Nga Bedri Islami
Asgjë nuk të dhëmb më shumë se sa humbja në vendin ku ke qenë i bindur se, edhe po të mos lëvizësh as gishtin, je i fituar. Humbja e Shkodrës mbetet goditja më e rëndë e jetës plurale të Foltores dhe kreut të saj, Berisha.
Asgjë nuk e shmang dot këtë dhe po ashtu, askush nuk mund të ketë një përfytyrim tjetër. Humbja e Foltores ishte e pafund, aspak e mistershme, krejt e hapur, dhe, më në fund, ndëshkimi për një gjendje të pamenduar ku kalon opozita.
Në ditët e fundit, e jo vetëm në ditët e fundit, humbja e Shkodrës si bastion politik i opozitës, synohet të mbulohet me atë që në fakt nuk ka ndodhur: blerjen e votave – për këtë duhet të ishin hedhur miliona euro dhe qyteti të ndjente ndryshimin; me votat e ardhura në të majtë të Agron Çelës – votat e të cilit dikur ishin të mira dhe papritur u bënë të këqija; me dhunën e Tom Doshit, për të cilën nuk u ankua askush, dhe, tani në fund, me takime e filmime alla-Babale të drejtueses politike të qarkut, Spiropali.
Në fakt është alibia e minutës së fundit të Berishës, sepse nuk ka pasur asnjëherë takime, as të filmuara dhe as të pa filmuara të Spiropalit me Bajrat, ashtu si nuk ka pasur asnjë kontakt me figura që dikur bënin ligjin e të fortit dhe mburreshin se ishin detashmentet luftarake të opozitës së sotme.
Berisha e di fare mirë këtë, e di po ashtu se blofi i radhës nuk sjell dot përmbysjen e asaj që ndodhi në 14 maj, dhe se koha kur mund të digjje fletët e votimit nëpër përrenjtë e Shijakut ka ikur.
Por për të, dhimbja bëhet më e ndjeshme kur ajo kalon përmes emrit të Spiropalit. Në të shkuarën, kur opozita kishte përballë figura të njohura ose pak të njohura të së majtës, si Bushati apo Beqja, për të kaluar në një zë të heshtur si Bilali, pavarësisht se ishin nga familje të dëgjuara ose pak të dëgjuara, kjo nuk e kishte penguar opozitën, në dy gjendjet e saj, edhe kur qeveriste, edhe kur ishte në pakicë, të kishte qytetin dhe qarkun e Shkodrës bastionin e saj politik.
Për më tepër, të lidhur fort me bandat politike, të cilat nuk e kishin për gjë që, nën urdhrin e zonjës Topalli të merrnin armët dhe të ndërpritnin rrugën kryeministrit të kohës, Nano, ta kërcënonin me vdekje, të shkrepnin armët mbi kokën e tij, të digjnin shkolla, të nxirrnin në rrugë gjithë atë kategori njerëzore që më pas do të ishte objekt i drejtësisë, dhe, si duke dashur të jepte mbulesën e tij politike për çfarë ndodhte, kreu i tanishëm i Foltores, atëherë drejtues i opozitës, të deklaronte se, “Shkodra nuk i do socialistët, përse shkon kryeministri në Shkodër”.
Ka qenë dëshirë e kahershme e një pjese të opozitës kantonizimi i Shkodrës, ndarja e saj si pjesë në vete, e shfaqur edhe në parullat e 2 prillit 1991, “Shkodra – republikë”, të filmuara vetëm nga televizioni i Malit të Zi, ashtu si është e njohur përgjigja kategorike e ish presidentitit, në vitin 1991 se, “socialistët nuk vijnë më në pushtet për 50 vite dhe nuk do e lejojmë ardhjen e tyre”.
Tani, si alibi për humbjen, pas “gjetjeve” të tjera të zakonshme, që duhet të jenë në librin e botuar së fundmi nga opozita, kalimi i Shkodrës nga një pozicion i ngurtësuar politik, si bastion i opozitës, në një zgjidhje tjetër, më të besueshme, më njerëzore dhe të pa provuar, Foltorja sajoi takimet të pandodhura dhe të pamenduara se mund të ndodhnin të Spiropalit me pjesëtarë të familjes Bajri.
Njëra nga shëmtitë e zakonshme të politikës së opozitës, që e ka bërë prej kohe. Ajo vetë ka dhjetëra raste në fushatat e fundit politike kur përdori detashmente të organizuara. Përdori foto montazhe. Krijoi precedentin “babale”. Krijoi grupet e ruajtjes së votës me armë. Si një krijesë paralele e strukturave të mbrojtjes së ligjit. U takuan me njerëz që më pas ishin pjesë e krimit. Që në një kohë të caktuar ishin ende të lirë. Askush nuk i paragjykoi. Nëse do të ishte kështu pak nga liderët e opozitës do të ishin sot në gjendje të lirë, që nga Gazmend Bardhi, “ ylli” në ngjitjen e dytë në opozitën e tashme, që bridhte me ish policë dhe gardistë të armatosur, deri te shumë nga këta krejt pranë Berishës.
Humbja e Foltores në Shkodër nuk ka asnjë lidhje me familje të caktuara. Nëse do të perceptohej kështu kjo do të ishte fyerje e madhe që i bëhej qytetarisë së Shkodrës, njerëzve të saj, familjeve të tëra, edhe nga ish të përndjekurit dhe të burgosurit politikë, që, në këtë rast, sipas Foltores, u qenkan nënshtruar dhunës, presionit dhe bandave mafioze.
Qyteti që për disa dekada mbajti frymën e lirisë nuk mund të bëjë kompromis me ndërgjegjen dhe dinjitetin e tij, e as nuk mund të jetë peng apo alibi i periudhës që duhej mbyllur, i forcës politike që e braktisi në fatin e saj për 30 vite, që nuk bëri asgjë për t’u shënuar dhe luajti fort me mbështetjen e tij.
Foltorja humbi nga vetja. Humbi nga zgjedhjet e saj. Në 32 vite nuk ka pasur asnjë krye bashkiak për t’u mbajtur në mend, asnjë vlerë për të qenë e denjë për qytetin. Të gjithë që e qeverisën lanë pas vetes brenga, punë të pa mbaruara, por ikën shumë herë më të pasur se sa kishin qenë katër apo tetë vite më parë.
Përgjithësisht njerëz mediokër, pa vizion për qytetin dhe pa imazh politik, të drejtuar nga një njeri në pas skenën e tyre, zonja Topalli, të dehur me pushtetin dhe pa asnjë synim për të lënë diçka të bukur pas, ato ishin sinonimi i qeverisjes.
Berisha humbi përballë dy figurave interesante që i vendosi përballë e majta qeverisëse, që, po ashtu, në tetë vitet e para të drejtimit pak ka bërë për Shkodrën. Eliza Spiropali, si drejtuese politike e së majtës dhe Benet Beci, figura më interesante që mund të kishte zgjedhur e majta për Shkodrën.
Spiropali mbetet debutuesja më e pa përtuar në parlament ndaj Foltores. Si duket, ajo gjeti rrugën për të bërë njësimin e dëshirës për ndryshim me faktin se ndryshimi mund të vijë përmes një ekipi të ri, dhe, kur e bëri këtë, ajo kishte të drejtën të thoshte përsëri, “ Të munda, Berishë, të munda, tani në sinorin tënd politik”.
Një humbje, të cilën kreu i Foltores nuk do ia falë kurrë, as tani, as në të ardhmen dhe, do të bëjë çfarë është e mundur për ta minimizuar. Si njeri i “kanunit”, humbjen nga një grua e ka dyfish të vështirë, dhe kjo do e bëjë betejën e tij ndaj drejtueses së qarkut të Shkodrës edhe më të rëndë, të vazhdueshme, deri në fund. Deklaratat e tij të fundit, që zakonisht nisin me “thonë se…” janë gjëja më e lehtë që mund të ndodhë.
Por kjo nuk e shpërbën faktin, se në Shkodër bindshëm, me më shumë se 12 mijë vota plus, qeveris e majta. Në bastionin e Foltores ka pasur edhe “kështjella” të së djathtës, që nuk priteshin të binin. Lagja “Skënderbeg” , ku kishte qenë gjithnjë fitore dërmuese e së djathtës, tani votoi bindshëm për të majtën. Kjo ndodhi edhe në lagje të tjera, ku Foltorja ndjehej e bindur.
Të mundësh kreun e Foltores në bastionin e tij, për më tepër, në kështjellat e tij brenda bastionit, është kafshatë që nuk kapërdihet. Një grua e re, aq më tepër jo e lindur në Shkodër, e bëri këtë.
Njerëzit ishin të lodhur nga qeverisja e djathtë, dhe, për më tepër, nga vetë e djathta. Ku ka pasur përherë krahë dhe asnjëherë nuk është lejuar mendimi ndryshe. Ku, nga “dritare” të ndryshme brenda një godine është hedhur aq shumë helm ndaj njëri tjetrit, sa nuk është hedhur nga jashtë, ku miqësitë e mëdha janë kthyer në armiqësi të përbindshme.
Këto e lodhën qytetin e Shkodrës, i lodhën njerëzit, i lodhën ish të burgosurit politikë dhe familjet e tyre, ish të internuarit, fise të tërë që e gjetën veten në degradimin e mendimit të tyre politik nga një shtresë e re që nuk e mendoi kurrë qytetin, por vetëm xhepin.
Nëse ata i hapën dyert Spiropalit dhe i besuan, kjo do të thotë shumë. Nëse të rinjtë e ndoqën atë në të gjitha takimet, edhe kjo do të thotë shumë. Nëse familjet e lidhura me luftën dhe me të majtën e mbështetën, kjo ka diçka përtej rolit të saj si drejtuese.
Nëse një drejtues i së djathtës do të shkonte për një kafe në një familje të lidhur me luftën dhe votuese e së majtës, do të bëhej batërdia. Spiropali shkoi në familjet e ish të burgosurve politikë me dekada, dhe kjo Shkodër e besoi, e kuptoi dhe e ndoqi.
Benet Beci ishte gjetja e duhur. Njeriu i qetë në qetësinë e tij, që ka lënë pas emrin në disa vepra dhe që, butësisht mund të fitonte më shumë se sa gjithë egërsia e Foltores. Njeriu që ka ngjallur besim te njerëzit, por që, nëse nuk mbështetet nga qeveria kuotat e larta politike mund të sheshohen dhe, bashkë me besimin në ndryshimin e mundshëm, të bjerë edhe figura e një njeriu që mund të bëjë shumë, sidomos përmes vizionit.
“Beteja” mes Foltores dhe Spiropalit, mes Berishës dhe Shkodrës , sapo ka hapur fillesën e saj. Është një ngjarje që nuk mund të harrohet, ashtu si nuk harrohen humbjet e mëdha. Si duket, në gjetjen e alibisë së humbjes diku tjetër dhe sidomos në takimet e Spiropalit, opozita nuk do të mësojë të vërtetën se humbja është vepër e saj, po aq sa është edhe vlerë e shumicës qeverisëse.
Eliza mund të jetë apo jo ministre e jashtme, mund të jetë apo jo në postin e saj, para saj kanë lëvizur presidentë dhe kryeministra, e do të lëvizin përsëri; ajo mund të ketë tani pikun e ngritjes së saj politike apo kjo është vetëm një hap tjetër në një jetë politike, por, duam apo jo, do të mbahet mend si gruaja që mundi Berishën në bastionin e tij, e për më tepër, edhe në kështjellat e tij brenda bastionit.
Të tjerat nuk janë edhe aq të rëndësishme. Kushdo e di të vërtetën e 14 majit, ashtu si e di të vërtetën e 2 prillit, si e di të vërtetën e braktisjes së një qyteti dhe shpresën për rilindjen e tij.