Qeveria përcaktoi sot masën e shpërblimit financiar për medaljet në Forcat e Armatosura. “Medalja e Nderit” që jep Ministri i Mbrojtjes është dhe medalja më e vlerësuar financiarisht në raport me medaljet e tjera. Masa e shpërblimit financiar shkon në 40 mijë lek të reja, pasuar më pas me “Medaljen e Mirënjohjes” dhe atë të “Shërbimit ndaj Atdheut” që kapin shifrat prej 30 mijë lekësh të reja. Janë dhe një seri medaljesh të tjera, të cilat kanë dhe vlera më të ulta financiare, të cilat jepen nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, si dhe komandantët e Forcave të Armatosura. Shpërblim për medalje do të marrin vetëm ushtarakët aktivë dhe punonjësit civilë të strukturave organike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
(javanews.al)
Më poshtë tabela e medaljeve dhe e shpërblimit financiar:
- a) Për medaljet që jep ministri i Mbrojtjes:
– “Medalja e nderit” 40 000 lekë;
– “Medalja e mirënjohjes” 30 000 lekë;
– Medalja “Në shërbim të atdheut” 30 000 lekë;
– Medalja “Për shërbime të shquara” 20 000 lekë;
– Medalja “Për shërbime të larta” 20 000 lekë.
- b) Për medaljet që jep Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura:
– “Medalja shpëtimtari” 30 000 lekë;
– “Medalja e trimërisë” 30 000 lekë;
– “Medalja e sakrificës” 20 000 lekë;
– “Medalja e karrierës” 5 000 lekë;
– Medalja “Për shërbime të veçanta” 10 000 lekë;
– Medalja “Pjesëmarrje në operacione humanitare” 10 000 lekë;
– Medalja “Pjesëmarrje në emergjenca civile” 10 000 lekë.
- c) Për medaljet që japin komandantët e forcave dhe komandantët e komandave mbështetëse:
– “Medalja e ushtarit” 10 000 lekë;
– “Medalja e pilotit” 10 000 lekë;
– “Medalja e marinarit” 10 000 lekë;
– “Medalja e dijes” 10 000 lekë;
– “Medalja e mbështetjes” 10 000 lekë;
– “Medalja e karrierës” 5 000 lekë.