Vdekja e studiuesit Pal Trashaj ka ngjallur reagime edhe ne Lezhë. Miku i ngushtë i viktimës Marçel Lacaj, tregon mbi telefonatën e fundit pak orë para ngjarjes. Sipas tij, i ndjeri kishte kaluar një kalvar të gjatë mundimesh në kërkim të së drejtës por me një fund tragjik. Zoti Lacaj thotë se 63-vjeçari Trashaj i cili piu fostoksinë jashtë ambienteve të SPAK u vra nga padrejtësia.
Lacaj: Kontakti i fundit ka qenë para dy-tre ditësh. Nuk pashë ndonjë shqetësim, më tha “do shkoj deri në SPAK se kam problemet e mia”. Përmbledhja e të gjitha fjalëve ishte “këtu nuk ka drejtësi, jam duke kërkuar drejtësi, por këtu nuk ka drejtësi”. E di që ka pasur shumë probleme. Kur e pashë në televizion këtë lajm të trishtë më zuri trishtimi, këtë popull e ka zënë trishtimi dhe vazhdon ta mbajë trishtimi, siç e mbajti në ’90 kur ikën shqiptarët prej shqiptarëve, si në ’97 kur ikën shqiptarët prej shqiptarëve sikurse edhe tani ku ikin shqiptarët prej shqiptarët. Në një vend ku nuk ke siguri, paqe dhe drejtësi ke vetëm mjerim, vrasje, vetëvrasje dhe ikje. Pali nuk ishte nga ata që vret veten. Pali nuk e ka vrarë veten, Palin e ka vrarë padrejtësi që sundon në këtë vend. Zoti në qiell na ndihmoftë.
63-vjeçari konsumoi fotoksinë te dera e prokurorisë antikorrupsion ditën e djeshme, ndërsa sot humbi jetën në spital. Pal Trashaj nga Lezha, i njohur si historian i zonës dhe si aktivist politik lokal, nuk mundi të mbijetojë, edhe pse u dërgua me urgjencë në spital pak minuta pas vetëhelmimit
Vdekja tronditi familjarët e tij, ndërsa djali i 63-vjeçarit pohoi se i ati ndërmori aktin ekstrem pasi nuk po gjente drejtësi.
“Kam marrë fotoksinë se nuk po gjej drejtësi. Që në 2014 me një vendim gjykate shoqëria përmbarimore Ardael mund të jetë shoqëri si Sudja, piramidale, personalisht mua më ka bllokuar minimumin jetik (Pagën minimale 430 mijë lekë të vjetra). Unë punoja në administratë në ZRSHT (Zyra e Shërbimit Turistik), Lezhë, nga marsi 2014. Minimumi jetik ishte diku 110 mijë lekë, e gjithë paga bllokohej në mënyrë absurde. Mua më ka prekur në mënyrë absolute. Isha një punë de facto po jo de juro nuk merrja rrogë, është absurde ta mendosh. Arrija të mbijetoja në sensin e një pune të dytë”, tha i biri.
Një ditë më parë, SPAK sqaroi se qytetari kishte kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve rezultoi se nuk ishte kompetencë e prokurorisë së posaçme.
Në fakt, bëhet fjalë për dosjen e famshme të mikrokredive.
Pal Trashaj është një nga mijëra qytetarët që u zhvatën nga skema e kredive të vogla. Burimet bënë të ditur se vlera e kredisë së parë e parë nga 63-vjeçari ishte 76 mijë lekë, ndërsa më pas borxhi arriti në 408 mijë lekë.
Për pasojë, zyrat përmbarimore kishin vënë nën sekuestro shtëpinë e tij dhe i kishin ngrirë llogaritë bankare, madje edhe pagat e familjarëve.
Në këto kushte ai ishte paraqitur në SPAK për të t’i dhënë zgjidhje situatës.
Në maj të këtij viti Prokuroria njoftoi se përmes krijimit të kësaj skeme mashtrimi kompania “Micro Credit Albania” në bashkëpunim me subjekte të tjera financiare dhe zyrat përmbarimore, blenë borxhin në vlerën e 7.3 milionë euro që i përkisnin afro 4 mijë kreditorëve në një bankë të nivelit të dytë e më pas i detyruan ta shlyenin atë përmes shantazhit.
/a.r