Është tensionuar sërish situata në zonën e Shkozës, aty ku një sërë barakash të komunitetit rom kanë marrë flakë këtë të enjte. Një përfaqësuese e këtij komuniteti ka replikuar me përfaqësuesin e PD-së në Këshillin Bashkiak Leonard Olli, duke i thënë këtij të fundit që të mos e politizojë çështjen.
“Mos përdorni vdekjet, mos përdorni raste të tilla. Nëse doni të ndihmoni, mos e politizoni cështjen. Nëse doni të ndihmoni këtë komunitet, bashkëpunoni me ta, mos e politizoni.”- tha aktivistja.
Në kundërpërgjigje Olli tha se askush nga përfaqësuesit e PD-së, që kishin ardhur në Shkozë, nuk kishte mbërritur për të përfituar kapital politik por për të sensibilizuar organet kopetente.
Në zgjidhe të situatës Bashkia e Tiranës ka caktuar ngritjen e disa çadrave për romët e prekur nga zjarri në Shkozë. Ky propozim i Bashkisë është kundërshtuar nga Olli i cili ka kërkuar një zgjidhje afatgjatë.
Pak më parë situata u tensionua mjaft, kur disa pjesëtarë të komunitetit romë filluan të godasin me gurë vetratat e njërit prej pallateve të banesave sociale që ndodhen aty pranë.









