Pasagjerët e një autobusi të mbërritur në Lion të Francës nga Milano e Italisë nuk janë lejuar të zbresin prej tij, pasi shoferi i mjetit u shtrua në spital me simptoma të ngjashme me ato të koronavirusit të ri. Policia ka vendosur një kordon sigurie rreth autobusit dhe njerëzve që ndodheshin në të, u është kërkuar të qëndrojnë në bord.
Nuk dihet me siguri sesa pasagjerë ka autobusi dhe përsa kohë do të bllokohen ata. Raste të koronavirusit janë paraqitur tashmë dhe në Milano, kryeqyteti i rajonit të Lombardisë, e cila është në zemër të shpërthimit më të madh të Covid 19 në Europë.
Virusi ka marrë 7 jetë njerëzish në Itali, ku fshatrat e Lombardisë janë izoluar e nuk lejohen hyrje daljet. Mediat franceze thonë se shenja kryesore që kishte shoferi I autobusit ishte kolla e fortë. Mësohet se mjeti kishte pasur një ndalesë në Torino e më pas në qytetin francez, Grenoble gjatë rrugës së tij për në Lion.
Italia ka konfirmuar 219 raste të virusit, deri tani numri më i madh jashtë Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut.
Ndërkohë numri i viktima ka arritur 2,628 ndërsa 79,732 janë të prekur nga virusi vdekjeprurës.
g.kosovari