Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka marrë vlerësime pozitive dhe mbështetje të plotë për zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës gjatë takimeve zyrtare që ka zhvilluar në Strasburg me zyrtarët e lartë të Këshillit të Evropës.
Në takimin me Presidentin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi vlerësoi rëndësinë që ka Reforma në Drejtësi në rritjen e besimit të publikut ndaj sistemit gjyqësor. Bëhet e ditur se në takim u theksua se Reforma në Drejtësi është thelbësore për zbatimin me efikasitet të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut në sistemin gjyqësor kombëtar.
Nga ana e tij Presidenti i GJEDNJ,Guido Raimondi vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë në ratifikimin e Protokollit 16 të KEDNJ, protokoll i cilikontribuon në rritjen e bashkëpunimit midis GJEDNJ dhe gjykatave kombëtare. Hyrja e tij në fuqi në datën 1 gusht 2018 do ta sjellë vendimarrjen e Gjykatës së Strasburgut shumë më pranë sistemit gjyqësor dhe qytetarëve shqiptarë.
Ministrja Gjonaj është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, me të cilin temat kryesore të bisedës kanë qenë çështja e pronave, zbatimi i rekomandimeve të mekanizmave monitorues të Këshillit të Evropës dhe rezultatet e suksesshme të raportit të Greco për Shqipërinë.
Ministrja Gjonaj gjatë vizitës në Strasburg takoi edhe Presidentin e Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, si dhe Presidenten e sapozgjedhur të Asamblesë Parlamentare, Liliane Maury Pasquier. Këta të fundit vlerësuan si të suksesshme Reformën në Drejtësi krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit, që aspirojnë të bëhen pjesë e familjes europiane. /b.d
Sa mire te vjen kur jeton jashte dhe shikon vleresimet qe mer vendi jot per reformat qe kryen.