Policia e Shkodrës ka njoftuar se ka sekuestruar 174 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa, në dy operacione antidrogë që çuan edhe në arrestimin e 6 personave, ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim.
Të arrestuarit nga operacioni i parë janë 20-vjeçari Ndue Grrela, 46-vjeçari Kastriot Toma, 35-vjeçari Ndoc Zhuri dhe 31-vjeçari Fran Preka. Në kërkim është shpallur 24-vjeçari Gjon Macaj.
Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë në aksin rrugor Shkodër-Dukagjin, më saktësisht në fshatin Theth, në automjetit Mitsubishi me targa AA 442 BX, me drejtues mjeti shtetasin Ndue Grrela, janë gjetur dhe sekuestruar 6 thasë me kanabis, me peshë totale 45 kilogramë.
Ndërkohë, në një tjetër operacion antidrogë, janë arrestuar 46-vjeçari Eduart Sallaku dhe 25-vjeçari Prekë Shpendi, të dy banues në Tiranë, pasi nga konrolli i ushtruar në afërsi të fshatit Theth, është gjetur i braktisur mjeti tip “DACIA” me targë AA 182 AH, brenda të cilit janë gjetur 129 kilogramë kanabis.
/ Top Channel