Në kuadër të operacionit policor të koduar “Night sales 4” në Korçë është vënë në pranga 36-vjeçari me iniciale E.S., i cili posedonte në banesë dhjetëra doza heroinë, me qëllim shitjen e tyre.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se ky shtetas ushtronte veprimtarinë e paligjshme të prodhimit e shitjes së narkotikëve, shërbimet e Policisë lokalizuan automjetin tip “Audi” me të cilin po lëvizte 36-vjeçari. Gjatë verifikimit të kryer rezultoi se ai e drejtonte makinën pa leje drejtimi.
Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë, e ndarë në dhjetëra doza, që dyshohet se sigurohej nga ky shtetas, me qëllim shitjen.
Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin dyshohet se shpërndante heroinë dhe 2 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
/a.r