Përfaqësuesi i Shqipërisë në Këshillin e Evropës, Namik Dokle ka folur për gjendjen në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Evropës. Ai kundërshtoi fjalën e përfaqësuesit serb. Pas tij ka folur edhe përfaqësuesja tjetër e Shqipërisë, Valentina Leskaj.
Fjala e Namik Dokles ka ardhur pas fjalës së Zarko Obradoviq, përfaqësuesit serb, i cili ka përmendur prishjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe largimin e serbëve nga Kosova.
Dokle ka mbajtur një replikë duke përmendur përparimin e Kosovës pas pavarësisë dhe duke thënë se objektet e trashëgimisë janë ruajtur forcat e NATO-s, transmeton Koha.net.
Namik Dokle gjithashtu ka përmendur edhe krimet e forcave serbe në Kosovë gjatë vitit 1999, me theks të veçantë tek vrasjet e mijëra njerëzve të pafajshëm dhe dhunimet e grave. Përfaqësuesi i Shqipërisë ka shtuar edhe personat e zhdukur që vazhdojnë të jenë të zhdukur ende.
Dokle para të pranishmëve ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi në Bruksel dhe gatishmërinë e Kosovës për këtë dialog.
Kurse, Valentina Leskaj ka deklaruar se vazhdimi i dialogut dhe implementimi i marrëveshjeve me Serbinë, kanë treguar se Kosova ka pjekuri politike.
“Menaxhimi i mirë i ligjit tregon se Kosova ka të ardhme”, ka shtuar ajo duke shtuar se edhe të drejtat e minoriteteve janë sipas standardeve të Evropës dhe se Kosova nuk ka bërë asnjë shkelje.
Ajo po ashtu ka shtuar se Evropa duhet të vazhdojë të ndihmojë Kosovën për të përmirësuar edhe më shumë jetën e qytetarëve të Kosovës.
Më poshtë deklarata e shpërndarë nga Zyra e Shtypit në Kuvendin e Shqipërisë:
Deklaratë e përbashkët për shtyp e Delegacionit parlamentar të Shqipërisë dhe Delegacionit parlamentar të Kosovës pjesëmarrëse në KiE, Strasburg
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës është duke diskutuar një draft-rezolutë për “situtatën në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Europës”.
Draft rezoluta e hartuar nga reporteri, Agustin Conde (deputet spanjoll i Partisë së Djathtë Spanjolle), bën një vlerësim pozitiv të arritjeve në Kosovë në fushat e demokracisë dhe forcimit të ligjit.
Dreft rezoluta nënvizon në përfundim të saj propozimin shumë të rëndësishëm mbi ngritjen e nivelit të dialogut të Asamblesë Parlamentare të KiE me Kuvendin e Kosovës duke bërë shumë të afërt afrimin e Kosovës me KiE.
Kryetarja e delegacionit të Shqipërisë znj. Leskaj, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj rezolute, ka ndërmarë një proces të gjatë bashkëpunimi dhe konsultimi me përfaqësuesit e Kosovës.
Znj. Leskaj ka thirrur në takim Ambasadorin e Kosovës në Tiranë dhe ka bërë disa takime konsultative me N/Kryetarin e Kuvendit të Kosovës z. Xhavit Haliti dhe njëkohësisht me Kryetarin e delegacionit të Kuvendit të Kosovës që ndodhet në KiE, Strasburg këto ditë.
Gjatë zhvillimit të këtij sesioni, të dy delegacionet në bashkëpunim të plotë dhe në harmoni qëndrimesh kanë gjetur mbështetje për sugjerime të mëtejshme ndaj kësaj rezolute nga shumë delegacione të tjera parlamentare pjesëmarrëse në sesion.
Deklarimet e bëra në disa media dhe nga persona të caktuar nuk kanë asnjë lidhje me realitetin dhe zhvillimet në KiE, ku fryma e bashkëpunimit mes dy delegcioneve ka anë shumë pozitive dhe produktive.
Amendimet e propozuara nga delegacionet e Shqipërisë dhe të Kosovës do të mbrohen gjatë seancës së debatit nga kryetari i delegacionit të Suedisë, social-demokrati, Jonas Gunnarsson.









