Një shqiptar në qytetin e Newcastle në veri të Anglisë, i cili shkoi në spital për t’u kuruar nga një tumor në tru, është arrestuar si i dyshuar për parregullsi me lejen e qëndrimit.
Sipas BBC, Lorenc Hoxha, 27 vjec, supozohej të hynte në operacion të martën, por i është anuluar, pasi ishe njoftuar policia.
Spitali “Newcastle’s Royal Victoria Infirmary” ka njoftuar se trajtimi nuk përbënte urgjencë. Avokati i Lorenc Hoxhës ka thënë se “klienti i tij u mor direkt nga spitali për tu çuar në qelitë e policisë, i veshur me pizhama dhe pandofla”.
Gjithashtu, avokati ka njoftuar se disa diagnostifikime nuk i janë bërë, pavarësisht se kishte nevojë për biopsi, me arsyen se nuk kishte leje qëndrimi në Angli.
Lorenc Hoxha, njofton BBC, është diagnostikuar me tumor në tru në spitalin “Gateshead’s Queen Elizabeth Hospital”.
“Një vendim mjekësor u mor dhe mjekimi nuk ishte i nevojshëm në një kohë të menjëhershme dhe urgjent. Pacienti ishte në gjendje të udhëtonte dhe të vijojë mjekimin në vendin e origjinës” ka thënë një zëdhënës i spitalit.









