Nga Ben Andoni
Është një karikaturë e gati një shekulli më parë, botuar tek “Dielli” më 17 Qershor të vitit 1922, tashmë e harruar, por që na flet me të njëjtin mesazh dhe ku madje mund t’i kuptosh mirë kohët tona. Quhet “Shqipëria këcen valle me vdekjen” dhe mban autorësinë e karikaturistit amerikan Frank E. Davidson. Ky i fundit i punësuar nga Konica në vitet ‘20 dhe i asistuar vazhdimisht prej tij për temat shqiptare ka përcjellë situata të jashtëzakonshme të shtetit tonë, dalë nga Kongresi i Lushnjes, që sapo ishte ngritur në këmbë pas Luftës së Parë Botërore. Një tufë personazhesh të stilizuara të grupeve të ndryshme shoqërore janë ulur në një rreth, me shishet pranë vetes (zakon kombëtar), me gojët e çapëlyera nga hareja e bjerraditës, duke parë Shqipërinë, e konceptuar si një vashëze e bukur që vallëzon me vdekjen. Karikatura ka matrikullin e numrit të Diellit, Nr. 4. Për diçiturën kujdesej Konica, pasi i duhej që t’i shpjegonte idenë e koncentruar Davidson që jo vetëm nuk kishte qenë ndonjëherë në Shqipëri, por që zor të dinte më shumë për vendin që sapo po trasonte udhën e vet mes kombeve të qytetëruar. Sarkazma e Konicës i kalon kohët dhe vjen e gjallë deri më 2026 :” Dhe ministrë, nëpunës, oficerë, proprietarë, në një fjalë e tërë fundërria morale e Shqipërisë, bëjnë sehir vallen tragjike duke qeshur, duke u përpjekur duart, e duke ulëritur ‘Hurra!’”.
Njësoj sot përballemi me ministra që nuk dinë pasuritë e tyre (si shtëpitë e zyrtarëve që parakalojnë para SPAK-ut); nëpunës që nuk kanë asnjë sens se janë punonjës publikë, por që kanë ëndërr të bëjnë struktura të modeleve 5D-ra; pasunarë që sot u marrin pronat banorëve si për shembull në Veri të vendit dhe i shpartallojnë në dru dhe…. shpërdorues të paskrupullt të pasurisë së vendit, që kundrojnë torturën e shtetit tonë. Sot, një pjesë jo e vogël e këtyre kategorive janë plaçkitësit e vendit, si ai që ia hedh shqiptarit për pronën e tij në kadastër; ai\ajo që i merr pronën; ai\ajo që në administratë e sorollat për qejf, apo drejtorët e panginjur të dy sekseve të gjithë niveleve të pushtetit. Për këto nuk ka sy Rama dhe kolegët e tij, ka vetëm fuqi për të stigmatizuar median dhe këdo që mundohet të ngrejë zërin.
Shikojeni me kujdes këtë karikaturë: Shqipëria ka fatin që të grishet e të kërcejë me të pamundurën…, sepse njerëzit e vet thjesht e qesëndisin shpesh në vuajtjet e saj. Dhe, vuajtja është se përqeshet nga monstra që nuk kanë më asnjë sens për vendin, bërë me djersën dhe gjakun e brezave të tërë. (Javanews)











