Gianni de Biasi vazhdon të festojë suksesin me Shqipërinë, tani në Itali, me miqtë që janë po aq të lumtur sa ai me kualifikimin e kuqezinjve në Euro 2016. Por festa do të mbarojë shpejt dhe trajneri italian premton se skuadra e tij nuk shkon në Francë sa për numër. “Jemi debutues dhe nuk mund ta marrim lehtë turneun. Do të shkojmë në Francë për të bërë figurë të mirë”, thotë De Biasi për “La Tribuna di Treviso”. Trajneri do të shkojë këto ditë në Francë për të gjetur vendin më të përshtatshëm për grumbullimin gjatë finaleve. Më 12 dhjetor hidhet shorti dhe De Biasit do t’i pëlqente të ndeshej me Italinë. “Do të isha i kënaqur, pasi do të ishte takim mes miqsh, pastaj Italia është kombëtarja e dytë e shqiptarëve”, thotë trajneri.