Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur këtë të premte, 10 tetor, në një fabrikë ushtarake municionesh në Tennessee, që ka shkaktuar viktima dhe persona të zhdukur.
Sipas mediave amerikane, incidenti ndodhi në objektin e kompanisë Accurate Energetic Systems, e cila prodhon dhe teston eksplozivë në një kompleks me tetë ndërtesa në kodrat pranë qytetit Bucksnort, rreth 100 kilometra në jugperëndim të Nashville.
Sherifi i qarkut Humphreys, Chris Davis, deklaroi në një konferencë për shtyp: “Disa persona janë ende të paidentifikuar dhe të zhdukur. Po përpiqemi të jemi të kujdesshëm ndaj familjeve dhe situatës. Fatkeqësisht, kemi konfirmuar disa të vdekur.”

Shkaku i shpërthimit nuk është ende i qartë. Pamjet nga vendngjarja tregojnë flakë dhe tym të dendur, ndërsa edhe banorë në distancë të largëta raportuan se ndjenë tronditjen e shpërthimit.
Ekipet e emergjencës nuk mundën të hynin menjëherë në fabrikë për shkak të shpërthimeve të vazhdueshme. David Stewart, teknik i avancuar i urgjencës në qarkun Hickman, tha se nuk kishte detaje nëse kishte të plagosur.
Kompania Accurate Energetic Systems, me seli në qytetin e afërt McEwen, nuk ka reaguar ende ndaj kërkesave për koment.
Stacioni televiziv WTVF-TV me bazë në Nashville transmetoi pamje të mbetjeve të fabrikës të shpërndara në vendngjarje, ku dukeshin edhe automjete të dëmtuara në parking. Banorët e zonës telefonuan për të raportuar shpërthimin e fuqishëm.
Në qytetin Lobelville, rreth 20 minuta larg nga vendi i ngjarjes, banorët thanë se shtëpitë e tyre u drodhën dhe disa kapën zhurmën e shpërthimit me kamerat e sigurisë në shtëpi.
Një banor i zonës, Gentry Stover, u zgjua nga shpërthimi: “Mendova se shtëpia ishte shembur me mua brenda. Jetoj shumë afër fabrikës Accurate dhe kuptova pas 30 sekondash që duhej të kishte qenë ajo.”











