28-vjeçari Edision Lazri, shoferi i mjetit tip Benz me targa angleze është arrestuar pasi mjeti që ai drejtonte është përplasur me një makinë tjetër Benz që drejtohej nga 55-vjeçari Kujtim Istrefi, i cili mbeti viktimë si pasojë e aksidentit.
Aksidenti i rëndë shkaktoi humbjen e jetës së 3 familjarëve, vëllezërve Kujtim Istrefit (Dehari) 55 vjeç, Murat Istrefi (Dehari) dhe 45-vjeçares Lulëzime Istrefit (Dehari), bashkëshortja e Kujtim Istrefit, ka ndodhur në aksin rrugor Fushë Bulqizë-Shupenzë, në vendin e quajtur ‘Ura e Gjoricës’.
Të plagosur kanë mbetur Mërgim Lazri 25 vjeç, Kadrie Markeçi 19 vjeç, Firuze Istrefi 56 vjeç, të cilët kanë qenë pasagjerë, si dhe Edison Lazri 28 vjeç i cili u vu në prangat e policisë.
Sipas korrespondentit të Klan News në Burrel, Nefik Feta, dyshohet se mjeti tip “Mercedes Benz 240” ku udhëtonin Kujtim dhe Murat Istrefi me dy bashkëshortet Lulëzime dhe Firuze Istrefi, ka dalë nga një rrugë dytësore duke dalë nga fshati Gjoricë ku kishin qenë për vizitë dhe në momentin që kanë dalë në rrugën nacionale i kanë prerë rrugën mjetit tip Mercedez me targa angleze. Si pasojë e shpejtësisë, përplasja ka qenë shumë e fuqishme dhe mjeti ku udhëtonin viktimat është ndarë në 2 pjesë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.
Të vdekur:
1. Kujtim Istrefi ( Dehari ) – 55 vjeç (Maqellarë – Dibër)
2. Murat Istrefi (Dehari) – 76 vjeç (Maqellarë – Dibër)
3. Lulëzime Istrefi (Dehari) – 45 vjeç (Maqellarë – Dibër)
Të plagosur:
1. Mërgim Lazri – 25 vjeç (Bllatë e Epërme – Dibër)
2. Edison Lazri – 28 vjeç (Bllatë e Epërme – Dibër)
3. Firuze Istrefi – 56 vjeç (Maqellarë – Dibër)
4. Kadrie Markeçi – 19 vjeç (Shupenzë -Dibër)











