Nga Gjon Ndrejaj
A ju kujtohet ajo përralla e kahershme për Shllafarinë, ishullin e bollëkut, ku gjithë vitin atje bridhnin udhëve derrkucë të pjekur me nga një thikë e pirunë të ngulur në kofshë dhe një pjatë ari të varur në bisht, ku mjafton vetëm të zgjatësh dorën për t’i provuar e shijuar. Në qiellin e Shllafarisë fluturojnë rosa, pata, mëllenja, thëllëza e fazanë të pjekur. Atje s’ka gurë e shkëmbej sepse vendin e tyre e kanë zënë rrotat e djathit kaçkavall dhe të djathit të bardhë fetë. Këto male me djathë, janë të mbuluara me pilaf, dhe poshtë rrjedhin lumenj me mjaltë, dhe pemët prodhojnë kremviçe dhe salçiçe. Në të dy anët e rrugës janë ngritur gjerdhe me mure petullash dhe sheshet janë të mbushura me ëmbëlsira (afërsisht si ajo torta e pavarësisë…) Nga burimet ujore, në Shllafari nuk rrjedh ujë por aty gurgullon verë, ndërsa në disa të tjera rrjedh wisky qelibar.
Akulloret, kanë mbushur gropat e maleve në vend të dëborës, ndërsa çokollatat ngjajnë si mure me tulla dhe mjafton vetëm dëshira për të provuar shumëllojshmërinë e tyre. Në vend të gjetheve, pemët rritin kartëmonedha e mund t’i mbledhësh duke i shkundur por shumë prej tyre kalben përtokë sepse njerëzit përtojnë t’i mbledhin, pasi nuk kanë nevojë për to.
Kjo ishte pak a shumë jeta në Shllafarinë e përrallës.
Dhe tani versioni më i ri i kësaj përralle na vjen nga Belo, kandidati për Kryetar Bashkie në Tiranë si përfaqësues i “Foltores”
Në Tiranë ose në Shllafarinë e Belos, njerëzit nuk do të ecin me këmbë por do të udhëtojnë me autobuza falas. Kjo do të thotë se të gjithë qytetarët e këtij “ishulli” nuk do të paguajnë për transportin urban dhe jo vetëm qytetarët por edhe fshatarët që banojnë në këtë ishull. Dhe këtë Belo e konsideron si dhuratë të tijën për 200.000 banorët e ishullit, që çdo ditë përdorin autobus. Kjo, siç thotë Belo bëhet për të vendosur drejtësinë sociale…. Po përveç se kjo është një aventurë e pa mbështetur në asnjë studim, kurrsesi nuk mund të jetë drejtësi sociale. Paratë për të financuar transportin publik falas, Belo nuk do t’i nxjerrë nga xhepi por nga taksat tona. Disa qytetarë për shumë arsye nuk e përdorin transportin publik, ndërkohë që të tjerë e përdorin me shumicë, Kësisoj nuk do të përfitojnë nga ky shërbim disa prej atyre që paguajnë taksa dhe “drejtësia sociale” këtu mbetet vetëm një slogan. Belo është përfaqësues i të “djathtës konservatore” ose më së paku kështu e prezanton veten por shërbimet publike falas janë një element i forcave politike të majta por kjo me sa duket nuk e shqetëson Belon, mjafton të fitojë ndonjë votë…
Nga ana tjetër transporti publik falas dhe shërbimet publike falas aplikohen kur të ardhurat për frymë të banorëve janë të larta dhe lejojnë nivele taksimi të tilla që të mund të krijojnë mundësi për dhënien e këtyre shërbimeve falas. Referuar eksperiencave europiane rezulton se transportin publik falas e ka vetëm Luksemburgu. Por popullsia atje është rreth 660.000 vetë dhe të ardhurat vjetore për frymë janë rreth 99.000 euro. Këto të ardhura vjetore që janë gati sa 3 fishi i atyre të Francës me 35.000 euro, i lejon Luksemburgut një nivel të lartë të taksimit të të ardhurave. Kjo në vetvete përkthehet në më shumë mundësi për shërbime ndaj qytetarit dhe u mundëson autoriteteve të Luksemburgut të afrojnë shërbimin e transportit publik falas. Krahasimet me vendin tonë dhe mundësitë reale për ta bërë këtë shërbim falas jam i sigurtë se mund t’i bëjë vetë çdo lexues…
Ndërtimi i nënkalimit në sheshin Skënderbej është një nga “mrekullitë” që do të përjetojnë banorët e Shllafarisë së Belos. Kjo ide amatore e hedhur kuturu, pa asnjë projekt të mirëfilltë tekniko ekonomik, ka marrë vëmendjen e shumë qytetarëve. Ndoshta ky ishte edhe qëllimi i Belos për të spostuar vëmendjen nga skandalet që po e shoqërojnë fushatën e tijë. Një nënkalim përse? Për të ulur trafikun, thotë Belo. Por në fakt specialistët thonë të kundërtën, pasi përveç kostos së lartë, kjo do të shtojë edhe semaforët në hyrje dhe në dalje të nënkalimit, aty ku pritet ky nënkalim me rrugëkalimet ekzistuese dhe kjo mund të shkurtojë distancën por jo trafikun, i cili do të shtohet si rrjedhojë e semaforëve.
Pesëqind “oazet e gjelbërta” më kthejnë përsëri tek fillimi i përrallës. Fantazia ime u vendos në lugina ku rrjedh uji pa pushim dhe ku gjelbërimi nuk mungon gjithë vitin…Shumë e bukur për t’u besuar. Që Tirana ka nevojë për gjelbërim askush nuk e vë në diskutim por edhe fakti se numri i pemëve është shtuar në këto vite, përsëri është e padiskutueshme. “Pesëqind oaze” konkurrojnë pa frikë “një milion” pemët e Lali Erit. Por ndërsa këto të fundit i kemi parë dhe prekur, pa çka se për hir të së vërtetës nuk i kemi numëruar, pesëqind oazet e Belos më duken një fantazi e shfrenuar…
Banorët në Shllafarinë e Belos do të jetojnë të lirë dhe pa taksa… Kështu ai ka premtuar se do t’i heqë taksat për biznesin e vogël (pa çka se ato prej disa vitesh janë hequr). Belo do t’i hapë rrugë oreksit të biznesit për zënien e hapësirave publike duke përgjysmuar taksat përkatëse, pa çka se edhe aktualisht hapësirat publike zihen nga makutëria e disa biznesmenëve dhe politikat jo efikase të qeverisjes vendore, e cila duhet të jetë shumë dorështrënguar kur është fjala për këto hapësira. Belo do të heqë edhe taksat për infrastrukturën, se në Shllafarinë e tij, rrugët, kanalizimet, ndriçimi dhe shërbimet e tjera do të mbulohen nga…(shih përgjigjen në fund) Nga ana tjetër ai ka marrë përsipër edhe funksione të qeverisë qëndrore që kanë të bëjnë me subvencionimin e fermerëve apo heqjen e taksave mbi bujqësinë.
Duke Ju përgjigjur interesit të qytetarëve, se si do të arrihen gjithë këto mrekulli në qeverisjen e tijë , me çfarë parash do bëhen ato, ndërkohë që ai do të ulë taksat, Belo e kishte përgjigjen gati. Me “gishtin e mesit”, shiheni posterin tim dhe aty do të keni përgjigje për të gjitha…
Po po, me gishtin e mesit…











