Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit të Shkodrës, për një prej anëtarëve të grupit, më konkretisht, personit nën hetim Kastriot Musa, ky i fundit ka apeluar masën e sigurisë “Arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, por kërkesa u rrëzua.
Nga ky vendim rezulton se pika kyçe e hetimeve në lidhje me grupin janë përgjimet, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me çështjen nga një denoncim të bërë në portalin “Jeta osh Qef”.
Në denoncimin në këtë portal thuhej se në lokalin “Tata” në Shkodër, shtetasi Frederik Tata, e përdorte biznesin e tij për të shfrytëzuar dy femra për prostitucion.
Ndërsa hetimet në lidhje me grupin dhe Frederik Tatën, ashtu si edhe seancat gjyqësore që janë zhvilluar për caktimin e masës së sigurisë janë shoqëruar me tensione nga familjarët, të cilët pretendojnë se organi i akuzës nuk ka prova për të akuzuar të afërmit e tyre.
Por tjetër gjë pretendon Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, sipas të cilës, çdo gjë është e dokumentuar me prova dhe dëshmi, të paktën të një prej personave të cilët mund të japin shpjegime si persona të cilët janë në dijeni të aktivitetit kriminal.
Ndërsa nga përgjimet ka rezultuar se shtetasja Sunila Mehja ka rolin e ndërmjetëses, ajo lidh vajzat me klientët si edhe siguron edhe taksinë për transport.
PERGJIMET
Sipas prokurorisë, në momentin e arrestimit, në lokal ka qënë i pranishëm edhe shtetasi me inicialet M.P, i cili ka dhënë deklarime në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale.
Ai ka shpjeguar para hetuesve se shtetasen Sunila Mehja e ka njohur në lokalin e shtetasit Rinar Tata (Frederik Tata), ku ka punuar si lulishtar. Sunila e ka njohur me shtetasen me inicialet A.N, me të cilën ka kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës prej 100 mijë lekë të vjetra.
Gjithashtu, organi i akuzës ka transkiptuar disa nga bisedat telefonike që personat e dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kanë zhvilluar me persona të tjerë. Konkretisht, një nga bisedat e zhvilluara ndërmjet shtetases, Sunila Mehja, e cila ka përdorur numrin telefonik 067 41 54 XXX dhe një personi tjetër, rezulton ky komunikim:
Sunila Mehja: Mkan ardh nja dy shoqe prej Durrsi, durrsake.
Personi X: Prej ka?
Sunila Mehja: Prej Durrsi. Hë po.
Personi X: A jan tmira, a jan tmira?
Sunila Mehja: Po po, hajt pra hajt, do bajm noj gja. Hajde mos vono veq”.
Në një bisedë tjetër Sunila Mehja i drejtohet një prej femrave që dyshohet se shfrytëzonte për prostitucion duke e pyetur “Ku je ti?” Pasi bashkëbiseduesja i përgjigjet se ndodhet në shtëpinë e të atit, Sunila Mehja vazhdon me fjalët “Ah mkan ardh nja dy, mkan ardh nja dy shokë”.
Ajo e sqaron se bëhet fjalë për dy shokë që kanë shkuar në lokal, personat janë turq dhe flasin shqip.
Gjatë komunikimit telefonik, Sunila i sugjeron si vend të kryerjes së marrëdhënieve seksuale lokalin e shtetasit Rinar Tata ose një lokal tjetër në Velipojë, që është lokal i shokëve të saj.
Komunikimet telefonike të kësaj shtetaseje përgjatë kohës së vënë në përgjim, konsistojnë në ndërmjetësimin për ushtrim prostitucioni midis klientëve dhe femrave që ajo shfrytëzonte për prostitucion, ku përcaktohet shuma e shpërblimit dhe gjetja e taksistit për transport.
Në një nga bisedat rezulton se shuma që merr taksisti është 3000 lekë të reja -“ Po tridhjetmijë lekë taksisti, tpaktën ni pesdhetshe duhet m’ja dhan asaj për tan natën”.
Një nga klientët e lokalit, e merr në telefon Sunilën duke negociuar si klient, për një nga femrat që ndodhej në lokal në tavolinë me të. Sunila Mehja i përgjigjet: “Ja ta gjej ni shoqe tjetër, ta gjej ni shoqe t’vetën.”
Këto përgjime, por edhe të tjera, sipas prokuorisë përbëjnë provat kryesore që vërtetojnë se personat e arrestuar kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.
ARRESTIMI
Në kuadër të operacionit të koduar “Balerina”, policia e Shkodrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, bën arestimin e 7 personave duke shkatërruar kështu rrjetin e prostitucionit që operonte prej kohësh në këtë qytet. Hetimet për këtë grup zgjatën disa muaj, ndërsa në pranga përfunduan Rinard Tata, 50 vjeç, banues në Shkodër dhe i dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale.
Kastriot Musa, 41 vjeç, banues në Barbullush të Shkodrës. Sunila Mehja, 32 vjeç banuese në qytetin e Shkodrës. Shtetaset me iniciale, A.M, A.Ll, A.N, A.M, të cilat kanë ushtruar prostitucion.
Gjithashtu është proceduar dhe vazhdojnë hetimet në gjendje të lirë për shtetasin me iniciale K.N, banues në qytetin e Shkodrës.
Gjithashtu në lidhje me këtë rast, prokuroria sekuestroi edhe ambientet e lokalit tre katësh ku kryhej veprimtaria kriminale, dy automjete, një armë zjarri, shtatë orë dore dhe një sasi të konsiderueshme bizhuterishë floriri të ndryshme. Një laptop dhe 8 telefona celularë të markave të ndryshme, si dhe një sasi parash të fituara nga aktiviteti kriminal.
Hetimet, përgjimet dhe arrestimi, si funksiononte skema e prostitucionit
Në bazë të informacioneve të para të policisë, shtetësja Sunila Mehja, e dënuar më parë për veprën penale të “Ushtrimit të prostitucionit”, dyshohej se shfrytëzonte femra të moshave të ndryshme për prostitucion.
Këtë veprimtari e ushtron në bashkëpunim me shtetasin Rinar Tata në lokalin e ndodhur në lagjen “Salo Halili” të qytetit të Shkodrës.
Për shkak të këtyre dyshimeve, ambienti i lokalit në fjalë është mbajtur nën vëzhgim nga shërbimet e policisë gjyqësore.
Në vazhdim, më datë 22.02.2017 shërbimet e policisë kanë këqyrur informacionin e postuar në rrjetin social “Facebook”, konkretisht postimi i bërë në portalin “Jeta osh qef” ku është hedhur një postim sipas të cilit personi me emrin F. Tata shfrytëzon për prostitucion dy femra në objektin e tij bar-kafe “Tata”.
Për të zbuluar këtë aktivitet kriminal, organi i akuzës ka autorizuar kryerjen e veprimeve simuluese në Drejtorinë e Forcës Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Nga veprimet e vëzhgimit dhe ato simuluese ka rezultuar se shtetasi Rinar Tata me mjetin e tij “Land Rover”, me targa AA313MV ka kryer personalisht transportin e shtetaseve me inicialet A.M dhe A.M në hotel “Giorgio”, një nga hotelet ku këto shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion. Pasi i ka dërguar aty, shtetasi Rinar Tata është larguar.
Në kuadër të këtyre veprimeve me datë 18.11.2017, ora 13:15 është ushtruar kontroll në objektin Bar-kafe “Tata” dhe është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve Rinar Tata, Sunila Mehja dhe disa persona të tjerë të cilët dyshohen se janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Ndërkohë me realizimin e veprimit simulues dhe pasi shtetaset A.M dhe A.M kanë marrë pagesën e shpërblimit, punonjësit e policisë më datë 18.11.2017, në orën 13:15 kanë ndërhyrë për të vazhduar me kryerjen e veprimeve hetimore të mëtejshme.
Pas kësaj, shtetases me inicialet A.M iu gjetën në rrobat e brendshme shuma prej 8000 lekësh, kartmonedha me prerje 2000 lekëshe. Kjo shumë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
E njëjta shumë iu gjet dhe iu sekuestrua edhe shtetases tjetër A.M. Ndërsa gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, u konstatua që lokali përdorej si bar kafe, kati i dytë nuk ka ambiente dhe dyer, ka shkallë që shërbejnë për të kaluar në katin e tretë.
Në katin e tretë ndodhet një dhomë ku u gjetën dokumentet identifikuese të shtetasit Kastriot Musa dhe një letër fotokopje për kartë banke e shtetases A.M.
Në katin e katërt ndodhet dhoma e shtetësit Rinar Tata, në këtë dhomë janë konstatuar në dollap rrobat e shtetases Sunila Mehja.
Sipas prokurorisë, këqyrja është shoqëruar me fotografi.Gjatë hetimeve ka rezultuar se lokali është disa katësh, ku kati i parë shërben si bar-kafe ndërsa kati i dytë funksionon si hotel.
Në këtë objekt strehohet edhe shtetasja Sunila Mehja. Lokali i përket shtetasit Rinar Tata, i cili mbrëmjeve, pas orës 21:00 organizon aktivitete argëtimi me muzikë “Live”. Në ambientet e këtij lokali qëndrojnë femra të moshave të ndryshme, të cilat sipas organit të akuzës kundrejt pagesës shfrytëzoheshin për prostitucion.
Këtë aktivitet, shtetasi Rinar Tata e ushtron në bashkëpunim me shtetasen Sunila Mehja, e cila rekruton femra me qëllim të posaçëm kriminal.
Me ndërmjetësimin e saj, në ambientet e këtij objekti shtetaset A.M dhe A.M, ushtrojnë prostitucion kundrejt pagesave të ndryshme me klientë të ndryshëm të cilat variojnë nga 3000 lekë, 10.000 lekë apo edhe më të larta.
Klientët komunikojnë në telefon me Sunilën ose shkojnë në lokal duke komunikuar drejtpërdrejt me pronarin e objektit, Rinar Tata dhe bashkëpunëtoren e tij shtetasen, Sunila Mehja. Pasi arrijnë marrëveshjen, klientëve u ofrohet një nga femrat e rekrutuara të cilat kryenin marrëdhënie seksuale në këtë lokal kundrejt shpërblimit ose në hotele të ndryshme të qytetit Shkodër.
ma.me