“Çfarë është në të vërtetë një ves apo çdo ves, përveçse pushtimi i arsyes dhe ndërgjegjes nga anarkia e pasioneve” – Zhan Zhak Ruso
Megjithëse z. Fredi Beleri është një qytetar i rëndomtë dhe një politikan i padenjë, çështja “Beleri” është pasqyra ku ne shohim qartë e më qartë, jo vetëm të sotmen, por edhe të shkuarën dhe ku mund të hamendësojmë të ardhmen e marrëdhënieve të vendit tonë me Greqinë.
Qëndrimet e qeverisë dhe shtetarëve grekë të të gjitha kategorive, duke përfshirë edhe politikanët e opozitës në Greqi, ndaj këtij problemi janë dëshmia më e qartë e shumëfytyrësisë, dinakërisë, paturpësisë dhe arrogancës që manifestojnë prej mbi tre muajve si stërnipa besnikë të Megalidhesë, të asaj teorie dhe platforme shoviniste, të gatuar gati dyqind vjet më parë dhe të ruajtur me fanatizëm nën jastëkët politikë të shtetarëve grekë.
Kjo sjellje që shpreh qëndrimin “mbarëgrek” na kujton se sa të drejtë kishte dikur poeti romak Virgjili kur thoshte se “Timeo Danaos et dona ferentes” (Ua kam frikën grekëve edhe kur japin dhurata).
Politikanët grekë bëjnë çmos ta paraqesin problemin si çështje e të drejtave të njeriut dhe e shtetit të së drejtës dhe, nga ana tjetër përpiqen të shiten si “idealistë” dhe pasardhës besnikë të Solonit, duke folur për “ligje të së drejtës evropiane” që i paska shkelur shteti shqiptar dhe ata, pra grekët, as nuk e honepsin dhe as mund ta pranojnë këtë mëkat, prandaj kërcënojnë Shqipërinë dhe shqiptarët se do iu bëhen pengesë për pranimin në BE dhe do të bllokojnë paratë që iu jep atyre BE-ja.
E thënë shkurt, qartë dhe pa diplomaci, politika greke na urdhëron: O bëni çfarë duam e si duam ne grekët, ose ne ju lëmë pa para dhe jashtë BE-së ! Ju nuk keni të drejtë të bëzani pavarësisht se ne grekët mund të japim para, premtime apo edhe kërcënime për ndryshimin e emrave dhe kombësisë së shqiptarëve të emigruar në Greqi, pavarësisht se mund të vëmë si kandidatura për pushtetet vendor në Shqipëri ata që duam ne, ata që kemi trajnuar dhe instruktuar ne, ata që paguajmë dhe keqpërdorim ne.
Po për çfarë ju duhet të diktoni dhe veproni kësisoj dhe ne të heshtim? Mos për përhapjen e parimeve demokratike, promovimin e shtetit ligjor dhe përfaqësimin real të minoritetit grek?! Jo, jo! Për diçka tjetër që nuk e fshehin fare, përkundrazi e shprehin hapur dhe me arrogancë: PËR HELENIZIMIN E NJË PJESE TË TOKAVE SHQIPTARE.
Këtë e pohoi me krenari edhe Beleri në intervistën e dhënë për një gazetë greke një muaj para zgjedhjeve vendore. Ndërsa ishte normale si kudo në botën e qytetëruar të premtonte përmirësimin e jetesës, infrastrukturës dhe plotësimin sa më mirë të të drejtave të banorëve të njësisë administrative ku kishte vënë kandidaturën, Beleri pohonte:
“Zgjedhja ime kryetar bashkie është jetike për helenizimin e Himarës, do të lehtësojë rrjedhën e helenizmit… është e rëndësishme për dekadat e ardhshme dhe jo vetëm për sot”.
Këtë e pohuan edhe politikanët dhe shtetarët grekë, të cilët para botës për sy e faqe hiqen sikur iu digjet shpirti për “demokraci dhe shtet ligjor”. Thuajse në të njëjtën kohë me Belerin, mentori i tij politik dhe nacional-shovinist, kryeministri grek Micotaqis iu drejtohej një grupi minoritarësh në Himarë duke thënë: “Falënderoj himarjotet që kanë mbajtur të ndezur në zemrat e tyre flakën e helenizmit dhe ortodoksisë”.
Si Beleri, ashtu edhe “mbrojtësi i parimeve evropiane”, z. Micotaqis nuk i drejtohen thjesht një pakice që banon në atë njësi administrative dhe vetë dëshiron të quhet greke, por gjithë popullsisë së atyre trevave, duke i identifikuar ata si grekë dhe ortodoksë, pavarësisht se shumica dërmuese e atyre banorëve janë shqiptarë dhe të përkatësisë fetare myslimane.
Mirëpo, këtu dhe për ta nuk çojnë peshë të vërtetat historike dhe aktuale, por thjesht dhe vetëm synimet dhe pretendimet e vjetra, të parashikuara në “Doktrinën Megalidhea” dhe të praktikuara herë pas here, me mjetet dhe metodat që iu lejonin rrethanat historike.
Sot jetojmë në shekullin e 21-të kur Greqia është pjesë e BE-së dhe të dyja shtetet, Shqipëria dhe Greqia janë anëtare të NATO-s dhe, rrjedhimisht, synimet e vjetra mbrohen me metoda të reja, të kamufluara si ndihmë, vërejtje, qortime dhe kërcënime për “realizimin e të drejtave të njeriut, shkelje të legjislacionit evropian dhe të parimeve demokratike” etj.etj.
Po të ishin kohë dhe rrethana të tjera ndërkombëtare politikanët e sotëm “modernë” grekë, sigurisht me përjashtime, do të bënin ato që kanë bërë paraardhësit e tyre, do të helmonin e vrisnin mësues, studiues e përhapës të gjuhës shqipe, do të bënin marrëveshje me Serbinë apo Italinë për ndarjen e Shqipërisë mes vetes, do të bënin marrëveshje këmbimi e deportimi të popullsive shqiptare që banojnë në “Vorio Epir”, do të përgatisnin banditë e terroristë për t’i futur me rrugë tokësore apo ajrore në Shqipëri për përmbysjen me dhunë të qeverive shqiptare që s’iu binden presioneve greke, do të fusnin edhe ushtrinë greke deri në Shkumbin “për mbrojtjen e helenizmit dhe popullsisë greke në tokat e veta”.
Edhe një spurdhjak politik si Kryetari i bashkisë së Selanikut, Kostandinos Zervas (me shumë gjasa, një pasardhës i kriminelit Napoleon Zerva) vjen në Himarë dhe pohon se
“Këto troje janë të mbushura me dashuri për helenizëm. Duhet ta mësojnë dhe dinë të gjithë se Himara lind luanë. Sjell zërin e Selanikut që gjithmonë është qendër helenizmi në Ballkan”. Dihet se “luanët” janë kafshë grabitqare luftarake, rrjedhimisht Zerva i ri me krahasimin që bën frymëzon rezistencë të dhunshme dhe mosbindje kundrejt qeverisë dhe ligjeve vendase.
Ndërsa kryetari i bashkisë së Athinës, z. Kostas Bakojanis, duke identifikuar demokracinë me një sharlatan në shërbim të shovinizmit grek, dhe duke u hequr si ithtar dhe kordhëtar i demokracisë, pohonte në Himarë: “Demokracia nuk burgoset… Shteti i së drejtës, demokracia janë principet tona dhe janë të panegociueshme”.
Këta janë fare të qartë dhe nuk lënë vend të pyesësh: çfarë do në Himarë i gjithë establishmenti politik grek.
Ata, përveç se hiqen si mbrojtës të parimeve demokratike dhe shtetit të së drejtës, të ndihmuar edhe nga banditët politikë të Shqipërisë, pretendojnë se qeveria shqiptare po iu grabit pronat pakicës greke në Himarë. Dhe, a e dini kush pretendon të bëhet avokati i të drejtave të pronës së banorëve të Himarës? Establishmenti politik grek i cili, pavarësisht krahëve politikë, me kokëfortësi, arrogancë dhe mospërfillje ndaj legjislacionit ndërkombëtar, mohon ekzistencën e minoriteteve në Greqi dhe refuzon çdo kërkesë të banorëve të dikurshëm të Çamërisë, të dëbuar nga Zervat e si vëllezërit e tij, për njohjen dhe dëmshpërblimin e pronave të tyre në vendlindjet dhe vendbanimet e stërgjyshërve të tyre.
Një shtet si Greqia, e cila jeton prej një dekade me ndihmat, huat dhe lëmoshat e BE-së, për shkak të keqadministrimit dhe keqqeverisjes së vendit nga elitat e veta politike, i bën presion shtetit dhe popullit shqiptar se do i bllokojë disa fonde që parashikon t’i japë BE-ja.
Nëse BE-ja është një federatë e tillë shtetesh ku edhe anëtari më i padenjë i saj imponon politikat e tij ekonomike si mjete presioni për të arritur qëllime që bien ndesh me vetë normat dhe parimet e BE-së, atëherë ky lloj shteti federativ nuk na nevojitet dhe s’kemi pse i gjunjëzohemi pas derës. Merret me mend çfarë do të bënte politika greke sikur vendi i tyre të kishte madhësinë, ekonominë, ushtrinë dhe forcën politike të Gjermanisë.
Me siguri, do t’i kishin shpallur “hapësira helenike” gjithë territoret e Ballkanit dhe do të gjenin e paguanin qindra Belerë për t’i imponuar si kukulla në thuajse të gjitha njësitë administrative ballkanike, me qëllim “helenizimin e Ballkanit”, duke e shitur si “evropianizim të Ballkanit”.
Në përpjekjet e tyre të ethshme për dominim mbi fqinjët, politikanët grekë bëhen edhe qesharakë. Zëdhënësi i Qeverisë greke pohoi se “Qeveria greke, me një sërë ndërhyrjesh të Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm është koordinuar me shtetin e së drejtës… (lidhur me rastin Beleri- V.M.)”.
A lejon “shteti i së drejtës” që politika, aq më keq politika e shtetit fqinj, të ndërhyjë në një çështje gjyqësore?! Duket qartë që politika greke kërkon të bëjë prokurorin, avokatin dhe gjyqtarin suprem në çështjen penale të një vendi tjetër. Dhe, ndërsa e bën këtë me Shqipërinë, “e koordinuar me shtetin e së drejtës”, kur Kroacia i bën thirrje të lirojë nga burgu rreth njëqind tifozë kroatë pas vrasjes tragjike të një tifozi grek, pasi fajtore nuk mund të jetë turma, por individi dhe bashkëpunëtorët e tij, nëse ka të tillë, grekët i kthejnë përgjigje se “një kërkesë e tillë është ndërhyrje në punët e brendshme dhe cenim i sovranitetit dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor të Greqisë”.
Qeveri greke në këtë rast përgjigjet njësoj siç i përgjigjet asaj qeveria shqiptare. Mirëpo ajo nuk e pranon këtë përgjigje, por me statusin e shtetit anëtar të BE-së ndërhyn tek politika shqiptare në mënyrë që kjo e fundit të urdhërojë sistemin gjyqësor për lirimin e Belerit (!). Një ndërhyrje e tillë nga “Maja e Olimpit” konsiderohet normale dhe e drejtë kur bëhet fjalë për një misionar të përhapjes së nacional-shovinizmit grek.
Nëse politika shqiptare nuk e urdhëron sistemin gjyqësore të lirojë beniaminin e politikës greke, atëherë qëndrimi i saj qenka i gabuar, i papranueshme dhe pengesë për pranimin e Shqipërisë në BE. Pra, në anën tjetër, ndërhyrja e politikës në gjyqësorin shqiptar është e gabuar vetëm kur bëhet për persona që nuk i interesojnë Megalidhesë.
Përdorimi i standardeve të dyfishta në përkufizimin e “shtetit të së drejtës”, në marrëdhëniet me shtetet e tjera, si dhe në qëndrimet kundrejt çështjeve gjyqësore në varësi të kombësisë së të akuzuarit lënë pa mend edhe profanët më të spikatur në histori dhe jurisprudencë.
A do të pranohej nga politika greke, dhe çfarë do të ndodhte sikur Rama, Veliaj apo Beci i Shkodrës të shkonin në Prevezë, Igumenicë apo Janinë dhe të bënin thirrje për “mbajtjen ndezur të flakës së shqiptarizmit” dhe “shqiptarizimin” e atyre trevave?! Përveç ligjshmërisë, parimi i reciprocitetit mbetet një nga parimet kryesore të rendit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Këtë duhet ta zbatojë edhe politika greke.
Duke mos e lënë mënjanë “kokëfortësinë greke”, le të kujtojmë thënien popullore “O Malo, të hëngrët tenja, e ke të keqen nga brenda!”. Në një njësi administrative me 10-12 përqind të popullsisë me përkatësi etnike greke (sipas Censusit të fundit), Beleri nuk do të kishte asnjë mundësi zgjedhjeje, jo pse është vetëshpallur grek, por sepse e kaluara e tij e bën atë një grek antishqiptar.
Zgjedhjes së tij i kanë ardhur në ndihmë përkrahja dhe propaganda e opozitës “atdhetare” të Shqipërisë. Një shtetas shqiptar, me prejardhje greke, maqedonase apo malazeze mund të zgjidhej edhe kryetar bashkie i Tiranës apo Vlorës nëse ka dëshmuar integritet moral dhe kulturor, por një njeri si Beleri, i implikuar në akte kriminale në Shqipëri dhe Athinë, dhe që objektiv kryesor afatgjatë të punës së tij shpall helenizimin e tokave shqiptare do të duhej të ishte kandidat për në burg dhe jo kandidaturë për kryetar bashkie.
Opozita e diskredituar dhe e inkriminuar politike shqiptare që e mbështeti kandidaturën e tij, megjithëse e njihte kush ishte, vazhdon ta mbrojë, ta shpallë “të burgosur politik, të pafajshëm” etj. Si gjithnjë, tufën e avokatëve politikë të Belerit në Shqipëri e udhëheq politikani më i inkriminuar, Sali Berisha, përgjegjës për dhjetëra krime të kryer gjatë këtyre mbi tri dekadave, i shpallur non grata nga Perëndimi si “minues i demokracisë dhe përkrahës i korrupsionit madhor”, apo më herët “ordiner i rrezikshëm”.
Pafytyrësia e këtij njeriu dhe papërgjegjshmëria e tij qytetare dhe kombëtare arrin deri aty sa të pohojë se
“Kryeministri i Greqisë nuk e ftoi me të drejtë Edi Ramën (në Athinë me rastin e 20 vjetorit të Samitit të Selanikut- V.M.) për shkak të shkeljes së të drejtave kushtetuese… në farsën elektorale në 14 maj në tërësi dhe rastin Beleri në veçanti… Reagimi i Presidentit Begaj nuk përfaqëson mendimin dhe interesat evropiane të qytetarëve dhe forcave politike të vendit dhe as detyrimet për fqinjësi të mirë, por vetëm mendimin e Edi Ramës dhe interesat mafioze të tij. Zgjedhjet e 14 majit ishin farsa më e shëmtuar zgjedhore në historinë e pluralizmit politik”.
Politikani shqiptar, i cili qysh nga viti 1992 ka qenë përherë pakicë morale dhe politike e vendit, njeriu që ka ideuar dhe drejtuar të vetmin proces zgjedhor brutalisht të dhunuar (atë të vitit 1996), të njohur si të tillë nga ndërkombëtarët, na shfaqet tani si kryepërfaqësuesi i popullit dhe politikës shqiptare dhe na jep këshilla për zgjedhje të lira e të drejta dhe i shpall zgjedhjet e 14 majit 2023, ashtu si të gjitha zgjedhjet e tjera të humbura prej tij, si “farsa më e shëmtuar zgjedhore në historinë e pluralizmit politik”.
Orkestrës së tij politike i bashkohen edhe disa individë politikë tashmë të zvetënuar, si ish-Ministrat e Jashtëm Tritan Shehu dhe Aldo Bumçi, apo ndonjë ish-Ministër Drejtësie mendjelehtë i cili, pasi na “provon” se Beleri u provokua dhe s’ka prova për fajësinë e tij, shpall kryelartë se ata që mendojnë ndryshe nga ai i përkasin “pemës pa kokrra të patriotizmit”. Është e vërtetë që patriotizmi nuk prodhon “kokrra”, pra nuk mbush xhepat e atyre që s’lënë gjë pa bërë për pushtet e privilegje, por patriotizmi është ndjenja dhe sjellja e atyre që historikisht kanë mundësuar mbijetesën dhe përparimin e kombeve e të popujve, është shkëlqimi i idealizmit mbi errësirën e konformizmit, nënshtrimit dhe dobisë vetjake.
Opozita “parimore” shqiptare, e yshtur nga urrejtja ndaj kundërshtarëve politikë brenda vendit dhe nga dëshirat e ethshme për pushtet, ka rënë në pozitat e shërbëtorit të Megalidhesë që kërkon helenizimin e sa më shumë tokave shqiptare, dhe përpiqet të na mbushë mendjen se gjithë ulërimat dhe hakërrimet e saj bëhen vetëm për parime demokratike. Ata që s’kanë lënë parim demokratik pa shkelur dhe as hapësira të Shqipërisë pa zaptuar, grabitur dhe tjetërsuar në shumë forma të paligjshme, na thonë tani se burgosja e Belerit është vepër e E. Ramës, se ky i fundit e futi në kurth Belerin, se ai duhet ndjekur në gjendje të lirë dhe lënë të betohet si kryetar bashkie pasi nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe se gjithçka bëhet për të grabitur pronat e zonës së Himarës.
Ata na thonë se Rama e futi në kurth, por nuk na shpjegojnë nëse ra apo jo Beleri në “kurth”. Ata, gjithashtu, bëjnë sikur s’e dinë se kryetari i bashkisë nuk ka kurrfarë fuqie të pengojë qeverisjen qendrore në çfarëdo “loje” me tokat pasi pronat njihen e kthehen ose me vendime gjyqësore, ose me vendime të ATP-së që është ent i qeverisjes qendrore. Gjithashtu, regjistrimi i pronave bëhet nga ASHK, e cila është në varësi të drejtpërdrejtë të Qeverisë, dhe lejet e ndërtimit në zonat turistike jepen nga KKRRT si ent i pushtetit qendror. Sa i përket rrezikshmërisë dhe legjitimitetit, nuk ka asnjë nen në legjislacionin shqiptar dhe as atë evropian që urdhëron ndjekjen në gjendje të lirë për këto vepra penale.
Pastaj, mos paraqet më shumë rrezikshmëri shoqërore kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici i cili thjesht uli brekët e veta në zyrë, se sa Beleri i cili, përveç se u zgjodh me vota të blera me para, pasaporta greke dhe bursa studimi në Greqi, ka premtuar t’iu heqë brekët shqiptarëve të Himarës duke punuar për t’i bindur ata se jetojnë në Helada dhe jo në Shqipëri ?!
Ata pëllasin se Rama e ka kapur drejtësinë, por edhe ata vetë përpiqen t’i imponohen drejtësisë, madje nga ndenjëset e opozitës. Merret me mend çfarë do të bënin po të uleshin në poltronat e pushtetit. Ky llum politik i kudogjendur është i gatshëm të shesë vendin vetëm për t’u rikthyer në pushtet, ashtu siç ka qenë i gatshëm ta djegë e fusë atë në kaos disa herë qysh nga viti 1991. Një aktivist i Foltores me emrin Paulin Dardha, që ha e leh në Greqi, thoshte se “Greqia duhet të marrë masa ndëshkuese deri në bllokimin e hyrje-daljeve të emigrantëve”.
Kjo skotë pa din e iman na sjell ndërmend cubat e dikurshëm, të cilët në vitet ’50 të shekullit të kaluar stërviteshin në Greqi e Jugosllavi dhe, të instruktuar e urdhëruar nga eprorët e tyre, futeshin në Shqipëri të armatosur për të vrarë bashkatdhetarët e tyre dhe për të mbjellë terror, në mënyrë që të krijonin kaos dhe kushte për përmbysjen e qeverisë shqiptare dhe sjelljen në pushtet të atyre që do të lehtësonin realizimin në praktikë të Megalidhesë dhe Naçertanies.
Ky qëndrim i një pjese të opozitës shqiptare dhe fakti se në një njësi administrative me gati 90 përqind të popullsisë shqiptare votohet për kryetar bashkie dikush që shpall helenizimin e gjithë trevës, na sjell ndërmend dialogun e Fishtës tek “Anzat e Parnasit”: Si janë, pra shqyptarët e Shqypnia? -Si janë? … Si i don anmiku.
Nga ana tjetër, Qeveria shqiptare bën mirë që përpiqet të ruaj marrëdhënie të mira me fqinjët, por asnjë qeveri shqiptare nuk duhet t’ia lejojë vetes që për hir të pranimit në BE të bëjë lëshime që i kushtojnë të sotmes dhe të ardhmes kombëtare. Fqinjësia e mirë sigurohet duke ndenjur secili në shtëpi të vet dhe duke shkuar tek tjetri si mik, dhe jo duke e kërcënuar fqinjin pandalshëm me një “Ligj Lufte” në përpjekje të bëhesh zot në shtëpinë e tij, madje duke e shpallur shtëpinë e fqinjit si pjesë të sarajeve të tua, duke mbjellë varreza ushtarësh në kopshtet e fqinjëve për të pretenduar më vonë se ka qenë historikisht kopshti yt.
Për çdo qeveri shqiptare duhet të jetë objektiv pranimi në BE, por duhet të jetë e qartë se anëtarësimi në këtë federatë nuk mund të paguhet me tjetërsim perspektiv të vendit. Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë këtu prej mijëra vjetësh dhe do të jenë gjithë jetën, ndërsa BE ka lindur vonë dhe askush nuk e di sa jetëgjatë do të jetë.
Anëtarësimi në BE na nevojitet për të mirën e shqiptarëve dhe jo për kredenciale politike e historike të politikanëve të radhës. Historia do t’i njohë e respektojë ata politikanë që i shërbejnë zhvillimit ekonomik, integritetit territorial dhe shtetit juridik të vendit dhe jo sakrifikuesve të këtyre për hir të bashkimeve me të tjerët. Mund të jetohet edhe pa qenë pjesë e BE-së, madje mjaft mirë, siç kanë jetuar e po jetojnë jo pak kombe e shtete të civilizuar dhe dinjitozë. Është më lavdimadhe përpjekja për përparimin ekonomik, politik e juridik të brendshëm, për vendosje reale të drejtësisë shoqërore në vend sesa sorollatjet apo mburrjet për asocim apo pranim në BE.
Ndërtimi i një shteti më dinjitoz dhe lufta produktive kundër korrupsionit e padrejtësive do t’i sillnin arkës së shtetit më shumë të ardhura se ato që jep BE-ja çdo vit. Nëse realizohen këto, pastaj BE-ja ose s’do të ekzistojë, ose do t’i pranojë të gjitha kombet evropiane.
Te lumte Viktor, respekte!