnetin e tyre Evropën se kanë bërë gjithçka, si të gjithë shtetet aspiruese, që ky projekt evropian të ekzistojë dhe Bashkësia të mos përfundojë si ish-BRSS. Përndryshe, kontinentit do t’i duhet shumë mundim ta ringjallë sërish atë mundim. Dhe, historia, kur kujtojmë fjalët e Habermas me shembullin e Revolucionit gjerman të vitit 1848 është e hidhur. Evropës iu desh gati një shekull, mbushur me gjak e sakrifica, ta rimarrë veten. Ashtu si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet te mendojnë tash e tutje, sesi mund të ekzistojnë qoftë edhe me këtë zvarritje pa fund, por edhe në rast se Bashkësia…do ketë rrjedhë tjetër në të ardhmen. Ndoshta demokracia dhe parimet tona, të jenë mbi ngucjen burokratike abstrakte, që na kërkojnë politikanët tanë, apo të jemi 100% korrekt me BE-në edhe kur ajo është aq konfuze. Ndaj na duhet aq shumë një Shqipëri normale, ku Ekzekutivi i pari dhe të gjithë aktorët e tjerë të sillen…thjesht si normalë në këtë anormalitet. (Homo Albanicus)