Kreu i Komisionit të Ekonomisë dhe njëherësh edhe nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe ishte i revoltuar ditën e djeshme në sallën e Kuvendit ku shprehu një sërë rezervash, si për angazhimin e qeverisë në seancë, ashtu edhe për mënyrën e drejtimit të saj.
Në fillim Braçe ka shprehur kritika për mungesën e ministrave në sallë gjatë kohës që në të diskutoheshin një sërë marrëveshjesh të rëndësishme. Më pas ai është revoltuar me mënyrën sesi drejtuesit e seancës po menaxhonin diskutimet, duke lënë deputetët e opozitës që të flisnin për çështje që s’kishin lidhje me rendin e ditës.
“Nuk dua të dëgjoj trapllëqe pa hesap nga mëngjesi deri në darkë. Nuk dua të dëgjoj gjëra për të cilat s’më plas fare, nëse do i përmbaheni rendit, mirë, nëse jo, më mirë po shkoj në shtëpi”, tha Braçe.
Deputeti socialist e ka marrë fjalën pas kolegut të opozitës, Genc Pollo, i cili foli për ligjin e Arsimit të Lartë dhe çështjen shpërndarjes së frekuencave, që nuk ishin në rendin e ditës.