Nga Mustafa Nano
Të martën në mbrëmje, në programin Open të Eni Vasilit, sytë na panë një debat si mosozot. Gaboi Grida Duma, gaboi Frrok Çupi, gaboi Agron Gjekmarkaj.
Por le t’i marrim gjërat sipas radhës. E para ishte Grida Duma, e cila e filloi fjalën duke e identifikuar Frrok Çupin si “ky individi përballë”. Ishte një mënyrë përbuzëse të foluri. Ishte një ftesë për t’u kacafytur. Dhe e gjitha pa asnjë arsye. Dukej sikur Grida kishte shkuar në Open bash për të zhvleftësuar “individin përballë”. Për asgjë tjetër. Pas kësaj, mori atë që kishte llogaritur të merrte. Dhe kështu gjeti shkak për të hedhur në drejtim të Çupit terma të tjerë, si “këllirë”, “llum” etj. Personalisht, u kapa në befasi. Nuk e kisha përfytyruar asnjëherë Gridën në atë rol. Ajo ka qenë prore e qetë, elegante, e hijshme. Madje, më ka bërë për vete me aftësinë për të absorbuar goditjet, të shumtat e të cilave kanë qenë të padrejta, të pandershme e të liga. E kanë marrë nishan si grua, si femër. Të njëjtën gjë bëri edhe Frroku atë natë. Por do të kthehem më pas, kur ta dojë kronologjia e këtij rrëfimi, tek ky i fundit.
Unë e kam një shpjegim pse Grida u soll në atë mënyrë. Shpërthimi i saj është tregues i një nervozizmi në kampin opozitar, të cilin miqtë e saj e kanë demonstruar me kohë. U bë shumë kohë që janë jashtë zyrave të shtetit, dhe i ka kapur frika se mund të mbeten në krahun “e gabuar” të parlamentit edhe për të paktën katër vjet të tjera. I ka gënjyer mendja se, sido që të shkojnë gjërat, në krye të tetëve viteve do të kryhet vetvetiu rokada në pushtet, siç ka ndodhur gjithë këto kohë në Shqipërinë postkomuniste. Mirëpo, duket se kanë bërë zbulimin e madh që u përplaset në fytyrë në formën e një frustrimi: Nuk e kanë të lehtë ta mundin Edi Ramën, pavarësisht mosarritjeve e dështimeve të këtij të fundit, mes të cilave bie në sy “jo”-ja e BE-së që na erdhi ditë më parë nëpërmjet gojës së Merkelit. Jo më kot e përmenda termin e huaj “frustrim”.
Është termi i duhur, që shpjegon gjithçka. Sipas fjalorit online të Oxfordit, “frustrimi” (frustration) është një “parehatí që dikujt i vjen prej ndjesisë a vetëdijes se ai është i paaftë për të arritur një objektiv”. Ata kanë zbuluar pra, se do të humbin zgjedhjet dhe se faji për këtë është i tyre. I askujt tjetër. Madje, as Rama nuk u ka ndonjë faj, sido që atë e vizatojnë me ngjyrat më të zeza të mundshme, e bëjnë diktator, monstër, gjënë më të keqe që mund t’u ketë rënë në hise shqiptarëve etj., etj. Është një mënyrë për të vrarë frustrimin, duke e transferuar fajin te të tjerët. Kur Rama nuk u mjafton, u vërsulen edhe “njerëzve të Ramës”, te të cilët përfshijnë fare kollaj të gjithë ata që nuk e fshehin se e dinë tanimë burimin e frustrimit të tyre, që është – ma ka qejfi ta përsëris – pafuqia e tyre për të mundur Edi Ramën, që në thelb është pafuqi e tyre për t’iu imponuar shoqërisë shqiptare me ide, zotësi, moral, fytyra të pëlqyeshme, apo ku di unë çfarë duhet tjetër për këtë qëllim.
Duhet thënë se një pjesë syresh e besojnë vërtet që Rama e mbështetësit e tij janë djalli vetë. Kanë krijuar një botë politike manikeiste, në të cilën përballë janë forcat e së keqes e forcat e së mirës. U duket e pabesueshme, poshtërsisht e pabesueshme, se si të tjerët nuk arrijnë të vënë re që forcat e së mirës janë ata vetë, dhe se forcat e së keqes janë Edi Rama e Co. U ngjan se shumica e shqiptarëve, duke mos i besuar, apo duke mos i votuar, po u hyjnë në hak, nuk po u japin atë që ata e meritojnë, e nuk po arrijnë të shquajnë te ta mbrojtësit e demokracisë (!!!), luftëtarët kundër korrupsionit (!!!), dashnorët e votës së lirë (!!!) etj., etj. E prandaj, bëhen nervozë, harbutë, mujsharë, gojëprishur sapo shohin dikë që guxon t’u thotë në sy, se ata janë thjesht njëra prej të këqijave.
Lëre pastaj kur del ndonjë si unë që u thotë se ata nuk janë gati për të ardhur në pushtet; se ata nuk kanë treguar në asnjë rast se kanë mësuar diçka nga historia e tyre e mbushur me vjedhje, plaçkitje, dhunë, krime, vrasje; se ata janë gjithashtu një e keqe e madhe, në mos më e madhe, dhe se prandaj këtë herë do bënim mirë të mos e respektonim atë “rregullin e artë” të famshëm dhe të pashkruar, të cilin e mbrojnë si të tillë, si rregull të artë pra, veç dështakët në politikë. Është fjala për “rregullin”, sipas së cilit një parti nuk mund të marrë një mandat të tretë radhazi për të drejtuar vendin. Ky “rregull”, që ka dalë nga praktika jonë politike prej vitit 1990 e tëhu, duhet shkelur këtë herë, në mënyrë që asnjë të mos rrijë me mendjen se në Shqipëri ka rëndësi vetëm një gjë: të shpikësh marifetet e nevojshme për t’u bërë kryetar i një partie të madhe e të jesh i aftë për të mbajtur me rrena, e shumta për tetë vjet, opozitarët durimpaktë. Ja, kështu e mendoj unë këtë punë, nga pozitat e një njeriu që nuk dëshiron ta vërë veten në shërbim të ambicies së njeriut më të pavlerë të politikës shqiptare. Quhet Lulzim Basha. Ky është një opinion i imi. Mund ta kem unë një opinion të tillë, të dashur opozitarë?
Mund ta kem unë një opinion të tillë pa qenë llum e këllirë, e dashur Grida? Po? Epo shumë faleminderit, atëherë. Ju jam mirënjohës për zemërgjerësinë që po tregoni.
Grida ka mirëkuptimin tim të plotë, megjithatë, kur të tjerët e shohin në një debat televiziv, për ta zhvleftësuar, si një grua. Asnjë tjetre në jetën publike shqiptare nuk i është dashur të përballet me qëndrime maskiliste aq sa Grida Dumës. Rrallë më ka qëlluar të shoh një burrë në një studio televizive përballë saj që, në nerva e sipër, të mos i shkojë mendja për ta “demaskuar” si grua. Është një qëndrim absolutisht mizogjinik. Burrat shqiptarë nuk janë mësuar t’i mveshin një gruaje zgjuarsi e mençuri. Aq më pak një gruaje të bukur. Dhe kur janë në debat me ndonjë të tillë, titullin “grua e bukur” nuk ia hedhin si një medalje, apo si një kompliment. Përkundrazi, ia hedhin si një stigmë. I thonë “grua e bukur” për të mos i thënë “grua budallaqe”. Me shpresën se publiku i gjerë do t’i mirëkuptojë apo mbështesë. Në fakt, kjo shpresë nuk u del asnjë herë huq. Do të gjenden gjithnjë njerëz që do të japin mirëkuptim e mbështetje për mizogjinët.
Për sa i takon Frrokut, ai m’u duk parmbrëmë nën agresionin e pakuptimtë të Gridës. Por krejt papritur Frroku bëri më të kollajtën përballë një gruaje. I vuri në dukje që ishte grua. Dhe ky ishte momenti kur ai e humbi atë debat, edhe pse Grida i lëshoi mbi kurriz një batare fyerjesh. Ne duhet të gjejmë fuqinë për të rënë dakord se çfarëdo që të thotë një grua në një debat, qëndrimet mizogjinike nuk janë përgjigja që duhet t’i jepet. Me të bërë këtë zgjedhje, burri ka zgjedhur humbjen. Për mua, Frrok Çupi e humbi atë debat pikërisht sepse bëri macho-n. Pa bërë atë zgjedhje, e humbura do ishte Grida. Tok me Agron Gjekmarkajn, i cili e mbrojti Gridën në mënyrën më të gabuar të përfytyrueshme. “Duhet ta respektosh gruan, sepse ti je prej vendit ku ka lindur Kanuni,” i tha ai Frrokut, mes të tjerash. La të kuptohet se Kanuni i Lekë Dukagjinit është një manual i feminizmit. Mirëpo të gjithë e dinë, përfshirë Agronin vetë, se Kanuni është libri antigrua par execellence. Në këtë pikë, është edhe më i qartë se Testamenti i Vjetër e Kurani.
“Kanuja e xen gruen si një tepricë në shpi,” thuhet në të. Doni fraza të tjera të ngjashme në Kanun? Ja disa: “Me rrahë burri gruen, nuk bjen në faj. Burri ka tagër me e rrahë gruen e vet.” “Grueja asht shakull (calikë) për me bajtë.” “Grueja ka për detyrë me i ndej burrit nën sundim.” Por natyra mizogjinike e Kanunit nuk ka pse të kërkohet në fraza të veçanta. E gjithë fryma e Kanunit është mizogjinike. Ne mund ta vlerësojmë Kanunin, por jo në rrugën ku na fton Agroni të ecim. Ai mbetet një dokument i shkëlqyer që provon se shqiptarët kanë ditur të ngrenë e organizojnë bashkëjetesën mbi rregulla që nuk kanë qenë domosdoshmërisht më barbare sesa rregullat e shoqërive të tjera të të njëjtit moment në histori, por nuk vlen për ta parë e pasur si një dokument, prej të cilit ne mund të nxjerrim norma etiko-morale që mund të na shërbejnë sot. Kanuni ka vlejtur për kohë të tjera. Për sot nuk vlen më. Pikë.
Agroni pati edhe një rrëshqitje tjetër, më fatale. Ai iu drejtua Çupit me fjalët: “Sikur Grida të kishte një vëlla, ai do ta ndreqte qejfin jashtë studios. Madje, nëse Grida ma kërkon, punën e vëllait të saj mund ta bëja unë.” Kjo ishte një – ju ftoj t’ma pranoni tautologjinë – “teprim i tepruar”. I ikën edhe çdo standardi të ulët të vendosur në debatin politik e televiziv. Teprimet me fjalët janë gjithsesi të pashijshme, janë një praktikë, prej së cilës duhet të shkëputemi, por kërcënimet për dhunë apo legjitimimi i dhunës janë një gjë e rëndë dhe e papranueshme. Janë vija e kuqe që nuk duhet kapërcyer asnjëherë.
Post Scriptum: Ka vetëm një zgjidhje. Debateve të tillë, të organizuar si ndeshje gladiatorësh, u ka ikur koha. Nuk vlejnë më, nëse kanë vlejtur ndonjëherë. Nuk u vlejnë as atyre që marrin pjesë në to. Personalisht, ka muaj që i kam braktisur studiot e debateve televizive pikërisht për këtë arsye. Nëse ka një gjë që ia shoh vetes me qortim gjatë karrierës sime prej gazetari, kjo gjë ka të bëjë me pjesëmarrjen në to.
Moderatorët e debateve televizive kanë shumë në dorë. Ata kanë në dorë të përcaktojnë rregulla të debatit, ata kanë në dorë t’u heqin mikrofonin atyre që nuk i përfillin këto rregulla. Ata kanë në dorë edhe të mos i ftojnë në studion e tyre gojëprishurit e të dhunshmit. Programi i tyre varet veç prej tyre. Nëse ndodh një gjë, ndodh sepse duan ata. Prandaj, apeli im u drejtohet pikërisht atyre: “Hiqni dorë prej programeve që bëni, të cilat nuk i duhen askujt!” Por një apel ua drejtoj edhe atyre që kanë të njëjtin mospajtim me mënyrën se si organizohen këto programe: “Mos shkoni në ato programe televizive, të cilat suksesin e kanë ngritur mbi grindjet, kacafytjet, shpifjet, sharjet, fyerjet, dhunën!”