Ministri i Financave, Petrit Malaj, mbajti sot fjalën e tij, 9 prill, në Kuvend lidhur me projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime që synojnë parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
“Masat që kemi ndërmarrë dhe vazhdojmë të marrim synojnë forcimin e sigurisë kombëtare, garantimin e integritetit të sistemit financiar dhe mbrojtjen e ekonomisë shqiptare nga ndikimet e mundshme të aktiviteteve të paligjshme financiare. Në një kohë kur rrjetet terroriste dhe ato kriminale operojnë në një kontekst global, përgjigjja jonë duhet të jetë plotësisht në përputhje me kërkesat e aleatëve tanë strategjikë”, u shpreh ministri.
Ai theksoi se projektligji është një hap i domosdoshëm për të plotësuar kuadrin ligjor dhe për të rritur efikasitetin në zbatimin e tij. Malaj vuri në dukje progresin e arritur, rritjen e numrit të hetimeve dhe forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
“Që prej vitit 2023, Shqipëria nuk ndodhet më në proces të monitorimit të shtuar apo në listën gri. Ka vende të BE-së, si Kroacia, që u pastruan nga lista gri vetëm vitin e kaluar, ndërsa Bullgaria dhe Monako janë ende pjesë e saj”, shtoi ministri.
Ai gjithashtu prezantoi disa të dhëna makroekonomike për vitin 2025:
Remitancat, mbi 2 miliard euro
Të ardhurat nga turizmi arritën 5.7 miliard euro, me një rritje prej 14.5% krahasuar me vitin 2024
Investimet e huaja direkte u rritën në nivelin më të lartë historik për 9-mujorin e parë të vitit, duke arritur 1.6 miliard euro
Kreditimi në valutë, kryesisht në euro, u shtua me 1.8 miliard euro
Investimet e huaja për blerjen e pasurive të paluajtshme arritën në 560 milion euro
Shtoi se nuk kemi të bëjmë me para të pista që hyjnë në territorin shqiptar, por para që kanalizohen nëpërmjet sistemeve bankare, që janë të mirëmonitoruara.
“Po gjenerohet rritje organike e valutës”, përfundoi Malaj.
Shtesat, propozimet në këtë ligj:
– Përfshirja në ligj e konceptit të armëve të dëmtimit në masë: Subjektet e ligjit kështu kanë detyrime më të qarta për të identifikuar dhe kuptuar rrisqet
– Forcimi i masave të brendshme të subjekteve raportuese
– Janë përmirësuar dispozitat që lidhen me parashikimin e mundësisë së bllokimit apo ngrirjes të përkohshme të transaksioneve deri në 72 orë (kur ka arsyhe të bazuara në rrethana dhe fakte për financimin e armëve të dëmtimit në masë)
– Për organizatat jofitimprurëse, projektligji sjell një qasje më të balancuar dhe proporcionale
– Masa të vigjilencës së zgjeruar
– Forcohet roli i Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave











