Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se anëtari i ekuipazhit amerikan, i cili ishte raportuar i zhdukur pas rrëzimit të një avioni luftarak F-15 mbi Iranin jugor, është shpëtuar dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Operacioni i shpëtimit u realizua nga forcat ushtarake amerikane, të cilat ndërhynë për të nxjerrë pilotin nga një zonë e rrezikshme ku ai kishte mbetur pas incidentit të së premtes.
Në një postim në Truth Social, Trump deklaroi se bëhej fjalë për një nga operacionet më të guximshme të kërkim-shpëtimit në historinë e SHBA-së. Ai theksoi se piloti, një kolonel i respektuar, kishte mbetur pas vijave të armikut në terrene të vështira malore në Iran dhe ishte ndjekur nga forcat kundërshtare.
“NE NUK DO TË LËMË ASNJË LUFTËTAR AMERIKAN PAS! Fakti që arritëm të përfundonim dy operacionet e shpëtimit të ekuipazhit të F-15E, i rrëzuar të premten nga Irani, 3 prill, pa asnjë amerikan të vrarë apo të plagosur, tregon përsëri dominimin dhe superioritetin tonë të jashtëzakonshëm ajror mbi qiellin e Iranit”, shkruan Donald Trump në rrjetin TruthSocial.
Trump shtoi se ushtria amerikane kishte monitoruar vazhdimisht vendndodhjen e tij dhe shprehu kënaqësinë që tashmë ai është “i sigurt dhe shëndoshë e mirë”.
“Ky është një moment për të cilin të gjithë amerikanët, republikanë, demokratë dhe të tjerët, duhet të jenë krenarë, duke u bashkuar rreth këtij suksesi. Ne posedojmë Forcat e Armatosura më të mira, më profesionale dhe më vdekjeprurëse në histori.
Zoti e bekoftë Amerikën, Zoti bekoftë trupat tona dhe Gëzuar Pashkën për të gjithë!”











