Nezir Mehmetaj nga fshati Rudicë e Klinës, të premten është ndaluar nga Policia serbe në pikën kufitare “Merdare”.
Rastin për “Telegrafi”-n e kanë bërë të ditur familjarët e tij.
Neziri jeton që 25 vite në Zvicër, dhe kishte qenë për pushime në Kosovë, por për shkak që nëna e tij ishte e sëmurë, ai kishte shkuar në Beograd, për t’ia bërë analizat.
Teksa po kthehej në Kosovë, ishte ndaluar në kufi nga doganierët serbë, duke i thënë se gjendet në ‘Stop listë’.
Me të në veture gjendej nëna e tij dhe një kushëri, ndërkaq që të dy janë liruar.
Neziri, përmes një mesazhi i ka thënë familjes së tij se janë duke e dërguar në Beograd, ndërkaq asgjë tjetër nuk dinë.
Familja e Nezir Mehmetajt, ka apeluar të institucionet e vendit që të ndërmarrin masa që të kuptohet arsyeja e ndalimit të Nezirit.

Për rastin ne fjalë ka reaguar edhe ministri i Jashtëm në detyrë Behgjet Pacolli i cili dënon arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj.
Mediat kosovare shkruajnë se ndalimi i Mehmetajt është bërë pasi ai së bashku me një mik kanë dërguar nënën e tij për trajtim mjekësor në një spital në Serbi.
”Ne e dënojmë arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj nga policia serbe dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij. Zyra jonë e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit” shkruan Pacolli në një postim në facebook.
Më tej Pacolli nënvizon se duhen marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetarëve të Kosovës.
”Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike. Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe Brukseli, nga ana tjetër, duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetareve të Kosovës dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve.”
Familjarët e Nezirit janë shprehur se fillimisht ai është dërguar në Kurshumli e më pas në Beograd.
g.kosovari











