Komisioni i Shoqërisë Civile pranë Avokatit të Popullit, pas përfundimit të procedurës së verifikimit paraprak, ka shpallur emrat e kandidatëve të Shoqërisë Civile që plotësojnë kushtet ligjore për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Emrat e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë; Mimoza Qinami, Lindita Xhillari dhe Kostandin Kazanxhi.
Komisioni i Shoqërisë Civile do të zhvillojë seancën dëgjimore publike me kandidatët e përzgjedhur në datën 31 gusht 2017, ora 10.00, pranë institucionit të Avokatit të Popullit.
Para tre ditësh Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka dorëzuar rekomandimet për kandidatët nga radhët e avokatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë dy institucione kyçe të sistemit të ri të drejtësisë.
Secili prej këtyre institucioneve do të ketë nga 11 anëtarë, 6 prej të cilëve do të zgjidhen nga korpusi i gjyqtarëve ose i prokurorëve dhe pesë anëtarë për secilin Këshill nga Kuvendi.
Dy anëtarë për secilin këshill do të zgjidhen nga radhët e avokatëve, dy të tjerë nga trupa e pedagogëve të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës dhe një anëtar nga radhët e shoqërisë civile.