Nga Resul Resulaj
Pandemia COVID-19 po ndikon në mënyrë disproporcionale për të prekurit në mbarë botën, ku mes tyre sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara janë 70 milionë refugjatë burra, gra dhe fëmijë që jetojnë në kampe zyrtare dhe jozyrtare, qendra pritje dhe në raste të caktuara paraburgime, çka përbën rreth 1% përqind të popullsisë së planetit. Njerëz që kërkojnë siguri dhe strehim janë duke u larguar në tokë dhe në det prej vendeve në konflikt, me synimin për t’u vendosur në Europën Perëndimore por të cilët po përballen me kërcënime serioze për jetën ose lirinë e tyre. Sipas UNHCR, 167 shtete kanë mbyllur plotësisht ose pjesërisht kufijtë e tyre për të ndaluar përhapjen e COVID-19, ndërsa 57 shtete i kanë mbyllur kufijtë edhe për azilkërkuesit. Pandemia COVID-19 solli një sfidë për shëndetin publik dhe një krizë të vështirë socio-ekonomike për mbarë njërëzimin, duke nxjerrë në pah më së shumti të metat e sistemit shëndetësor.
Kriza e refugjatëve ka mbërthyer Bashkimin Europian si një shqetësim serioz prej 5 vitesh tashmë, duke sjellë njëkohësisht edhe dinamika të reja në politikat e unionit me rritjen e forcave të ekstremit të djathtë dhe forcimin e politikave nacionale për kontrollin e kufijve. Në shkurt-mars të këtij viti kriza u intensifikua sërish kur në kufijtë jugor të unionit u dyndën mijëra refugjatë të ardhur nga zonat e luftës, për të negociuar zgjidhjen e krizës në kufirin greko-turk u desh ndërhyrja direkte e liderve të BE-së.
Refugjatët janë prej kategorive më të rrezikuara nga infektimi për shkak të mungesës së ujit të pastër dhe kanalizimeve në qendrat e strehimit. Gjithashtu qendrimi në kampe të mbipopulluara dhe pa distancë fizike si në Lezbos apo Pharos ku janë grumbulluar 20 mijë refugjatë rrit rrezikun e infektimit, jo vetëm nga COVID-19 por edhe sëmundje të tjera lehtësisht të transmetueshme si malarja apo turbekulozi. Situata vështirësohet nga qasja e kufizuar në ofrimin e kujdesit shëndetësor dhe kryerjes së testimeve, të cilat në shumë raste shmangen prej refugjatëve për të menjanuar frikën e dëbimit.
Gjatë muajëve të fundit në rrugët e Tiranës apo të qyteteve të tjera të mëdha të vendit, si kurrë më pare ndonjëherë, mund të shohim refugjatë ta ardhur kryesisht nga Siria për shkak të luftës 10-vjeçare, Iraku apo vendet e Afrikës Veriore, të cilët më pas synojnë të ndjekin rrugën drejt Malit të Zi dhe më pas vendeve të Bashkimit Europian. Në bazë të statistikave zyrtare të Ministrisë së Brendshme për vitin 2019 në Shqipëri janë regjistruar 10 500 refugjatë ose 84% rritje prej 2018, ndërsa deri në 31 maj të 2020 janë regjistruar 3 700 refugjatë.
Dhjetëfishimi për tre vite i numrit të azilkërkuesve nxjerr në pah problematikat e strehimit të tyre. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca dhe përfaqësues i UNHCR në Shqipëri, Pablo Zapata në një deklaratë të një muaj më parë kanë kërkuar nga institucionet shqiptare ndërhyrje për garantimin e kushteve në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit në Babrru, e cila aktualisht ka 180 shtretër, terësisht e mbipopulluar dhe respektimin e detyrimeve ndërkombëtare ndaj refugjatëve në zbatim të Konventës së Gjenevës ku Shqipëria ka aderuar prej vitit 1992. Ndërkohë duke parë trendin rritës të refugjatëve, në planet afatmesme të autoriteteve shqiptare është ndërtimi i disa kampeve të reja në Gjirokastër, Korçë, Sarandë, Elbasan etj, me kapacitet 10 mijë persona.
Qeveria shqiptare gjatë periudhës së karantinës nuk doli me asnjë vendim zyrtar specifik mbi situatën e refugjatëve, nga e cila në vijim duhen bërë përmirësime jo vetëm në rritjen e kapaciteteve të strehimit, por edhe në qasjen më të mirë në sistemin shëndetësor, evakuimi i përsonave mbi moshën 60 vjeç të cilët kanë probleme të frymëmarrjes dhe diabetit, si dhe shtrim i vëmendjes ndaj rasteve potenciale të trafikimit të fëmijëve dhe grave. Një pikë mjaft e rëndësishmë që kërkon ndërhyrje është aktualizimi i “Ligjit për Azilin” nga i cili duhen implementuar më mirë direktivat e BE-së.
Përveç disa episodeve të vjedhje sporadike nga ana e refugjatëve, nuk janë vrejtur problematika të theksuara të karakterik kriminal apo racor. Vendi ynë ka njohur prej shekujsh fenomenin e emigracionit, por këto kohë duhet të përballet me një fenomen të ri të të qenit vend tranzit për refugjatët, ndoshta në të ardhmen edhe destinacion për refugjatët. Si një vend që ka emigruar kudo nëpër botë që prej lashtësisë, kjo është një sprovë e parë, duhet të jemi të përgatitur që në të ardhmen mund të ndajmë ambientet e punës apo hapësirat e përbashkëta me një emigrat, për të menduar akoma më larg, pse jo në një të ardhme mund të jenë edhe faktor politik apo të kenë përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Shqipërisë.
Në mbyllje, kam bindjen që sidomos ne shqiptarët, duhet të tregojmë tolerancë të plotë ndaj refugjatëve. Te një azilkërkues sot, mund të shohim një përsonalitet të shquar nesër, nuk është aspak çudi sepse të tillë kanë qenë Rita Ora, Madeleine Albright, Albert Einstein, Freddy Mercury dhe deri te Jezu Krishti.
Referenca:
- Eiset AH, Wejse C. Review of infectious diseases in refugees and asylum seekers-current status and going forëard. Public Health Rev. 2017 http://dx.doi.org/10.1186/s40985-017-0065-4
- Syrian refugees profoundly hit by COVID-19 economic downturn. Geneva: United Nations High Commissioner for Refugees; 2020 Jun 16. Available from: https://www.unhcr.org/en-us/news/briefing/2020/6/5ee884fb4/syrian-refugees-profoundly-hit-covid-19-economic-downturn.html
- World Health Organization. Interim guidance: preparedness, prevention and control of coronavirus disease (Covid-19) for refugees and migrants in non-camp settings. 17 April 2020. https://www.who.int/publications-detail/preparedness-prevention-and-control-of-coronavirus-disease-(covid-19)-for-refugees-and-migrants-in-non-camp-settings
- Ku “çalon” respektimi i të drejtave të emigrantëve, refugjatëve dhe azilkërkuesve në Shqipëri? Reportazh nga Marjo Bakaj 20 qershor 2020, Zeri i Amerikes, https://www.zeriamerikes.com/a/5470608.html
- Subbaraman N. ‘Distancing is impossible’: refugee camps race to avert coronavirus catastrophe. Nature. 2020 http://dx.doi.org/10.1038/d41586-020-01219-6
- Shqipëri: Refugjatët e bllokuar nga pandemia, Reportazh nga Elona Elezi, Deutsche Welle, https://www.dw.com/sq/shqip%C3%ABri-refugjat%C3%ABt-e-bllokuar-nga-pandemia/av-53620569