NGA GJERGJ FRASHERI
Për shkencën dhe shkencëtarët shqiptarë në dy dekadat e fundit, Shqipëria jonë e vogël është rrudhur, është bërë edhe më e vogël Institucionet shkencore që u ngritën për herë të parë në historinë e këtij vendi përgjatë gjysmës së dytë të shek. 20 patën detyrë themelore të zbulonin pasuritë e vendit, të hartonin strategjitë dhe të ushqenin politikën në planifikimin e shfrytëzimit të këtyre pasurive kombëtare. Ngritja e institucioneve shkencore ishte pjesë e mendimit të ideologëve të Rilindjes Kombëtare, se si duhej të bëhej Shqipëria. Rezultati i veprimtarisë shkencore të tyre u konkretizua në veprat e panumërta multidisiplinore të ndërtuara në dekadat e mbasluftës në çdo periferi qyteti dhe krahine të Shqipërisë. Në këto vepra u punësua, u arsimua dhe u kualifikua populli dikur analfabet dhe me padituri shekullore qytetare.
Institucionet përjetuan shkallëzimet njohëse shkencore nëpërmjet aftësimit arsimor- kualifikues dhe atë tekniko-organizativ të shkencëtarit shqiptar. Mjerisht sot veprimtaria shkencore e këtyre institucioneve është në lëngim, në shuarje. Pasqyrë e saj është rrënimi i prodhimit vendës në tërësinë e degëve të tij, përpos mbylljes dhe shkatërrimit të veprave prodhuese shtetërore të ndërtuara për gati gjysmë shekulli me mundin dhe djersën tonë mbarëpopullore. Institucionet tona kanë humbur shumë nga efikasiteti për detyrën themelore që u krijuan, sepse shteti po e kërkon përherë e më pak vizionin e tyre shkencor. Për pasojë, energjia e shkencës shqiptare në tërësi dhe idealizmi frymëzues i shkencëtarëve shqiptarë në veçanti po përjetojnë mbijetesën, prej braktisjes që i ka bërë vetë shteti i tyre. Prej vitesh shteti i ka kthyer shpinën prodhimit shkencor.
Shkencëtari i ngjan qytetarit të cilit i është mbyllur fabrika, ose fshatarit që i është mbyllur kooperativa e dikurshme, që tashmë pa alternativë tjetër kërkon punë çdo mëngjes dhe bën atë që i del përpara. Shpesh nuk bën asgjë, derisa detyrohet të braktisë të ardhmen që kishte ëndërruar. Degradimi i institucioneve shkencore të vendit dallohet dukshëm qysh prej vitit 1997, qëkurse filloi bastisja pasurisë kombëtare shtetërore. Koha tregoi se ky degradim sistematik i shkaktuar nga politika e vendit nëpërmjet vendimeve të mbrapshta dhe “reformave” të dështuara nuk ka qenë pa qëllim. Fati i institucioneve shtetërore është i njëjtë me fatin uzinës, fabrikës, kombinatit, fermës shtetërore, etj. Këtë program të politikës e tregon realiteti i sotëm – rënia e fuqisë prodhuese shkencore të institucioneve të vendit në përgjithësi dhe i kualitetit të vetë Akademisë së Shkencave në veçanti. Dobësimi i tyre shkencor, politik dhe financiar ka arritur deri në atë shkallë, sa ato sot nuk janë të afta të thonë fjalën e tyre në inskenimet politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore të vendit. Nuk kanë fuqi të marrin pjesë në strategjitë dhe bëmat e shtetit postsocialist në shpronësimet e pasurisë shtetërore dhe në pronësimet private të pasurive kombëtare, të cilat po kryen me një zell dhe histeri të shfrenuar deri antikombëtare, duke rrezikuar pavarësinë e vendit.
Puna ka arritur deri aty, sa sot institucionet shkencore të Shqipërisë të zhveshura nga idealizimi për identitetin dhe mbijetesën kombëtare, të ligështuar nga aftësitë financiare dhe të mbushur me militantë partish sterilë për nga kualiteti shkencor, bëjnë sehir duke parë shtetin, parlamentin dhe qeveritë e Shqipërisë, se si ato lozin me shndërrimin dhe shpërfytyrimin e pasurinë kombëtare në pronësi private, duke privatizuar edhe atë që nuk duhet kurrsesi privatizuar, për t’ia ndarë të preferuarve të pushtetit tashmë kapitalist të Shqipërisë. Çështja është nëse ka perspektivë, përkrahja që duhet t’i kushtojë shteti i sotëm prodhimit shkencor? Perspektiva fillon nga vlerësimi i prodhimit të së kaluarës. Por, po ndodh e kundërta. Vepra e institucioneve shkencore dhe e shkencëtarëve shqiptarë e arritur në shekullin e kaluar vazhdon të injorohet me tendencë nga politika e sotme arsimore, të mos bëhet e njohur në shkolla dhe në institucionet e reja si arritje kombëtare, të mos përdoret prej saj në edukimin e gjeneratave të reja me historinë e shkencës shqiptare. U mbush një çerek shekulli që politika dritëshkurtër vendëse e Shqipërisë po e përçmon në mënyrë të pafalshme këtë vlerë të arritur të shkencës në Shqipëri.
Pa shkencë kombëtare nuk zbulohet, nuk mbrohet dhe nuk mbijeton identiteti kombëtar. Në një botë të hapur si kjo e sotmja, asimilimit kombëtar nuk mund t’i rezistosh pa ekonomi të pavarur dhe pa shkencë të pavarur, e cila studion dhe argumenton shkencërisht identitetin kombëtar. Kemi arritur deri aty, sa shteti, qeveria dhe udhëheqja politike e vendit akuzojnë, godasin dhe bëjnë përgjegjës institucionet shkencore shtetërore të veta, për falimentimin e shkencës dhe të shkencëtarëve brenda shtëpisë. Dëgjon udhëheqjen e vendit që bën fajtore Akademinë e Shkencave për falimentimin e saj, me cilësimin se “Akademia e Shkencave është pamja më kuptimplotë e rrënimit të gjithë sistemit të të bërit shkencë në Shqipëri”. (Rama: Gjendja e Akademisë së Shkencave mjeruese, tronditëse. Sikur Çabej të ngjallej do habitej, ‘Tema Online’, 01.09.2016). Është si babai që bën fajtor fëmijën e vet të mitur pse familja është aq e varfër, pse nuk ka bukë në shtëpi dhe pse ai është i mitur dhe kërkon bukë.
Dritëshkurtësia e politikës është një fyerje dëshpëruese ndaj institucionit dhe shkencëtarit, e cila sinjalizon për një fatalitet të pashpresë për të ardhmen e shkencës sonë. Ideologjia, politika dhe natyra besimtare e shtetit të një kombi mund të ndryshojnë gjatë kapërcimeve transitore të sistemeve politike apo profilesh të pushtetit, por veprimtaria e shkencës për identitetin dhe mirëqenien e një kombi vazhdon përtej këtyre ndryshimeve. Ky realitet është një nga anët më të dukshme që e dallon prapambetjen e Shqipërisë së sotme nga qytetërimi evropian, prej mosvlerësimit dhe injorimit që ajo i bën shkencës së vet kombëtare dhe mendimit shkencor të shkencëtarëve shqiptarë. Pesha e punës së institucioneve shkencore dhe ajo e shkencëtarëve vendës matet me veprat e dala nga mendja e tyre në interes kombëtar.
Nga viti në vit janë rrudhur programet dhe projektet e tyre, gjithnjë e më pak po shohim nga dora e tyre vepra me rezultate të reja cilësore shkencore bashkëkohore, gjithmonë e më shumë po mënjanohen ato nga programet strategjike perspektive të vendit, gjithnjë e më pak po kërkohet profesionisti vendës me kualifikim evropian bashkëkohor, përherë e më shumë projektet e Shqipërisë po bëhen pronë e institucioneve të huaja dhe të shkencëtarëve të huaj. Akademikët tanë u ngjajnë gjeneralëve me uniformë, por pa brigadë. Institucionet shkencore po veniten prej vitesh në konvikte (kazerma) partie, ku ndërrohen pareshtur turne rekrutësh me “specialistë nga gjenerata e re”, të gatshëm për shumë lloj punësh, por jo të tillë për t’i dhuruar jetën përkushtimit shkencor. Për të legjitimuar preferencën që politika e sotme e Shqipërisë tregon për strukturat institucionale dhe individuale të huaja kundra atyre vendëse, dëgjojmë udhëheqës të lartë të qeverisë të shprehen se Shqipëria nuk ka më shkencëtarë apo projektues të zotë që t’u besohen veprat në vend, se ajo nuk ka më institucione shkencore dhe projektuese të vendit në nivel kualifikimi për t’iu përgjigjur kërkesave që ka qeveria për “vepra bashkëkohore”.
Pyetja më e drejtpërdrejtë është – nëse këto vërtet mungojnë, përse qeveria nuk punon për krijimin e tyre? Ndoshta sepse në Shqipëri nuk kanë më perspektivë veprat shtetërore, apo sepse shkencëtari vendës mund të jetë pengues i privatizimeve të pasurive të shenjta (simbolike) kombëtare, apo dëshmitar (denoncues) i pronësimeve private që po kryhen mbrapa kulisave! Shqipëria sot nuk ofron as punë dhe as kualifikim shkencor për vendësit, në kuptimin bashkëkohor të fjalës. Ka shumë më shumë se më parë njerëz me diploma, me mastera, me doktoratura, me profesura, me dëshmi kursesh e kualifikimesh të kryera brenda dhe jashtë vendit. Prandaj pyesim – a nuk ka midis tyre të aftë për të realizuar “veprat” që qeveria i realizon me të huajt në Shqipëri? Ofertat që qeveritë postsocialiste të këtij vendi na kanë vënë përpara ne shqiptarëve, sidomos në pesë vitet e fundit, nuk janë ftesa për punë shkencore, por janë vetëm kërkesa bashkëpunimi për të hedhur firmën në të bardhë për punë të pakryer, sikur puna është kryer.
Vendi po humbet përditë drejtimin profesional dhe dëshirën për të komanduar vetë gjymtyrët e tij. Shkenca dhe shkencëtarët aktualisht janë të përjashtuar në këtë pikë. Zelli shkencor, mendja e shëndoshë dhe dituria kombëtare po zbohet si e padëshiruar nga vendi. Mjediset urbane të “rilindura” po mbushen nga gjenerata me bustina droge nëpër duar dhe me “dituri” të amerikanizuar në një taban të pacivilizuar. Legjione të huajsh kanë bërë terren në “ndërtimin” e këtij vendi tejet të vogël, i cili është bërë vërtet i vogël, sa nuk ka vend pune as për ne vetë shqiptarët. Politika flet përditë për “rilindje” ekonomike në këtë republikë të papunëve dhe në këtë shtet të gozhduar në kryqin e borxheve të huaja, në këtë vend kampion të drogës në Europë dhe të korrupsionit mbytës shtetëror, në këtë vend diletantesk të qytetarisë së rruzullit.
Por më e mjerueshmja – shkenca dhe shkencëtarët shqiptarë po e humbasin dita-ditës të drejtën dhe shpresën për t’i shërbyer vendit, po humbasin shqiptarinë. Këtë rrugë kanë marrë edhe shkencat albanologjike dhe albanologët vendës. Albanologjia me fillesat e saj si shkencë europiane në kohën e Renesancës, i pati për shekuj qendrat studimore akademike të saj jashtë Shqipërisë dhe jashtë trojeve shqiptare. Por në vitet ‘70-‘80 të shekullit të kaluar, qendra botërore e gravitetit të veprimtarisë së albanologjisë u shpërngul në Shqipëri. Rezultatet shkencore të veprës së pashembullt albanologjike, që bënë shkencëtarët vendës në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, si dhe ndërgjegjja politike e Shqipërisë së asaj kohe për zhvillimin dhe mbrojtjen e albanologjisë, e shpallën në mënyrë të merituar Tiranën, kryeqytetin botëror të saj. Kjo ishte meritë shkencëtarëve albanologë shqiptarë, e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe institucioneve vendëse të ngritura mbas luftës.
Kjo shënoi apogjeun e zhvillimit albanologjik të bërë tashmë nga shkencëtarët shqiptarë dhe të varësisë së albanologjisë botërore nga rezultatet e saj në Tiranë të kurorëzuara nga kuvendet ilire. Kjo tregoi për herë të parë se albanologjia mund të zhvillohet më mirë në trojet e veta dhe nga shkencëtarët vendës. Shkencëtarët dhe veprimtarët e këtij lumi të vrullshëm patriotik në zbatim të programit të ideologëve të Rilindjes Kombëtare i përballuan sakrificat e kohës së diktaturës me idealizëm, frymëzim e dashuri patriotike për të zbuluar dhe treguar pasuritë origjinale të Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare. Ka qenë koha kur shkencëtarëve dhe albanologëve të Shqipërisë iu kërkohej në çdo hap përgjegjësia për nxjerrjen në dritë nga puna dhe mendja e tyre – prodhimin “made in Albania”. Ka qenë koha kur albanologjia europiane dhe ajo botërore u angazhua për të integruar rezultatet e albanologjisë së Tiranës.
Ka qenë koha kur për rezultate shkencore albanologjike u besohej më tepër institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe shkencëtarëve vendës se sa atyre të huaja. Ka qenë koha kur shkencëtarëve nga Shqipëria u njihej vepra dhe u besohej shkollimi dhe kualifikimi i tyre vendës në mjediset arsimore evropiane e më tej. Mbi të gjitha flet vepra albanologjike e asaj kohe. Sot, kjo arritje e albanologjisë të shekullit të kaluar është rrëzuar politikisht, sepse tashmë po e lëvrojnë dhe investojnë më shumë të huajt. Ajo është rrëzuar edhe shkencërisht, sepse veprimtaria dhe publikimi më i dukshëm (sasior) i veprës albanologjike është i shkencëtarëve të huaj ndaj autorëve shqiptarë. Shqipëria është bërë si han pa porta për “veprimtarët” e huaj të albanologjisë, ndërsa i ka mbyllur të gjitha portat për ata pak shkencëtarë shqiptarë që kanë mbetur. Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit kujdesen për të vënë në skenë këtë pjesë teatrale antikombëtare. Është rrëzuar një tempull kombëtar me rrezatim ndërkombëtar.
Sot ky tempull është kthyer në rrënojë, që edhe si rrënojë flet si dokument për identitetin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Ashtu siç i ka braktisur në tërësi institucionet shkencore, shteti i sotëm ka braktisur dhe mënjanuar edhe albanologët vendës në të gjitha aspektet. Shteti i sotëm nuk ka më program kombëtar në këtë lëmë, pikërisht tani, kur kufijtë e bashkëjetesës kombëtare me pjesët historike u hapën. Sot shkenca e Shqipërisë nuk ka rezultate të veta, nuk prodhon më rezultate “made in Albania”. Në Shqipëri prodhojnë të huajt shkencë për qëllimet e tyre të vjetra e të reja, duke përdorur edhe emra “shkencëtarësh” shqiptarë të rekrutuar që i heqin hundësh financiarisht, që të bëhen të besueshëm dhe të pakundërshtueshëm në të ardhmen. Aktualisht shteti i sotëm i Shqipërisë nuk ka nevojë për shkencëtarë që punojnë për çështjet kombëtare. Ai ka nevojë vetëm për “shkencëtarë” kacekë që t’i fryjnë prushit të politikës së ditës, për shkencëtarë “votash” për mbijetesën e pjesës së zezë të pushtetit, ka nevojë për ata të llojit që janë të gatshëm të mbulojnë vjedhjen mbi pasurinë kombëtare.
Ka nevojë vetëm për “shkencëtarë” që bashkë me politikën, të legjitimojnë programet ideologjike dhe financimet e huaja, të “argumentojnë” domosdoshmërinë e ndërhyrjes të huajve në çdo hap të veprimtarisë së vendit. E njëjta ndodh edhe me veprimtarinë shqiptare në fushën e Trashëgimisë Kulturore në përgjithësi dhe atë në fushën e arkeologjisë dhe të mbrojtjes së monumenteve të kulturës. Kujtojmë se këto sfera të albanologjisë u themeluan dhe u ngritën në nivelin bashkëkohor nga energjia patriotike e shekullit 20. Shqipëria e mbasluftës mblodhi në përgjithësi dhe motivoi shkencëtarë albanologë me bindje dhe entuziazëm, se shtëpinë tonë do ta ndërtojmë dhe do ta drejtojmë vetë shqiptarët. Institucionet e posaçme që u ngritën për herë të parë në historinë e vendit për veprimtarinë shkencore në arkeologji dhe në mbrojtjen e monumenteve të kulturës u themeluan dhe u ngritën pothuajse nga hiçi prej shkencëtarëve shqiptarë. Natyrisht, pati edhe bashkëpunim me shkencëtarë miq të huaj. E kam fjalën se brenda shtëpisë, komandën dhe rregullin e kishte i zoti i shtëpisë dhe punën e bënin anëtarët e saj.
Institucionet u ngritën mbi parimin “e mbështetjes në energjinë njerëzore kombëtare” dhe të huajt të bëjnë atë që u takon të bëjnë, jo të marrin në dorë komandën e shtëpisë dhe t’i tregojnë vendësve se çfarë u mbetet atyre të bëjnë, deriaq sa t’i lënë ata edhe pa punë, siç po ndodh sot – aq më keq që t’i detyrojnë të marrin rrugët jashtë kufijve për të mbijetuar. Kështu nuk merret më vesh se kujt kombi i takon ky vend! Çdo vend punon të përgatisë dhe të ketë shkencëtarë nga kombi i vet që të jenë në gjendje të ndihmojnë përparimin e vendit të vet. Kështu vepron çdo vend i Europës. Kalimi i këtyre kufijve nuk ka legjitimitet as në emër të “globalizmit”, as të “integrimit europian” e të tjera spekulime të përdoruara nga fshatarët që drejtojnë shtetin, të cilat në Tiranë i gjen në trajtat e një mediokriteti të pashembullt. Nuk ka legjitimitet as në emër të “fashizmit, komunizmit, nazizmit, osmanizmit, etj., sepse çdo komb ka të drejtën dhe detyrën të ruajë identitetin e tij kombëtar, pavarësisht se po ndërton socializmin apo amerikanizmin, apo italianizmin, apo greqizmin, apo serbizmin, apo Europën e Bashkuar. Kjo që po ndodh në Shqipëri është një vetëmjerim, i cili të çon së fundi në asimilim kombëtar dhe barazohet me vetëvrasjen.
Nuk e kam ndeshur këtë fenomen as edhe në vendet e mëdha të Europës Qendrore Perëndimore, ku jetoj dhe punoj prej gati tri dekada, atje ku të huajt hyjnë e dalin, jetojnë e punojnë me shumicë! Por edhe stërgjyshi, gjyshi dhe im atë nuk janë përulur para një droge të tillë ideologjike. Albanologjia e ndriçuar nga shqiptarët është identiteti ynë origjinal historik në botën mbarë, është pasuria jonë kombëtare më e madhe që e kemi të trashëguar, pasuri e pavdekshme, e patjetërsueshme, e përjetshme. Ajo është para së gjithash, pronë e qytetarit shqiptar dhe mëmëdheu identitetit tonë të përjetshëm. Po qe se, ruajtja, zbulimi, vlerësimi dhe mbrojtja e saj nuk do të bëhet nga shkenca dhe shkencëtarët shqiptarë, identiteti dhe liria jonë e qytetëruar nuk do të mbijetojë. Kemi mbërritur të gjithë në buzë të greminës. Dikush duhet të na ndalë përpara se të përfundojmë në humnerë!/Balkanweb/