6600 doza vaksinash janë kryer ditën e sotme në vend, duke e çuar shifrën totale të vaksinimeve në 765.643. Shifrat u bënë me dije nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila shkruan në Facebook se po vaksinimi masiv në vend vijon pa u ndalur për kapjen e objektivit 1 milion vaksinime brenda qershorit.
“765.643 vaksinime të kryera që prej fillimit të fushatës ShqipëriaBuzëqesh. Vijojmë pa u ndalur drejt objektivit 1 milion vaksinime brenda qershorit”, shkruan Manastirliu.
Vaksinimi masiv vijon në të gjithë vendin me program kalendarik, ndërsa dy ditë më parë nisi edhe vaksinimi i 14 mijë punonjësve të transportit publik.
Deri më tani, në Shqipëri kanë mbërritur më shumë se 847 mijë doza të vaksinës kundër COVID, ndërsa doza të tjera pritet të vijnë në ditët në vijim.
Situata me pandeminë në vend është stabilizuar, ku në 24 orët e fundit u regjistruan 21 raste të reja infeksioni, ndërsa 1 person humbi betejën me COVID.
/b.h











