Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj sqaron arsyen pse zëvendësministri i Brendshëm, Ilir Marko, vazhdon të ushtrojë detyrën, ndonëse kryeministri Edi Rama kërkoi largimin e tij, pas përplasjes me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24, Demiraj sqaroi se: “Është e vërtetë që Ilir Marko nuk është shkarkuar ende. Kërkesa e kryeministrit do diskutohet në mbledhje qeverie dhe në baze të udhëzimeve që do na japë zv.kryeministrja (Ledina Mandija) do japim votën tonë. Nëse ma kërkon zv. kryeministrja unë do e firmos shkarkimin”,- sqaroi ai.
Ilir Marko u shkarkua të enjten nga kryeministri për shkak se u konfliktua me mesazhe me Saimir Tahirin. Fillimisht, LSI-ja ka denoncuar me emra konkretë rastet e blerjes së votave në qarkun e Tiranës, duke akuzuar se, pas këtyre veprimeve antiligjore, ishte ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.Megjithatë, Tahiri ka replikuar me Ilir Metën, duke thënë se tentoi ta përgjonte me anë të zëvendësministrit të Brendshëm, i cili, sipas tij, i ka vendosur një përgjues në zyrë. Por pas këtyre etiketimeve, Ilir Marko, i cili ka qenë zëvendësi i Saimir Tahirit, ka reaguar me anë të një mesazhi privat të dërguar në celularin e ish-ministrit të Brendshëm.
Marko ka zbuluar në SMS-në drejtuar ish-ministrit se ndërkombëtarët kanë kërkuar me këmbëngulje shkarkimin e Saimir Tahirit për abuzime. Pasi u bënë publike SMS-të, Edi Rama nxori vendimin për shkarkimin e zv. ministrit të LSI-së.