Nga Ardit Konomi
Dua t’ju prezantoj sot me nje punë të madhe dhe të bukur që shpresoja ta fillonim që në 1 Dhjetor, por që vetëm tani mundëm ti zgjidhnim të gjitha çështjet teknike që na pengonin.
Të dielën që kaloi, filluam punën për mbjelljen masive të pyjeve nga ajri. Ky lloj ripyllëzimi konsiston në ‘gjuajtjen’ nga ajri në tokë, të një kapsule të biodegradueshme që mban brenda tre fara të pemës që mbillet.
Misioni i parë përfshiu mbjelljen me pishë të zezë të një sipërfaqeje prej 90 ha midis Qafës të Martës dhe Pyllit të Lirzës në skajin jugperëndimor të Bashkisë të Korçës. E filluam punën nga zonat më të largëta për tu afruar gradualisht tek ato më të afërtat ku puna bëhet më e lehtë.
Në këtë përpjekje të parë që ishte njëkohësisht edhe kalimi i provës, u kryen gjithsej 33 misione fluturimi dhe u ‘gjuajtën’ afërsisht 15,000 fara pishe të zezë brenda 5-6 orësh. Me shkallën më pesimiste të parashikuar të suksesit të rritjes të bimës që shkencërisht me këtë lloj teknike qëndron tek 10-17%, synojmë të kemi 1500 deri 2000 pisha që do rriten dhe do bëhen pemë të bukura.
Në këtë mision të parë, u përfshinë dy dronë, një për të bërë hartëzimin e terrenit dhe një i dytë i madh për të transportuar pajisjen e mbjelljes.
Teknika e ripyllëzimit nga ajri është shumë e re dhe deri tani e provuar me sukses në Australi, Gjermani dhe Portugali.
Ne synojmë që deri në fund të sezonit, duke marrë parasysh edhe kufizimet teknike dhe ato financiare, të arrijmë të mbjellim me kultura autoktone (pishë e zezë, bredh, ah, etj) një sipërfaqe prej 3 mijë hektarë që do të thotë rreth 1 milion fara të gjuajtura që do të thotë 100 mijë pemë të mbjella.
Më poshtë, për lehtësi kuptimi, gjeni një animacion të huazuar të procesit.
Ndërkohë ftoj të gjithë të interesuarit dhe të apasionuarit të na bashkohen në çdo fundjavë në këtë punë të bukur.











