Eksportet shqiptare shënuan një rritje të lehtë gjatë muajit shkurt. Sipas të dhënave të INSTAT, vlera e mallrave të eksportuara arriti në rreth 30.9 miliardë lekë, ose 2.8% më shumë se një vit më parë.
Ndërkohë, importet vijojnë të mbeten dukshëm më të larta. Në shkurt ato arritën në 68 miliardë lekë, me një rritje modeste prej 0.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Si rezultat, deficiti tregtar, diferenca mes importeve dhe eksporteve, mbeti i thellë në rreth 37.1 miliardë lekë, megjithëse pak më i ulët krahasuar me një vit më parë.
Rritja e eksporteve është ndikuar kryesisht nga minerale, lëndë djegëse dhe energjia elektrike, si edhe nga makineritë dhe pajisjet. Ndërsa në kahun tjetër, rënie kanë shënuar eksportet e ushqimeve, tekstileve dhe materialeve të ndërtimit.
Sa i përket importeve, rritja është nxitur kryesisht nga makineritë dhe pajisjet, ndërsa importet e energjisë dhe materialeve të ndërtimit kanë pasur ndikim negativ në total.
Bashkimi Europian mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, duke zënë mbi 56% të totalit të shkëmbimeve. Rritja e eksporteve është orientuar drejt Kosovës dhe Gjermanisë, ndërsa rënie kanë shënuar tregjet tradicionale si Italia dhe Spanja.
Në anën e importeve, rritja më e madhe vjen nga Kina me afro 54 për qind dhe Kosova me rreth 37 për qind, ndërsa furnizimet janë tkurrur nga Turqia dhe Italia.











