Deputetja demokrate Rudina Hajdari, reagon pas shkarkimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku.
Ajo thotë se ky është rasti i dytë brenda pak muajve nga Partia Socialiste që tregon se sa i kalbur është sistemi ynë zgjedhor, ku njerëz me të kaluar kriminale vendosen nga kryetarët e partive si kandidatë për zgjedhje dhe cenojnë proceset integruese dhe demokracinë në vend.
Sipas saj, patjetër që jo vetëm duhen marrë masa të rrepta si për individët, por dhe për partitë pasi duhet të mbajnë ata përgjegjësi, mbi të gjitha.
“E vetmja zgjidhje është ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe futja e një mentaliteti më të shëndoshë. Nuk mundet që kryetarët e partisë të zgjedhin kë të duan dhe të kenë në dorën fatet e çdo njërit duke mbytur fjalën e lirë e demokracinë brenda partive të tyre, por dhe të tallen sa vjen e më shumë me fatin e vendit”, shkruan Hajdari.
KQZ e shkarkoi ditën e sotme Kajmakun, duke e gjetur mandatin e tij të pavlefshëm.
Ky shkarkim vjen pasi u verifikua nga Prokuroria se Agim Kajmaku, ka falsifikuar formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur arrestimin dhe hetimin në Greqi për veprën penale të përdorimit të parave false, si dhe duke fshehur identitetin e rremë të përdorur në Greqi për prindërit e tij.
Kajmaku rezulton i dënuar në shtetin grek dhe njihej me emrin Jorgo Toto.
Sakaq Kryebashkiaku i Vorës ka 45 ditë kohë për ta ankimuar vendimin në Gjykatën Administrative.
g.kosovari











