Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës pranon se Daije Ramku, drejtoreshë në shkollën 9-vjeçare “E Kuqe”, është në një proces gjyqësor dhe për të vendosur për fatin e saj do të pritet vendimi i formës së prerë, ai i Apelit. Pak ditë më parë, “Gazeta Shqiptare” denoncoi faktin se Ramku, në shtator të këtij viti është dënuar nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe, ndonëse ishte në proces, ishte emëruar në detyrën e drejtoreshës së shkollës 9-vjeçare.
“GSH” bëri publik gjithashtu edhe faktin, se Ramku e kishte apeluar vendimin në shkallën e dytë të gjyqësorit. Këto fakte pranohen zyrtarisht edhe nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës, e cila vë në dispozicion të Gazetës, dëshminë e penalitetit të znj.Ramku, e cila rezulton të jetë e padënuar.
Dëshmia e penalitetit e drejtoreshës Daije Ramku te shkolla “E Kuqe”, është e pastër dhe sipas Drejtorisë Arsimore të Tiranës, ajo do vijojë ta drejtojë këtë shkollë të Tiranës me rreth 1100 nxënës, derisa vendimi i gjykatës të jetë i formës së prerë.
Po ashtu, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Tiranës, në krye të vendimit ku relatohen të dhënat e së pandehurës, rezulton se ajo është me shkollë të mesme. Por në përgjigjen e saj, DAR Tiranë ka sjellë edhe një kopje të diplomës së Ramkut. “Znj. Daije Ramku, sipas diplomës së Universitetit të Tiranës, lëshuar më datë 07.07.1993, ka përfunduar studimet në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, me titullin ‘Mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë për shkollën e mesme’, pranë këtij universiteti.
Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e pandehura Daije Ramku, për periudhën nëntor 2005-nëntor 2008, ka ushtruar detyrën e administratores së godinës nr.2 të Mjekësisë pranë Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve nr.2, Tiranë. Në kuadër të kësaj detyre, e pandehura, duke bashkëpunuar me arkëtaren e kësaj ndërmarrjeje, ka hartuar mandatpagesa në emër të studentëve të ndryshëm, duke falsifikuar nënshkrimet e tyre dhe duke përfituar pagesat e siguracionit që studentët i paguanin në fillim të çdo viti akademik.
Në lidhje me këtë vepër penale, në datën 3 shtator 2015, është dënuar nga Gjykata e Tiranës, ku është cilësuar fajtore për akuzën e “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën”, në bashkëpunim, dhe dënuar me 1 vit burgim. Gjykata ka urdhëruar pezullimin e ekzekutimit të vendimit për një afat prej 2 vitesh, kohë gjatë së cilës Ramku nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale dhe të mos shoqërohet me persona të dënuar.
Gjithashtu, gjykata urdhëron që e pandehura Daije Ramku të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës Tiranë. Në fakt, vendimi i fajësisë nuk ka marrë formë të prerë, pasi të pandehurit mes tyre dhe Ramku e kanë apeluar vendimin. Aktualisht, dosja ndaj Ramkut ndodhet në Gjykatën e Apelit Tiranë në pritje për t’u shqyrtuar.
BW