Nga Anton Nikë Berisha
- Secili institucion që do ta bëjë propozimin i bën nderim vetes po dhe letërsisë sonë
- Asnjë shkrimtar i ynë i gjallë nuk e ka lartësuar me një varg veprash prozën tonë në atë rrafsh poetik sesa Nasi Lera
- Romanet e tij “Nata e premierës” (varianti i përpunuar), “Kishim një ëndërr”, “Të gjallë e të vdekur”, “Të gjithë premtojnë Parisin”, si vlerë poetike, nuk janë më pak të rëndësishëm poetikisht sesa veprat e autorëve që i kam lexuar dhe e kanë fituar çmimin Nobel për letërsi
- Krijuesi letrar që shpreh nivelin më të lartë të gjuhës poetike, shpreh nivelin më të lartë të vetëdijes artistike kombëtare
Arsyet e propozimit
Gjatë leximit dhe interpretimeve që u kam bërë romaneve të Nasi Lerës “Nata e premierës” (varianti i përpunuar), “Kishim një ëndërr”, “Ana Zh”, “Të gjallë e të vdekur”, “Të gjithë premtojnë Parisin”, “Ngjallja e diktatorit” dhe të tregimeve të tij[1], jam bindur se në veprat e tij ka një art dhe mjeshtëri të madhe, që përligjet mirëfilli në secilën vepër. Kur thellohesh në botën shtjelluese dhe poetike të tyre bindësh që secila është një kryevepër në vete, një krijesë poetike që mund të vërë një komunikim gjallërik dhe shumësor me lexuesin, pa marrë parasysh kulturën që i përket nga se arti i mirëfilltë nuk di për kufij gjeografikë dhe kohorë.
Prej secilit roman të Nasi Lerës që i përmenda më lart dhe që i kam interpretuar në punime të veçanta, mund të sillën me qindra shembuj të një stili poetik të ngritur e të përftuar me përkushtim e dije, pra të bindësh për aftësinë e Nasi Lerës si prozator i njëmendtë.
Nasi Lera nga viti 1972, kur e botoi përmbledhjen me tregime “Bora e fundit” e deri më sot, u mor vijimisht me prozë (edhe përkthimet e tij janë vepra në prozë); krijoi në heshtje dhe larg zhurmës, pa i takuar grupeve e grupimeve të ndryshme që e shpallnin njëri – tjetrin autor të madh e veprat e tyre me vlera të jashtëzakonshme! Nga hapat e parë krijues në letërsi Nasi Lera i është përmbajtur parimit që thoshte shkrimtari i shquar frëng, Honorè dë Balzak: “Lavdia është një helm që duhet marrë me doza të vogla”[2].
Botë poetike e pasur dhe e rrafshit të lartë
Me një varg përmbledhjesh me tregime, novela dhe romane të botuara, Nasi Lera e lartësoi dhe e pasuroi prozën tonë nga rrafshe dhe aspekte të ndryshme.
Kur i qasësh dhe e vlerëson veprën e tij letrare në prozë, atëherë mendimin e parë që duhet thënë se është fryt i një pune dhe zotimi të vijueshëm për rreth 60 vjet; një krijimtari që në qenësinë e vet bën jetën e vetë autorit. Ajo ka shkuar duke u pasuruar e duke u ngritur pikërisht në rrafshin artistik e të gjallërisë së komunikimit me marrësin.
Nasi Lera është ndër shkrimtarët tanë të rrallë që di pse shkruan dhe di çka shkruan. Vepra e tij është e lidhur me botën tonë; e shpreh poetikisht këtë botë dhe i kthehet po kësaj bote nëpërmjet artit dhe komunikimit shumësor që nxit teksti poetik i përftuar.
Veprën letrare të Nasi Lerës duhet parë në dritën e dy mendimeve të Ernest Hemiguejt.
I pari lidhet me botën që e përfton Nasi Lera përmes strukturës gjuhësore shprehëse, përmes gjuhës poetike. Bota e veprave të tij përafrohet me njëmendësinë (realitetin) ku jeton dhe vepron krijuesi, po përmes artit të fjalës ajo degëzohet e shtrihet, bëhet më e pasur dhe më e veçantë dhe me një mundësi ndikimi estetik të madh[3]: “Në të gjitha tregimet e mia unë përpiqem të jap ndjesinë e jetës së vërtetë, jo thjeshtë ta përshkruaj jetën ose ta kritikoj, por faktikisht ta bëj atë të gjallë. Kështu që ti, kur të lexosh diçka timen, ta përjetosh me të vërtetë atë që lexon”.
Kjo është një cilësi që i përshkon të gjitha veprat letrare të Nasi Lerës. Pra, ato nuk janë imitim i asaj që ndodh në jetën konkrete shqiptare, po krijesa të mëvetësishme që ngrihen përmes shtjellimit të menduar dhe përmes gjuhës së zgjedhur poetike, përmes tekstit të përpunuar, nga i cili dalin kuptime të shumta.
Pra, teksti i tij nuk synon kumtin e rëndomtë, të thjeshtë, po shumësinë kumtimore që nxit përsiatje të ndryshme. Ai (teksti) ngrihet mbi parimin e poetikës së Aristotelit: vepra letrare shqipton të mundshmen dhe të vërtetën artistike, që është cilësia kryesore e veprës letrare[4]. Ndodh kështu për arsye se e mundshmja dhe e vërteta artistike ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për të krijuar një botë sa të mëvetësishme, po aq dhe të vlefshme e të rëndësishme për pasurimin shpirtëror të marrësit, pa marrë parasysh vendin dhe kohën.
Mendimi i dytë i shkrimtarit të madh, Heminguejt, ndërlidhet po ashtu me veprën që e ka krijuar dhe po e krijon ende Nasi Lera: “Kur të shkruarit bëhet vesi kryesor dhe kënaqësia më e madhe, vetëm vdekja mund t’i japë fund.”
Natyrisht se kjo u ndodh krijuesve të mëdhenj, atyre që janë të lidhur ngushtë me krijimin e veprave të artit të fjalës, të nevojës që të komunikohet përmes artit me dukuritë shoqërore dhe me botën e brendshme të njeriut dhe ta pasurojë atë në forma të ndryshme.
* * *
Veçantitë që i përmenda përligjen, qoftë në tregimet, në novelat, qoftë në romanet e Nasi Lerës. Në to ai dëshmoi krijuesin që di si i qaset një objekti poetik, di si ta shtjellojë atë në mënyrën sa më poetike, sidomos të dëshmojë kujdesin e madh që i kushton të shprehurit, përkatësisht gjuhës poetike, e cila kushtëzon në mënyrë të pandërmjetme vlerën e krijesës letrare, komunikimin dhe ndikimin e saj.
Në qenësinë e vet proza e Nasi Lerës është një gjurmim i vijueshëm i dukurive të botës konkrete dhe i dukurive të botës së brendshme të njeriut tonë, që dëshmohen në rrjedha të ndryshme të veprimit jetësor. Veçmas i shpreh shqetësimet, dramat dhe tragjiken që i përjetojnë dhe i përcjellin njerëzit, të brumosur përmes personazheve.
Këtë botë sa të veçantë e të ndërliqshme Nasi Lera e pasuron sidomos me romanet, ku bota e njeriut tonë shqiptohet në aspekte e në rrjedha të ndryshme dramatike, po njëherit, përmes tekstit, përftohet një botë poetike, e cila është më komplekse dhe më e qenësishme nga ajo konkrete. Kjo botë e krijuar përmes artit të fjalës, ka atë cilësi që ndikon fuqishëm në marrësin dhe e pasuron botën e tij.
Nasi Lera e shqipton sidomos realitetin që ndërlidhet me botën e brendshme, ku fshihen dukuri nga më të veçantat dhe më misteriozet. Këtë botë autori e vështron në lidhje të ngushtë me rrethanat dhe kushtet jetësore. Pra, dramat që ngërthejnë personazhet në veprimin e rëndomtë të mjedisit shoqëror, ndërlidhen me tundimet, tragjiken dhe pësimet e brendshme.
Duhet thënë se këto dy botë njësohen mjeshtërisht në tekstin poetik, duke u shndërrua në një botë mëvetësore dhe të rëndësishme. Në thelbin e tyre, ato përafrohen dhe bashkekzistojnë edhe atëherë kur i ndan koha, vendi, hapësira, ose kur janë në pajtim ose në kundërshtim midis tyre.
Kjo strategji e rrëfimit poetik dëshmohet, fjala vjen, në romanet “Nata e premierës”, “Kishim një ëndërr” “Ana Zh”, Të gjallë dhe të vdekur”, “Të gjithë premtojnë Parisin”, “Ngjallja e diktatorit” e të tjerë, ku shpaloset drama dhe tmerri i realitetit konkret të njeriut tonë, shpesh dhe vetëdija e tij e fjetur.
Pak shembuj për konkretizim nga romani “Nata e premierës”
Nga secili roman i Lerës mund të sillen qindra shembuj të tekstit poetik të rrafshit kulmor, po në vijim po sjell vetëm disa nga romani “Nata e premierës” (varianti i ndryshuar), i cili, sipas meje, është pa asnjë dyshim një kryevepër poetike që përmes artit flet për artin, sidomos për atë dramatik. Tekste të tilla janë në secilën faqe të romanit, shumë më të veçanta dhe më të pasura se sa mund t’i paraqesë një interpretim i tekstit.
* * *
Tabela e hotelit iu shfaq para me dritat e saj të sëmura, si të ishin duke dhënë shpirt.
* * *
Të dy heshtnin dhe heshtja i lidhte me njëri-tjetrin më shumë se çdo fjalë. Atëherë thanë se gjëja më memece te njeriu është lumturia e vërtetë.
* * *
Në rrugë nuk ishin ndezur ende dritat. Qyteti ishte i mpirë, si të mos i kishte dalë narkoza që i dha në mëngjes vrasja e Markos. Mbi dritaret e bardha pasqyrohej, si mbi disa sy që kanë zënë perde, hutimi i tij.
* * *
Në ata sy, si në asgjë tjetër konkrete dhe të prekshme, qyteti i vogël N kishte derdhur gjithë poezinë e tij të druajtur, si është çdo poezi e vërtetë, që, sa të shtyn drejt saj, aq edhe të ngrin në vend. Ajo, me flokët si një shtegtim resh qëndronte pa lëvizur si të mos priste që të ndeshte në atë qytet një njeri të panjohur.
* * *
Djali, sa vinte kokën në prehrin e vajzës, i dehur nga lumturia, nuk e dinte ku ndodhej, kurse vajza do të ngrihej lart për të kapur qiejt.
* * *
Nuk ishte larë ndonjëherë në një det me dallgë. Era çmendej pas flokëve të saj. Ajo i linte të deheshin nën zhurmën e dallgëve të detit.
* * *
Uji formoi mbi dysheme një njollë të errët si një plagë.
* * *
Kur u kthyen në qytetin e vogël N, iu duk sikur rrugët e tij të qeta iu mbështollën rreth qafës si të donin t’i zinin frymën.
* * *
Lëkura e fytyrës mori një bardhësi të lehtë, diçka si drita që përhapet mbas një shiu të vrullshëm pranveror. Ishte drita më e bukur që përhapte fytyra e saj. Edhe vetë po befasohej kur e shihte në pasqyrë.
* * *
Simon Xhuti nuk i thirri të ndalonte. E shoqëroi me sy deri sa Fatos Hoti u shkri nën dritat e rrugës duke lënë në ajrin e asaj nate hijen e tij të shqetësuar.
* * *
Ai harroi se atë pyetje ia kishte bërë vetes kur ishte shtrirë në dhomë me sytë ngulur poçit që varej nga tavani si koka e rrjepur e një të sëmuri psikiatrik.
* * *
Për të ai ishte mëngjesi i parë që priste t’i ndodhte diçka dhe koha kishte ngecur në vend. Po kjo si nuk është çmendur? Shefja uli telefonin dhe e vështroi gjatë si të priste të zgjohej përsëri. Telefoni ngjante me një mostër materniteti.
* * *
Sa shihte sytë lutës të Sofi Zotos i kujtohej fytyra e lodhur e burrit. Lodhja kullonte si një lumturi e shëmtuar mbi nënkresën ku preheshin të vdekur flokët e saj të gjatë dhe të butë.
* * *
Simoni e vështroi në sy. Drita e natës e tregonte fytyrën e Rita Berishës si një maskë e flakur karnavalesh.
* * *
Rita Berisha e priti qetë pyetjen e Simon Xhutit. Sikur fytyra e saj të ishte e vdekur dhe mbi të derdhnin vazhdimisht dyllë për t’i marrë maskën.
* * *
Simonit iu duk sikur vajza kishte dalë nga ajo shtëpi, si një dritë e largët yjesh.
* * *
Ideja e vdekjes nuk e trishtoi dhe nuk e trembi asnjëherë. Shihte rënien e gjetheve të fundit të pjergullës dhe si zbulohej një vile e vogël, e verdhë, e tejdukshme, me rrëzëllimin e diellit brenda, si ta kishte harruar të burgosur vjeshta që largohej.
* * *
Ajo pëshpëriti apo më saktë lëvizi buzët dhe tha një fjali të shkurtër, ku dallova fjalën rol, fjalët e tjera sikur i hëngri me dhëmbë. Sa e çova në shtëpi, ra në një gjumë të thellë. Prita të zgjohej, po ajo flinte si të kishte harruar ç’ishte zgjimi.
* * *
Era kishte pushuar. Prej degëve, si lot të vonuar, shkëputeshin gjethet e vogla të verdha.
* * *
Kur ai solli porosinë mbi qelqin e dritares u plas një pikë e rëndë shiu. Ajo plasi si një puçërr dhe kulloi duke rrëshqitur mbi xham si një krimb i bardhë.
* * *
Shiu ishte bërë më i shpeshtë. Zhurma e tij ishte e tillë sikur dikush shfletonte librin e zverdhur të vjeshtës, që jetonte ditët e saj të fundit.
* * *
Aktori plak iu duk Simonit më i vetmuar në rrugë sesa në shtëpi. Figura e tij e kërrusur, me pallton e gjatë, si të kishte hedhur në shpinë një copë natë, i ngjalli dëshirën të largohej sa më shpejt nga qyteti i vogël N.
* * *
Fytyra e saj ishte e tendosur dhe drita që i binte nga lart e tregoi edhe më të bukur, edhe më tërheqëse. Ajo të tërhiqte ta puthje jo si të tërheqë një femër, por për të provuar si është puthja e një statuje.
* * *
Ajo i kishte zhvarrosur dhe varrosur përsëri sytë, kur ata e kishin kthyer vite e vite pas, kur ishin tërë lëng dhe të bukur. Dora që mbante çantën filloi t’i dridhej.
* * *
Ai do të mbetej aty si hiri i një zjarri buzë rrugës ku kanë kaluar natën refugjatët.
* * *
Është një nga peizazhet e tij më të bukura, me një dritë që të mbërthen dhe që futet brenda teje si një mëngjes pas një nate të shqetësuar.
* * *
Në sytë e saj Simon Xhuti pa tmerrin e natës…
* * *
Heshtja e shtëpisë u bë më e rëndë dhe era vërtitej nëpër mëhallën e vjetër si një lëngim.
* * *
Pamja e zymtë e aktorëve iu duk si një vargan i përmortshëm nën shi.
* * *
Rita i mbante sytë për tokë. Kur ngriti kokën, në sytë e saj lëvizën retë që ishin shfaqur.
* * *
Kur mbaruan gotën e dytë me konjak, iu duk sikur koka e njërit po zëvendësohej me kokën e tjetrit […] Tani emri i Simonit po spërkatej me avujt e alkoolit, që, të padukshëm, janë më poshtërues se pështyma.
* * *
Vështrimet e tyre u përplasën dhe Simoni u drodh si të ishte përplasur me sytë e një të vdekuri.
* * *
Atë natë ishte i lodhur. Hëna e ngrënë nga perëndimi dukej si e sëmurë.
* * *
Puthja digjej ende si një prush i mbuluar me hi, megjithëse kishte qenë aq e lehtë. Ajo kishte qëndruar te dera si ta kishte përcjellë në një udhëtim, që nuk dihej si do të mbaronte.
* * *
Mbi fytyrën e Elsës binin dëborërat e padukshme të kujtimeve.
* * *
Flokët e dëborës iu dukën si flutura të imta që vërtiteshin të shqetësuara në dritat e rrugës dhe iu kujtua shtegtimi i lejlekëve.
Duke u nisur nga vlerat e shumta dhe të larta poetike të një varg veprave në prozë të Nasi Lerës, veç të romaneve, jam i bindur thellë se ai duhet të propozohet nga institucionet tona më të larta për çmimin Nobel për letërsi. Ky do të ishte një nderim i madh për institucionin përkatës, po dhe për letërsinë tonë. Krijuesi letrar që shpreh nivelin më të lartë të të shprehurit poetik, të gjuhës poetike, shpreh nivelin më të lartë të vetëdijes artistike kombëtare.
Po e mbyll këtë shkrim – propozim për Nasi Lerën me mendimin e Tomas Manit për Shilerin: “[…] le të marrim edhe ne një grimcë të synimit të tij të fuqishëm e njerëzor, të synimit për të bukurën, për të vërtetën e mirësinë, për pastërtinë morale, për lirinë e brendshme, për artin[…] për njohjen shpëtimtare të dinjitetit vetjak[5]”.
Prishtinë, fund dhjetori 2024
ANTON NIKË BERISHA
[1] Shih Nasi Lera, Përtej dritares ishte nata. Tregime dhe novela, të botuara nga “Onufri” i Tiranës (2021), Nasi Lera, Tregime të zgjedhura. Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha. Sht. botuese, Beqir Musliu, Gjlan 2024; Nasi Lera, Frynte shumë erë. Tri novela. Zgjodhi dhe përgatiti për botim Anton Nikë Berisha, Shtëpia botuese Beqir Musliu, Gjilan 2023.
[2] Shkrimtari Ernesto Sabato thoshte: “Një shkrimtar i mirë shpreh gjëra të mëdha me fjalë të vogla; për dallim nga shkrimtari i keq, i cili thotë gjëra të parëndësishme me fjalë të mëdha”. Shih Ernesto Sabato, Heterodoksia. Përktheu Fatbardha Statovci. Shtëpia botuese Pena, Prishtinë 2019, f. 44.
[3] Shih për rëndësinë e ndikimit estetik në marrësin në veprën e përbashkët me Labinot Berishën Estetika dhe estetika e letërsisë. Tekst për studentë. Faik Konica, Prishtinë 2018.
[4] Shih më gjerësisht për këtë studimin tim Vëzhgime mbi “Poetikën” e Aristotelit. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2018 dhe Aristoteli, Qasje artit poetik. Përkthimin, studimin hyrës dhe shënimet Anton Nikë Berisha. Argeta LMG, Tiranë 2020.
[5]Tomas Man, Për Shilerin. Në “Ese dhe shkrime të tjera”. Përgatitur nga Piro Misha. Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1986, f. 123.
Shumë e drejtë, por edhe duke shtuar që si veprimtar politik, ka qenë i zgjedhur edhe KANDIDAT I KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË – të Enver Hoxhes e Ramiz Alisë.